Kurrë mos i besoni një të vetëshpalluri “të pavarur”

Sigla “i/e pavarur” mbulon shumë situata që ndryshojnë nga njëra-tjetra: që nga ish deputeti apo qeveritari vendor të cilit partia i ka bërë dalje, pavarësisht se ai kërkon me ngulm të kandidojë, e deri te situatat e sotme kur, për t’i bërë ballë dy grupimeve politike kryesore dhe aleatëve të tyre, kandidatët shpallen “të pavarur”, ose si të mbështetur nga e vetmha “parti” tek e cila gjejnë frymëzim, atë të “qytetarit”.

Sesi mund të jetë një kandidat i pavarur që mbështetet në partinë e “qytetarit”, pra që përveç pavarësisë ndaj PS-së dhe PD-së, pretendon dhe pavarësinë ndaj çdo lloj ideologjie, përveç asaj të “qytetarit”, as Lubonja vet në emisionin e tij të ri nuk na e tregon dot. Sepse si qenie politike, si qytetari, si kandidati, ka një sensibilitet të vetin. Mund të mos jetë me PD-në, por është i djathtë, ashtu sikundër mund të mos jetë me PS-në, por thellësisht mendon se politikat e majta mund ta rimëkëmbin qytetin apo shtetin.

Kandidimi me siglën “i pavarur”, me vetësugjestionimin se je i partisë së “qytetarit” dhe se mendon se një menaxher i mirë është më i vlefshëm se një politikan i mirë, pra kandidimi me idenë se je i të gjithëve, rrezikon të të bëjë i vetvetes.

Është e qartë se qytetari ka një lodhje të përgjithshme nga një klasë politike e stërmunduar nga hallet e saj. Nga një klasë politike që tashmë nuk prodhon më asgjë të mirë, madje as vetveten, duke gjetur furnizime në pjesën më lumpene të shoqërisë, shih Mhill Fufin, Mark Frrokun e kështu me radhë. Por ama duhet të jetë gjithashtu e qartë se përgjigja ndaj kësaj situate nuk është pavarësia e kandidatëve. Akoma më pak e njerëzve që kanë ardhur në politikë nga gjiri i partive.

Nuk mund të ketë pavarësi në politikë. Nuk mund të jetë e pavarur një marrëdhënie ku pavarësia nuk kërkohet. Zgjedhësit nuk kërkojnë një njeri të pavarur, një njeri që t’u kalojë përsipër partive dhe ideologjive, një njeri që nuk e shpreh dot mendimin e tij, peng i një pavarësie që do të jetë më shumë një handikap sesa një risi e mirë. Zgjedhësi, pavarësisht nivelit të tij dhe vendit ku jeton, është një qenie politike, me sensibilitetin e tij politik, të ekuilibruar nga arsyeja, por që gjithsesi mendon se bota duhet të rrotullohet më majtas ose më djathtas. Njerëzit që kandidojnë, bëhen njerëz politikë, dhe një nga kriteret e përzgjedhjes së njeriut politik në postet drejtuese është domosdoshmërisht dhe krahu i tij politik (dhe jo domosdoshmërisht partiak), që, si pjesë e transparencës publike, duhet të njihet prej zgjedhësve. Fakti që në zgjedhje kandidon si i “pavarur” përbën një pengesë në njohjen e kandidatit. të kuptohemi, nuk kërkojmë zgjedhje me dy kandidatë të dalë nga PS dhe PD; le të jenë sa më shumë. Por gjithsecili duhet të vendoset në fushën e shahut, të mbajë përgjegjësinë e tij në fushë dhe të luajë gurët e tij, me aq mundësi sa ka.

Pavarësia po përdoret në politikë për të përfituar kredite të kota. Pasi kushdo do e kuptojë se pavarësia e kandidatëve është një gënjeshtër, në të gjitha kuptimet e mundshme. Dhe kështu, ajo po harrohet të përdoret dhe të vihet në jetë aty ku kandidatët duhet të përzgjidhen në saj të disa kritereve që garantojnë pavarësinë e tyre, si për shembull trupa e pushtetit gjyqësor. Në këtë kuadër, kuptimi i të pavarurit merr kuptim. Nuk mund të kuptojmë dot sesi një gjyqtar mund të jetë i majtë apo i djathtë, prandaj dhe kërkojmë pavarësinë e tyre. Nuk duam të dimë nëse një gjyqtar ka një sensibilitet të majtë apo të djathtë, kërkojmë të dimë se ç’raport ka ky gjyqtar me ligjin. Pavarësia e tij është garanci për ne. Por për një kandidat në një post politik, përveç raportit që ka ai me ligjin (dhe rastet Frroku na e kujtojnë gjithmonë e më fort), duhet të dimë se kë përfaqëson, çfarë pikëpamjesh ke mbi shoqërinë dhe si mendon se duhet të trajtohet pabarazia sociale: të gjitha çështje që nuk kanë asnjë lidhje me të qenit “i pavarur”.

