1 Maji i parë

dita_e_punetoreveDuke filluar nga vitet ’90 e deri më sot Shqipëria përjetoi një transformim të paprecedentë. Jo vetëm kalimi nga sistemi diktatorial në atë pluralist, nga ekonomia e centralizuar ne tregun e lirë dhe nga komunizmi në kapitalizëm. Shteti totalitar dhe i kudondodhur deri dje, pushoi së ekzistuari disa herë këto 20 vjet, tragjedi si të Otrantos dhe të Gërdecit gjithashtu nuk mund të shqiten nga kujtesa. Lufta në Kosovë, tranzicioni dhe Pavarësia shënuan një epokë të re për të gjithë shqiptarët.

Fillimisht hovi i mesit të viteve ’90, i fryrë artificialisht nga fenomeni i firmave piramidale, më pas viti zero në  ’97-ën, ringritja e vështirë në fillim të këtij mijëvjeçari, “bumi ekonomik” dhe së fundmi kriza, politike, sociale, ekonomike,dhe mbi të gjitha morale, u kamufluan më së miri nga një pushtet i centralizuar dhe me karakter mafioz…

Në të gjithë këtë metamorfozë që pësoi  vendi do të mbahen mend figura politike, ngjarje tronditëse, momente ku u ndryshua rrjedha e historisë, por konstantja e përhershme  dhe i harruari i madh i këtyre 20 viteve,  simboli në letër i sistemit që shkoi, do të mbetet punëtori.

Sot në Shqipëri pjesa dërrmuese e popullsisë jeton në varfëri ekstreme, dominon papunësia ose puna në të zezë, klasa punëtore është e margjinalizuar dhe e paorganizuar në struktura sindikaliste, punëtori nuk  gëzon asnjë lloj të drejte. Paga është një opsion i cili përfitohet në varësi të fitimeve dhe oreksit të punëdhënësit. Nuk njihet asnjë rast ku punëtori i pushuar të ketë ngritur zërin për pushim të padrejtë nga puna. Jo sepse të tilla nuk ka pasur por sepse punëtori i paorganizuar nuk ka zë për të bërtitur dhe shumë prej nesh, nuk kanë vesh për të dëgjuar. Monopolet kanë zaptuar ata pak sektorë të prodhimit që kanë mbetur, edhe pse prodhimi këto 20 vjet, krahasimisht ka qenë gjithmonë i ulët. Kjo është arsyeja kryesore përse klasa punëtore është e padukshme. Kombinatet, uzinat dhe metalurgjikët e diktaturës, janë zëvendësuar nga fasonë të cilat prodhojnë për vende të tjera, fabrika të vogla që funksionojnë me djegie gomash, dhe klane mafioze që shfrytëzojnë atë pak që ka mbetur për tu rrjepur nga minierat.

Punëtorët e tjerë janë të shpërndarë në punishte të vogla e të shumta, punë me mëditje e punë hamallësh. Të paorganizuar në struktura për mbrojtjen e të drejtave të tyre, të lënë në harresë nga shteti dhe shoqëria civile, drama e klasës punëtore është e paevitueshme. Si pasojë  kushtet e jetesës së punëtorëve përkeqësohen vazhdimisht, duke u kthyer në kushte mbijetese.

Kriza ekonomike që ka mbërthyer Evropën, po fillon të ndjehet edhe në Shqipëri dhe të parët mbi të cilët peshon kjo krizë janë punëtorët. Fenomen karakteristik i këtyre kohëve është babëzia e të kamurve, pronarëve të kapitalit, të cilët shpesh janë politikanë ose familjarë të tyre. Këta vazhdojnë të jetojnë në luks e të rrisin fitimet e tyre pavarësisht nga kriza, ndërsa poshtë, fëmijët e punëtorëve përballen me urinë duke qenë se prindërit nuk kanë bukë për t’iu dhënë ditëve të fundit të muajit.

Sikur të mos mjaftonin këto; çmimet e shërbimeve janë shumëfishuar, ato të energjisë elektrike kanë arritur nivele rekord, taksat gjithashtu. Ky nuk është qielli i vranët mbi Shqipëri, ky është realiteti i klasës punëtore. Qindra vjet luftë sindikaliste për të arritur disa standarde minimale, të drejtat themelore të punëtorëve, paga bazë, tetë orarëshi i punës, dinjiteti i punës, kontrata kolektive etj, në Shqipëri janë shumëzuar me zero. Punëtori është një kafshë pune pa kurrfarë të drejte. Të vetmen të drejtë që gëzon është ajo e të ushqyerit sa për të mbajtur frymën në mënyrë që të shfrytëzohet sërish të nesërmen.

Pavarësisht verbërisë së shoqërisë, punëtorët nuk janë pak. Ata janë pjesa dërrmuese dhe shtresa bazë e kësaj shoqërie.

Në këto kushte është i nevojshëm organizimi i punëtorëve në struktura sindikaliste, në mënyrë që të krijohet një front i përbashkët jo më për mbrojtjen e të drejtave të cilat nuk i kanë pasur kurrë, por për fillimin e njohjes të së drejtave të tyre. Është gjithashtu i nevojshëm sensibilizimi mbi këtë plagë sociale edhe nëpërmjet mediave. 1 Maji është dita e punëtorëve dhe simbolizon luftën e tyre për një punë të drejtë dhe kushte dinjitoze. Duhet të jetë kjo ditë, mbase për herë të parë në historinë tonë, jo më një ditë feste, një ditë pushimi, apo një ditë çfarëdo. Duhet të jetë dita e një proteste të sinqertë politike por jo partiake, për njohjen e të drejtave themelore të punëtorëve në Shqipëri.

Onufri

1 Maji i parë