21 Janari i harruar

21

Dinamika e ngjarjeve pas vrasjeve shtetërore të 21 Janarit dihet. Është parë, dëgjuar dhe përsëritet çdo herë në shtyp, sa herë që flitet për atë ditë dhe në ato media që bëjnë detyrën qytetare që të kujtojnë atë që politika po harron, gjykata nuk e ka çuar nëpër mendje dhe padrejtësia po krenohet. Vrasësi ose vrasësit ishin brenda godinës së Qeverisë. Mundësia për të zbuluar në kohë kush ishte vrasësi u venitën proporcionalisht me përpjekjet, dhunën, intimidimin e Sali Berishës dhe grupit të tij të ngushtë ndaj kujtdo që donte ose kishte për detyrë të zbulonte të vërtetën. Politikisht, presioni mbi Sali Berishën mund të mbahej i fortë nëse do të bëhej thirrje nga drejtuesit e protestës për një protestë të dytë menjëherë të nesërmen. Historia do e tregojë nëse zgjidhja që u bë ishte më e mira për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri. Megjithatë,  5 vjet pas 21 Janarit, tashmë ajo ngjarje po bëhet pjesë e historisë, pikërisht sepse nuk u përkthye politikisht dhe u mohua gjyqësisht. Meskiniteti i Sali Berishës dhe mbështetësve të tij (që nuk e kanë problem të hidhen në krahun tjetër për çështje oportuniteti) shkoi deri aty sa të hidhte hije dyshimi mbi vrasjet, duke thënë se protestuesit u vranë me njeri-tjetrin. Të vrarë dhe të poshtëruar, pa drejtësi, populli megjithatë besoi në demokraci dhe votoi për ta shporrur atë vrasës dhe falimentues të shtetit, por mbi të gjitha për të sjellë drejtësi.

Dhe drejtësia ka vetëm një rrugë: atë që tregon sesi arrestohet Sali Berisha dhe çdo vrasës tjetër që abuzon me forcën e pushtetit publik për të mbajtur pushtetin. Mirëpo sot, 5 vjet pas 21 Janarit, simbolikisht jemi shumë larg, politikisht vullneti mungon dhe ligjërisht, s’jemi asgjëkundi.

Simbolikisht, qendrimi i Shumicës në Kuvend ndaj Sali Berishës nuk është i duhuri. Taktika sipas të cilës t’i tregohet popullit se çfarë të marri ka patur për Kryeministër ishte e mirë dhe e frytshme për aq sa duhet të zgjaste. Populli  e di sa i marrë është ai. Provat janë të panumërta të marrisë së tij, po marria e tij nuk duhet folklorizuar, sepse kjo e ndihmon të faktorizohet. Qendrimi i duhur simbolik ndaj tij është që të trajtohet si një i dyshuar për vrasje, me të cilin nuk të lidhin më fatet e kombit, por përbuzja dhe ndjenja e drejtësisë së munguar.

Politikisht, perceptimi është se ajo ngjarje po kthehet në një bezdi për Shumicën dhe për të gjithë ata që 21 Janarin e mbajtën si një simbol të padrejtësisë, simbol që do të binte menjëherë pasi të bëhej ndryshimi i madh. Në këtë kuadër, termi “rotacion” nuk para u pëlqye, pikërisht se me këtë term, nuk vihej në dukje ndryshimi radikal me qeverisjen e mëparshme ku triumfonte pandëshkueshmëria. Faktet po tregojnë se 5 vjet më vonë, me një reformë në drejtësi ende në mes të udhës, termi rotacion mund të jetë ai që jep më mirë idenë e ndryshimit të pushteteve. Lojërat e LSI-së me tryeza konsensuale, të mbështetura  nga Presidenti, i cili, konsensusin e vetëm që ka gjetur është te mendimi që ka populli i vet për mediokritetin e tij, janë të rrezikshme sepse synojnë ta bëjnë reformën e drejtësisë sofrën ku të ulen dhe të hanë ata që duhet të shkojnë në burg. Është shumë e vështirë të pranohet ideja se reforma do të votohet nga ata që vranë, por ama është e pacipë ideja se nëse nuk ka konsensus, reforma nuk shkon dot as në referendum. Jo! Kush pengon dërgimin e reformës në referendum, nëse nuk do të votohet në Kuvend, është përfaqësues i kriminelëve të padënuar të 21 Janarit dhe antidemokratik. Gjithmonë nëse reforma do të çonte në riçeljen e hetimit për 21 Janarin dhe dënimin e vrasësit të vërtetë. Dhe kjo është një betejë ende e pafilluar.

Betejë e pafilluar sepse, edhe sikur ta marrim të mirëqënë se kjo reformë do të kalojë, nuk kemi asnjë siguri se 21 Janari do të gjykohet denjësisht. Procedurë pas procedure, institucion pas institucioni, kontroll pas kontrolli, nuk duhet të harrojmë se gjasat janë që gjykuesit e të tashmes do të gravitojnë rreth sistemit të ri, duke hedhur hije dyshimi në realizimin efektiv dhe të shpejtë të drejtësisë në Shqipëri. Kjo komplikohet akoma më shumë nëse kemi parasysh se 21 Janari është një çështje thellësisht politike.

Shkop magjik për të ndryshuar gjërat nuk ka. Ashtu sikundër edhe tërmetet nuk parashikohen. Reforma në Drejtësi parashikohet të jetë një tërmet në sistemin e drejtësisë, por midis një magjie dhe një parashikimi të paparashikueshëm, e kemi të vështirë të gjejmë të vërtetën dhe besimin se 21 Janari, një ditë, nuk do të jetë më dita kur padrejtësia triumfoi sërish në Shqipëri. Të paktën, deri atëherë, kemi për detyrë të mos harrojmë.

Gjeneral Megafoni

21 Janari i harruar