Viroi

Kurrë mos i besoni një të vetëshpalluri “të pavarur”

“Të veprohet”

E ngritur në nivel administrimi publik, nuk mund ta imagjinojnë dot magjitë që bën folja  e përdorur në mënyrën urdhërore të kohës së tashme. Ajo na bën të dalim nga burgu pa asnjë lloj përgjegjësie dhe të lëmë vartësen në burg, pasi ajo duhet ta kuptonte se kur shefi thotë “të veprohet”, do të thotë se ti si vartëse duhet të kishte vepruar. Ajo na bën gjithashtu që të nesërmen e dhënies së këtij urdhri jetim, të ikim për pushime, edhe pse është e vështirë të mendohet sesi mund të veprohet kur jo vetëm është dhënë urdhri në mënyrën udhërore, por edhe ke ikur me pushime.

Kur shefi i Interpol Tiranës la shënimin “të veprohet” mbi shkresën dhe që ia “përcolli” vartësve, ai në fakt nuk ka bërë asgjë. Ai ka vepruar ashtu siç vepron çdo njeri që nuk do të marrë asnjë lloj përgjegjësie. Dhe, duke parë rëndësinë e shkresës së ardhur nga Interpol Brukseli në lidhje me dyshimet se një deputet e Kuvendit shqiptar është përfshirë në një aferë kryekëput kriminale, na duket se shefi i Interpol Tiranës ka “përcjellë” këtë dyshim në vorbullën e harresës. Nuk ka më rëndësi nëse e ka bërë nga papërgjegshmëria kronike që kap çdo individ të mbrujtur me rehatinë shqiptare, as nëse e ka bërë në mënyrë të qëllimshme: ai ka vepruar njësoj në mënyrë kriminale.

Ç’do të thotë “të veprohet”? Kjo mënyrë e përdorimit të kësaj foljeje përfshin shumë kuptime nga pikëpamja administrative. Nëse do të duam t’i japim një kuptim, besojmë se ai më i qarti dhe më i pritshmi është që vartësja “të vepronte” duke përgatitur shkresën përcjellëse dhe më pas, kjo shkresë të nëshkruhej nga titullari, shefi i Interpol Tiranës. Dhe vetëm kështu mendojmë se merr kuptim folja në mënyrën urdhërore “të veprohet”, vetëm kështu ajo merr kuptim dhe vishet me përgjegjësitë e të gjithë atyre që duhet të veprojnë: vartësja dhe shefi.

Natyrisht, gjykata bëri interpretimin e saj. Rezultati është se vartësja mbeti në burg (njësoj si me Bankën e Shqipërisë…) dhe shefi, tashmë i lirë, flet për karrierë të thyer në mes.

Nga ana tjetër, të thuash “të veprohet” sot duhet të përkojë më shumë me një thirrje. Arben Frroku, personi mbi të cilin rëndonin një tufë me dëshmi dhe fakte që ka ekzekutuar Dritan Lamajn (personin që duhet të ishte marrësi i shkresës me shënimin “të veprohet”) u shpall nga gjykata i pafajshëm. Nëse realisht i pafajshëm ne do të ishim më gjendje ta kuptonim vetëm nëse të gjithë organet e hetimit të kishin bërë një punë të paqme. Gjasat deri tani duken që jo. Në këto kushte, thirrja “të veprohet” drejtuar qeverisë duhet të kumbojë më fort se kurrë, për t’i dhënë një shkundje që sistemi që tmerron dëshmitarët, që ndrydh ata që duan të thonë të vërtetën, lë kriminelët të jetojnë mundin dhe djersën e tyre të qetë dhe shkatërron çdo themel demokratik në këtë vend. “Të veprohet”, para se të veprojmë. Edhe pse njerëzit kanë rënë në një apati të thellë, nëse nuk veprohet, ata do të veprojnë dhe do të jetë tepër vonë.

“Të veprohet”

Gjergji si Kreshniku

E megjithatë Gjergji, kopilçe, do të më fusë në një thes me të zhgënjyerit që s’kanë marrë sa meritojnë nga partia (më ngjan se vetë Gjergji është njëri prej tyre). Por edhe më keq, kërkon të më rreshtojë me ata të zhgënjyer që kanë 25 vjet pa i paguar dritat në emër të ish partisë së Gjergjit (i cili ka qenë edhe drejtor i KESH-it). Më keq akoma, meqenëse i falemi të njejtës perëndi pellazge, pra Zhgënjimit, ai ka menduar me dinakëri, që nëpërmjet votës, të më barazojë me ata të zhgënjyer që mendojnë se Berisha duhet të na varte te palma para Kryeministrisë (zemërdobëti, nuk e bëri).

Këtu mund të numëroj edhe 1001 të zhgënjyer të tjerë, që nga ata të hashtagjeve që përdor Erion Veliaj në twitter e deri tek i zhgënjyeri nga moti i keq. Disa syresh nuk do të pinin dot as kafe në të njëjtin lokal me mua, pavarësisht perëndisë pellazge që kemi të përbashkët…

Jo shumë kohë më parë, mbaj mend një tjetër profet që doli të mblidhte bashkë të gjithë shqiptarët që adhuronin perëndinë tjetër pellazge, Nacionalizmin. Kreshniku ishte profeti perfekt. Ishte veç, pra hiqej sikur s’kishte lidhje me të tjerët. Emrin e kishte të përshtatshëm për Zotin që kishte përgatitur t’iu prezantonte shqiptarëve. Pretendoi edhe të nxirte një million në shesh. Siç e tregoi koha në fakt, si hap të parë mblodhi bashkë në kuti votimi diku te 10 mijë naivë që nga ballisti e deri te kripto enveristi, ndërsa sot vështirë se i ka 100 tifozë kuqezi pas vetes, derisa të harrohet edhe ai me paçavuret e veta.

Gjergji me Kreshnikun kanë të përbashkët partinë ku hëngrën dhe nga e cila u zhgënjyen se nuk ju dha sa donin. I pari nuk e vuri ujin në zjarr për çështje si Gërdeci por iu dhimbs kombi, ndaj edhe u nda nga partia. I dyti nuk e lodhi shumë mendjen as për Gërdecin as për 21 Janarin (sa e sa drama të tjera përjetoi ky popull!) por iu dhimbsën të zhgënjyerit. E të dy bashkë mendojnë se mund të bëjnë politikë tallava ashtu sikurse Flor Mumajesi bën muzikë.

Mua më dhimbsen veç naivët, të cilët duke mos ditur ku ta adresojnë zhgënjimin, dëshpërimisht do të zgjedhin Gjergjin e sotëm, ashtu sikurse Kreshnikun e djeshëm, për ta gjetur veten edhe më të zhgënjyer se ç’ishin në fillim.

 

Tanks

Gjergji si Kreshniku

Të gjithë bashkë për një vend parkimi

Faktet treguan që si njëra, si tjetra ishin kështjella të ngritura në rërën e mendjeve të tyre të lëvizshme. U bë një zhurmë e madhe sepse këta gumëzhitës zbuluan lirinë që e kishte izoluar Saliu në bedenat e tiranisë së tij. U bë një zhurmë e madhe se këta gumëzhitës rizbuluan të drejtën për të kritikuar qeverinë, duke nisur nga çështje që, në thelb, nuk prekin aspak interesin e përgjithshëm të popullit, por interesat e tyre të vogla: kështu, për shembull, rritja e energjisë elektrike nuk i bën shqiptarët të jetojnë më në mjerim se ç’kanë qenë. Për energjinë elektrike, trimoshat nuk e kuptojnë se është thjesht fakti i pagesës së energjisë elektrike ne vetvete, me ato pak fitime që mund të sigurojnë, që prek interesat e  shtresës më të varfër të popullit. Por deri dje, trimoshat e fjalës së lirë as që nuk u interesonte ky problem. Edhe sot nuk mund të thuash se i vret shumë dhe në fakt, debati mbi rritjen e çmimit të energjisë nuk kishte të bënte me xhepat e shqiptarëve, sesa me aftësinë e trimoshave të shoqërisë civile të kritikojnë kur dhe si t’ua dojë prapanica.

Forcat politike këto ditë mund të bien dakord të shpikin një burim fitimi të ri për veten e tyre dhe bizneset që u rrinë nga pas. Heshtja e shoqërisë civile është po aq zhurmuese sa ç’ishte zhurma e tyre boshe për dy problemet që përmendëm më sipër. Pikërisht sepse mund të ketë konsensus. Dhe kush është mrekullia e dytë e këtij konsensusi? Një goditje tjetër e pasurisë publike, një turp tjetër për autoritetin publik, një maskaradë e shëmtuar që do të rëndojë mbi depozituesit e autoritetit publik, të cilët me autoritetin që u ka dhënë ligji, po e shkatërrojnë çdo cep publik që ka mbetur në këtë det privatësie makute. Me anë të konsensusit, në Tiranë do të jepen vende parkingu me konçesion, për 35 vjet, një biznesi, i cili do të administrojë parkingjet në Tiranë, kundrejt pagesës. Thuhet se do të jenë 7,400 vende të tilla, gojët e liga e shtojnë deri në 24,000 vende. E vërteta është se për këtë administrim, ne do të paguajmë. Shtrohet pyetja? Për çfarë do të paguajmë? Çfarë do t’i bëjë ky biznes këtyre vendeve? Do u vendos lule, do rregullojë asfaltin poshtë, do mbaj makinat me muhabet? Apo do u dhurojë nga një kostum pune atyre që kërkojnë 100 lekë për parkim te Blloku? Sepse nëse me këtë konçesion synohet rritja e buxhetit të Bashkisë në të mirë të shpenzimeve të saj publike, kjo është po aq e vërtetë sa dhe perspektiva për të parë ndonjë zyrtar të lartë në Shqipëri të kalbet në burg për korrupsion apo për vrasjen e protestuesve para Kryeministrisë.

Disa do të thonë, siç thoshin në kohën kur Saliu filloi valën e konçesioneve (përgjithësisht pa bereqet) se nëpërmjet tyre, buxheti i shtetit do të pasurohej sepse ato do të paguajnë tatimet dhe tarifat e konçesionit. Edhe sikur, të jetë kështu, pra sikur ky biznesi t’i paguajë një për një detyrimet që do të rrjedhin nga ky konçesion, duhet të lëmë marrinë mënjanë dhe të kuptojmë se me këtë barrë fiskale që ka Shqipëria (nuk po flasim për informalitetin), buxhetet publike nuk pasurohen, rrjedhimisht nuk do të ketë asnjë politikë të qenësishme për popullin që do të shikojë dritën e diellit. Dhënia me konçesion e parkingjeve në Tiranë është manovra e ndyrë e radhës që në fakt fsheh privatizimin e hapësirave publike në Tiranë, në favor të disave që të pasurohen edhe më tej.

Shpejtësia me të cilën duan ta votojnë këtë konçesion është treguesi më i mirë i qëllimit që kanë. Edhe të bekuar me “konsensusin”, ky konçesion jep pamjen e një reforme që i duhej kryeqytetit. Mjafton ta shqyrtojmë problemin siç duhet dhe duke rikujtuar historinë e problemeve të parkimit në Tiranë për të kuptuar se çfarë i duhet kryeqytetit. Në fillim u diskutua krijimi i parkingjeve të nëndheshëm për të çliruar Tiranën nga një trafik hera herës i krijuar artificialisht nga “dopjofilat”. Mënyra dhe kriteret e krijimit të tyre mund të ishin të diskutueshëm, por arsyeja ishte e kuptueshme. Së dyti, është ngritur domosdoshmëria e uljes së trafikut të automojeteve në Tiranë, duke dekurajuar përdorimin e tyre nga ata kryeqytetas që nuk e kanë të domosdoshme. Këto praktika njihen në metropole të mëdha të Europës, të jesh majmun dhe të imitosh këto praktika, është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet. Në këtë kuadër, mund të pranohet dhe tarifimi i parkimeve, mënyra dhe kriteret e të cilit do të përcaktohen në funksion të shumë elementeve, një nga të cilat është dhe investimi në punë publike që kanë lidhje me rrugët në Tiranë. Sepse mund të kërkosh pagesën e një tarife për parkimin, por është po ashtu e pritshme nga taksapaguesi që të shikojë rritjen e cilësisë së rrugëve ku ai ecën. Dhe kjo vjen vetëm nëse të gjitha përfitimet nga pagesa e tarifës së parkimit do të arkëtoheshin nga Bashkia. Kjo do të ishte mundësia më e mirë e mundshme, pra që këtë shërbim ta bënte një autoritet publik, në emër të tijin. Por e kuptojmë që sot, më e mira nuk është më optimalja dhe më optimalja është më e pranueshmja në një shoqëri kapitaliste. Dhe më e pranueshmja mund të jetë që autoriteti publik, pra Bashkia, të lidhë një kontratë partneriteti me një subjekt privat për furnizimin e teknologjisë së nevojshme dhe vetëm kaq. Me të gjitha ato para që do të mblidhen, një Bashki mizerabël si kjo e Tiranës do të bënte mrekullira. Gjithmonë nëse do të kishte vullnet.

Vullneti mungon. Bozdot, bozët e radhës, dalin e mbrojnë idenë se ky konçesion është i mirë, se nuk do të tarifohen banorët. Këta altoparlantë të mediokritetit duhen të na shpjegojnë se çfarë është një lagje në Tiranë, ku fillon dhe ku mbaron. T’i japësh një zgjidhje në problemi që nuk e shtron kush, ta bësh tjetrin të flasë për këtë problem dhe ta largosh nga objekti kryesor i debatit, që është natyra vetë e këtij konçesioni të babëzisë, është një berishizëm. Dhe berishizmi i toleruar nga konsensusi gjithëpartiak është fundi i demokracisë, fundi i pasurisë publike dhe konsolidimi i një republike që jeton nëpërmjet vjedhjes së përjetshme të vetvetes.

Stavri

Të gjithë bashkë për një vend parkimi

Lufta e Ftohtë – shumë të reja, asnjë ndryshim

Por jo vetëm kaq, në Paris munguan të gjithë eksponentët e rëndësishëm të Departamentit të Shtetit. Një turp të cilin e gëlltitën me pak bukë, një “kërkojmë ndjesë” dhe një gotë verë pas.

Këto dy ngjarje, të menaxhuara në mënyrë të ndryshme nga administrata amerikane, nuk tregojnë në fakt largësinë e Uashingtonit me Brukselin (ose Parisin), por përparësinë që ka aleanca e naftës me Riadin. Duke banalizuar mund të themi që, Amerika e ka Europën në xhep, prandaj duhet të përkëdhelë Arabinë Saudite. Po pse intereson kaq shume sigurimi i vazhdimësë së aleancës 70 vjeçare me Riadin?

Arsyet mund të jenë të shumta dhe të komplikuara, por e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë. Çmimi i naftës u përgjysmua nga 100$ në 50$ për fuçi dhe pavarësisht vlerës së vogël, Mbretëria Saudite nuk ka ndërmend të ulë prodhimin, manovër e cila do të çonte në rritjen e çmimit.

Ulja e çmimit të naftës është hakmarrja dhe njëkohësisht presioni që Uashingtoni i bën Moskës dhe Teheranit. Ekonomitë e Rusisë dhe Iranit janë tejet të varura nga shitja e naftës dhe gazit që disponojnë por duke mos patur asnjë mundësi të ndërhyjnë te çmimi.

Ashtu si 26 vjet më parë edhe sot, në një llogore qëndron SHBA-ja, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sigurisht Europa, ndërsa në tjetrën Rusia, Irani, dhe vendet e Azisë qendrore që po rikthehen në gjirin e “Nënës Rusi”, me Kinën e cila ka një llogore krejt të vetën dhe vështron nga afër.

Çka duket se ka ndryshuar është vetëm një grup vendesh të Europës qendrore dhe lindore të cilat në lojën e madhe gjeopolitike nuk kanë peshë të mjaftueshme për të ndryshuar ekuilibrat. Ukraina është shumë pranë kolapsit ekonomik dhe ka humbur thuajse 1/4 e territorit. Serbia ashtu si Jugosllavia dikur, mundohet të luajë në dy fusha, herë me Rusinë (me zemër) e herë me Europën (me llogari).

Edhe Greqia ka luajtur historikisht në dy fusha. Ardhja e Ciprasit në pushtet dhe politika e afrimit me Rusinë flasin qartë për këtë të vërtetë. Interesat ekonomike, kanë shtyrë edhe vende të tjera të BE-së që të afrohen me Rusinë, pa u shkëputur domosdoshmërisht nga Europa, siç është rasti i Sllovakisë dhe Hungarisë.

Por të gjitha këto vende së bashku nuk vlejnë strategjikisht as sa gjysma e Kazakistanit, i cili ka aderuar tashmë në Unionin Ekonomik Euroaziatik ku bëjnë pjesë Federata Ruse, Biellorusia, Armenia, në pritje të Kirgizistanit.

Shqipëria e vogël dhe e papërfillshme, është nga të paktat vende që ka ndryshuar në mënyrë të prerë llogore, në një luftë të dytë të ftohtë që tashmë ka nisur.

Duket qartë që blloqet nuk kanë ndryshuar shumë. Në fund edhe Greqia e Ciprasit do përqafojë BE-në duke i shkelur njërin sy Rusisë. Kjo e fundit ka shpresa të forta te Greqia dhe po tenton ta përdorë si Kalë Troje brenda BE-së, por e kupton që është një shpresë e rreme dhe jo fort e besueshme.

Besnike e Rusisë edhe pse me një këmbë në Bruksel do të mbetet Serbia por siç e thamë edhe më lartë, është shumë pak për të qenë një bast i mirë në lojën e Moskës.

Nëse nuk është një déjà vu e Luftës së Ftohtë, atëhere çfarë është? Bota ka ndryshuar këto 26 vjet, interneti, teknologjia, mediat dhe rrjetet sociale, globalizimi, janë futur në lojë, por në ekuilibrat gjeopolitikë ndërkombëtarë, gurët duket se nuk kanë lëvizur. Si në një lojë shahu, ushtarët dhe figurat janë rreshtuar, të bardhët përballë  të zinjve, por për sa kohë lufta është e ftohtë asnjë gurë nuk lëviz i pari.

 

Onufri

Lufta e Ftohtë – shumë të reja, asnjë ndryshim

Paternalistët e politikës shqiptare

Përjashto vetëm njërën, një analizë të cekët, e vetmja analizë që po del gjithmonë e më në pah, ajo me ngjyrime paternaliste: mos bëni kështu se nuk është mirë. Shumica e atyre që formulojnë këto kritika e kanë të vështirë të pranojnë se ka masa të gjera në popull që tashmë kanë mësuar të ecin vetë.

Këto lloj kritikash u drejtuan ndaj sjelljes së Albin Kurtit, pse do të vijë në pushtet, pse i drejton turmat drejt përleshjes, a thua se tërë ai popull i mbledhur këto ditë në Prishtinë janë dele dhe i binden urdhrave vetëm të një personi. Sado “politikan më i mirë i shqiptarisë” të jetë, kështu e ka përkufizuar Edi Rama kryetarin e Vetëvendosjes, e ka të pamundur t’u fusë mikroçipë në tru çdo pjesëtari në protestë dhe t’u japë urdhra nga lart. Nuk funksionon kështu. Dhe Ben Blushi, deputet i PS-së, i ardhur në pushtet me kujtimin e rëndë të 21 Janarit, duhet ta kuptojë se askush në atë protestë nuk do të qendronte aq gjatë duke protestuar, në të ftohtë, përballë këmbënguljes policore nëse nuk do e ndjente përbrenda kauzën për të cilën u bë protesta.

Mirëpo ne jemi vite dritë larg nga kuptimi i aktit politik. E kuptojmë atë si një akt të drejtuar nga lart dhe si ekzekutim që duhet të jetë perfekt poshtë. E kuptojmë atë akt politik si fitimtar dhe të suksesshëm kur i lind atij që drejton nga lart dhe si dështim, kur nuk ezkekutohet mirë nga poshtë. Në thelb, me këtë mendësi, justifikohet gjithçka: mbyllja e turpshme e dosjes të mëdha të korrupsionit të qeverisë Berisha, dënimi qesharak i ekzekutorëve të 21 Janarit dhe ofrimi i zyrave falas nga shteti shqiptar për ish Presidentët e Republikës së Shqipërisë, përfshi Kryeministrin e 21 Janarit. Gjithçka ka ndodhur në shtresat e sipërme të atmosferës nuk dënohet, mbyllet, i lihet historisë të gjykojë. Kjo është një dhunë që nuk të lë vraga në fytyrë, por të bën me plagë të rënda në jetë. Ndërkohë që gjithçka që ndodh poshtë është e tmerrshme, e turpshme dhe pasojë e veprimeve të pamatura të disa deleve që u binden urdhrave të shefave të tyre. Kjo nuk është ide politike. Kjo është dembelizëm, gjykim i pordhët, një lloj dhune që legjitimon mbijetesën e sëmundjeve që kanë kapur shoqëritë tona.

Atëherë, cila nga këto dhunë duhet zgjedhur? Ben Blushi, deputet i PS-së i ardhur në pushtet me kujtimin e rëndë të 21 Janarit, e pranon se formë dhune është edhe ai akt që vjen nga “politikanë që abuzojnë, mashtrojnë, nuk i dorëzohen dhe nuk mbajnë premtimet dhe bëjnë aleanca të pamundura”. Por gabohet kur e asimilon këtë lloj dhune me gurat mbi policinë e Kosovës. Askush nuk do të hedhë gurë mbi policinë e shtetit të vet. Nga tranzicioni në Shqipëri, gjithmonë rimëkëmbja e policisë është parë si shenja e parë dhe e pazëvendësueshme e rivendosjes së rendit, e ekzistencës së shtetit. Askush nuk e dëshiron dhunën e ushtruar ndaj shtetit që vazhdojmë ta presim, por që nuk po duket ende. Sepse dhuna që vjen prej defiçitit demokratik, përçudnimit të vazhdueshëm të shqiptarit, pozitës së tij në raport me pushtetin dhe në raport me fqinjtë dhe varfëria që thellohet dhe që ndihet në mënyrë të veçantë në Kosovë, krijojnë situata dhune, si ajo e djeshme. Sepse dhuna që ushtrohet mbi shqiptarin, si subjekt njerëzor dhe politik, aq e padukshme sa e edhe e kudondodhur, është e egër dhe tashmë e patolerueshme. Të rinjtë nuk janë në betejë me shtetin, siç thotë Ben Blushi, por me pushtetin. E kanë patur në Shqipëri, tashmë e kanë në Kosovë. Dhe kjo betejë i shkon për shtat shpirtrave të lirë, qoftë dhe me gurë në dorë.

 

Gjeneral Megafoni

Paternalistët e politikës shqiptare

Ngritja e përballueshme e SIRIZËS

Më shqetëson edhe tendenca e disave për t’i vënë bashkë grekët e Sirizës me shqiptarët e Vetëvendosjes. Me siguri sepse protestat e udhëhequra nga Albin Kurti të këtyre ditëve përkojnë në kohë me fitoren e Tsiprasit në Athinë, sepse tjetër analogji mes dy lëvizjeve vështirë të gjehet.

Po ç’të lexoj pastaj?! Që Alexis Tsipras mendon që pavarësia e Kosovës sjell destabilizim të Ballkanit, që faktori shqiptar në Maqedoni është destabilizues dhe që maqedonasit vetë na paskërkan ndikuar negativisht në marrëdhëniet e mira mes popujve ballkanikë, kjo sepse qëndrimi i tyre mbi çështjen e emrit është i papranueshëm. Le pastaj që edhe në Shqipëri na qënkan ndezur gjakrat, shovinizmi dhe fryma nacionaliste (deklarata nga Beogradi). Tsiprasi që ngre masat në protestë, Tsiprasi që rrëzon sistemin, Tsiprasi që është bastun i sakatit, shpëtimtar i të dobëtit, na paska edhe ide të qarta mbi popujt (rracat) në gadishullin e turbullt të Ballkanit.

Mbase diçka po filloj të kuptoj se çfarë kam nuhatur dhe që nuk shkon.
Po nëse, dhe them nëse, djaloshi i majtë dështon?! Unë nuk ia uroj as atij e as popullit grek, por gjasat janë që të dështojë, qoftë edhe për arsye të një presioni nderkombëtar, të një bllokade, të një konspiracioni apo ku di unë se çfarë tjetër. Perëndimi, kapitalizmi në majat e tij, me një nga këto marifete, për të mos thënë me të gjitha bashkë rrëzoi një perandori si ajo e Bashkimit Sovjetik, e ç’e ka Greqinë e vogël?! Pra nëse Tsiprasi dështon, edhe nëse për faj të tjetër kujt, a mos vallë duhet t’i druhemi rritjes së krahut të kundërt?! A mos vallë Agimi i Artë nga 17 deputetë që ka sot, pas rënies së Sirizës fiton 50-60 a më shumë deputetë?! Kot nuk gëzohet Le Peni në Francë diç’ ka nuhatur dhe ajo!

Tsiprasi, që sheh shovinizëm në Shqipëri dhe Maqedoni dhe këtë e sheh nga Beogradi pa i hedhur asnjë vështrim kritik vendit të tij (dhe partisë neonaziste që ka në parlament) dhe aq më pak vendit nga i cili lëshon deklaratën (i njohur për genocidet e viteve ’90), a është vërtëtë i majtë apo është thjeshtë një figurë e mistifikuar nga dëshira e popullit grek por edhe i popujve të tjerë ballkanikë për të patur vërtetë një lider të vegjëlisë.
Nuk jam as çmim Nobël për ekonominë e as politolog me doktoraturë, historian jo e jo, por i majtë jam dhe jam natyrshëm, pa asnjë sforcim. Siriza nuk më entuziazmon. Këtë skepticizëm e ndaj edhe me shokë të tjerë. Mbase skepticizmi na bën të majtë të shekullit të ri, por në një mënyrë apo në një tjetër fitorja e Sirizës nuk na entuziazmon. Koha le të na përgënjeshtrojë.

Tanks

 

Ngritja e përballueshme e SIRIZËS

Gjykatat e mosvarme dhe varësia e tyre ndaj pushtetit

Gati e pabesueshme nëse i krahasojmë me zgjedhjet e një viti më parë, ku pak e shumë me këto rezultate, kishte fituar zgjedhjet PPSh-ja. Shumë arsye mund të motivojnë këtë luhatje kaq të thellë të shqiptarëve, por fakti është se tranzicioni filloi me këtë luhatje të madhe, luhatje që tashmë është kthyer dhe në shkollë politike.

Mirëpo, Kryetari i PD-së së asaj kohe, kishte plane të mëdha për veten dhe për vendin. Si fillim për veten. U zgjodh President dhe bashkë me të, disa deputetë të sapozgjedhur, u detyruan të largoheshin prej Kuvendit, pra të linin mandatin dhe të merrnin funksione të tjera shtetërore. Njëri prej tyre ishte dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe. Gjithsej, u bënë tre deputetë të sapozgjedhur që duhet të linin mandatin. Në këto kushte, zëvendësimi i tyre do të bëhej nga lista shumëemërore e partive. Si dekor, të mos harrojmë se zgjedhjet atëherë bëheshin me përzierjen e dy sistemeve, mazhoritar, nëpërmjet të cilit zgjidheshin 100 deputetë dhe proporcional nga lista shumëemërore, nga i cili dilnin 40 deputetët e tjerë të Kuvendit Popullor. Pikërisht, sipas ligjit zgjedhor të asaj kohe, zëvendësimet e deputetëve që linin mandatin do të bëheshin nga lista shumëemërore.
Bukur fort. Deri këtu, Shqipëria po ambientohej me metodat e reja demokratike. Dukej se të gjithë aktorët e rinj të demokracisë shqiptare po u bindeshin atyre.

Por ja që një ndryshim radikal i ardhur brenda dy vjetësh nuk arriti të maskonte etjen për pushtet, dëshirën për revansh, luftën ndaj kundërshtarit të asimiluar me armikun e klasës që duhej shtypur. Ky ndryshim radikal nuk ngjalli asnjë besim të lideri i ri i Shqipërisë, por përkundrazi, ngjalli te ai idenë se ende pushteti është i brishtë dhe se duhet bërë më shumë për ta konsoliduar atë. Kështu, kush nuk i bindej ose shfaqte dyshime, jashtë! Nuk iu durua dot as dy-tre muaj pa përjashtuar dikë… Dhe pikërisht kjo ndodhi me tre deputetët e ardhshëm që do të zinin vendin e tre deputetëve që duhet të linin mandatin, meqënëse do të merrnin funksione të tjera shtetërore.

Nuk iu desh Saliut më shumë se tre muaj për të shpallur armik ata që i kishte vënë në listat shumëemërore për të qenë deputetë të PD-së. Pasi i përjashtoi nga partia, nuk u lejoi as që të hynin në Kuvend, të drejtë që e kishin fituar pasi ishin të parët në listën shumëemërore. Me Vendimin e datës 13 gusht 1992, Kuvendi i mënjanoi këta tre të padëshiruarit (me urdhër nga lart) dhe caktoi si deputetë zëvendësues, tre të tjerë pas këtyre të treve që duhet të merrnin logjikisht mandatin.

Filloi beteja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. E bukura e kësaj historie është se këta tre deputetë gjetën mbështetje në pretendimet e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese te Partia Socialiste. Akoma më surreale është se kryetar i kësaj Gjykate, i sapoemëruar, vinte nga radhët e deputetëve të PD-së që sapo kishin lënë mandatin.

Cfarë ndodhi në Gjykatën Kushtetuese? Ndonjë hata e madhe jo. Një padrejtësi. Në fund të fundit, shumë padrejtësi kanë ndodhur në Shqipëri. Por u krye shumë shpejt në kohë. Dhe tregoi se pluralizmi i rremë i 1992-shit ishte një kopje e shëmtuar, hipokrite dhe prandaj e frikshme, e enverizmit. Ideja ishte kjo: meqënëse listat shumëemërore janë dorëzuar pranë organit kompetent që merrej me zgjedhjet, personat që do të zinin vendet e këtyre deputetëve do të ishin këta tre ish miqtë armiqtë të President Saliut. Është një veprim matematikor i thjeshtë: hiq tre, merr tre të parët e listës. Mirëpo Gjykata Kushtetuese shpiku një kriter dhe kështu inauguroi fillimin e shpikjeve të kritereve ose zhdukjen si me magji të kritereve ligjore, në funksion të dëshirave të pushtetit. Gjykata tha se “partia nuk mund të detyrohet të mbajë kandidatë të saj një person që vihet në opozitë me programin e saj”. E vërtetë. Por jo pasi ke bërë listat. Në fund të fundit, është njësoj sikur të heqësh një deputet se ndërron parti brenda në Kuvend. Sado e dhimbshme për liderin dhe për elektoratin, sado e dhimbshme për familjen politike që kjo lëvizje mund të rezultojë, është e lejueshme dhe aspak antikushtetuese. E njëjta gjë vlen dhe për këta tre ish miqtë armiq të Presidentit Sali. Por ja që për Gjykatën Kushtetuese, dëshira dhe vullneti i pushtetit kishte më shumë rëndësi se kuadri ligjor i përcaktimit të deputetëve të ardhshëm. Ata nuk duhet të bëheshin deputetë, në asnjë mënyrë! Dhe kështu, pavarësisht se bashkë me aleatët Saliu kishte 100 deputetë, nuk donte të humbiste asnjë prej tyre. Sepse kishte besim vetëm të ata që i rrinin në rresht për një.

Vazhdimi njihet: PSD-ja iku nga koalicioni. Saliu humbi referendumin për projektin kushtetues me të cilin donte që ta bënte Shqipërinë republike presidenciale, vodhi zgjedhjet e 1996, duke marrë më shumë deputetë se në 1992 dhe, në 1997, me shpurën e tij, u rizgjodh President në gjendje të jashtëzakonshme për vendin.
Asgjë nuk do të kishte ndryshuar nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte treguar staliniste në vitin 1992. Por ndoshta pas 23 vjetësh, do të shënonte një gur themeli për drejtësinë shqiptare. Gjë që nuk ndodhi kurrë, sepse vendimet e padrejta u bënë legjion, për hir të pushtetit. Dhe kështu, i është dashur dhe njerëzve, kryesisht atyre politikë si njërit prej këtyre tre deputetëve ish miq armiq tashmë miq të Saliut, të luhaten sa andej këndej për një copë pushtet, për pak vend afër sofrës së kamjes sepse nuk mund ta gjenin dot veten ndryshe. Por ç’mund të thuhet për një njeri të thjeshtë, që nuk e ka luksin të jetë afër sofrës së pushtetit dhe dëshiron të jetojë me parimet e tij?

Për ata që kanë kuriozitet në lidhje me këtë personazh dhe me çështjen, ai është Preç Zogaj dhe bëhet fjalë për Vendimin nr. 2 datë 2.8.1993 të Gjykatës Kushtetuese.

Stavri

Gjykatat e mosvarme dhe varësia e tyre ndaj pushtetit

Syriza, PASOK-u i ri

Pasi njoftoi dhe tregoi me fakte respektin për NATO-n, për BE-në dhe për Euron, tani iu vardis institucionit më konservator grek. Dhe kush? Përgjegjësi i një partie e cila një nga shtyllat kryesore ku mbështetej ideologjia e saj ka qenë skepticizmi ndaj këtij institucioni.

Por këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky është një lajm i keq për dogmatikët, por është shembulli i radhës që tregon se nëse duhet qeverisur, duhet bërë duke dhënë sinjale sigurie dhe lehtësimi për të gjitha për grupimet qe përbëjnë shoqërinë që në të ardhmen dikush do të qeverisë. Mund të diskutojmë mbi oportunitetin e këtyre takimeve, mund të diskutojmë mbi egërsinë e diskurseve të qëmotshme dhe mbi buzëqeshjet pa doganë që shoqërojnë duarshtrëngimet e sikletshme të sotshme, mund të diskutohet dhe sinjali që Syriza i jep Kishës greke se statusi i saj nuk ka për të ndryshuar, pavarësisht se është tërësisht i padrejtë, por nuk mund të diskutohet dot mbi dëshirën për të folur dhe për të takuar çdokënd që është pjesë e shoqërisë. Sot nuk është më koha e dogmës.

Stavri

Syriza, PASOK-u i ri