Amerikanizmi dhe internacionalizmi proletar

E njëjta retorikë mbahej nga Enveri për mirënjohjen në jetë të jetëve, në emër të internacionalizmit proletar të ndihmës që dërgonte Bashkimi Sovjetik. Derisa një ditë të bukur, u zbulua në fakt që ndihma ishte sa për të maskuar atë që ishte në të vërtetë: nënshtrimi ndaj social-imperializmit rus. E njëjta situatë u paraqit dhe me kinezët, derisa gjetëm si zgjidhje të vetme përparimin dhe begatinë me forcat tona.
Kjo luhatje e përjetshme për të gjetur një vëlla të madh për të na përkrahur krijoi përshtypjen se në fund të fundit nuk ua kemi thelbësisht nevojën pasi “jemi ne, pa janë ata”. Deri në castin ku u duk qartë se ata ishin jo vetëm të pranishëm por dhe të domosdoshëm dhe kryeneçësia jonë vetëm sa dëmtoi krenarinë tonë kombëtare kur revolucionet demokratike nxorën në pah një shoqëri të përgatitur por të çarmatosur kulturalisht dhe e gatshme të bojkotonte identitetin për më shumë mirëqënie.

Dhe tani sërish jemi në kërkim të një vëllai të madh që të na mbrojë dhë të kujdeset për ne. Një vëlla të madh që të na thotë se ç’duhet të bëjmë, një vëlla të madh që ta kemi në krah dhe të na mbrojë, një vëlla të madh që pjesën e parë të ndeshjes ta shohë me njërin dhe pjesën e dytë me tjetrin, pra në njëfarë mënyre të menaxhojë dhe hatërmbetjet e njërit apo tjetrit. Situata komplikohet akoma më shumë me ndërhyrjen ushtarake për të çliruar pjesën e kombit të lënë jashtë kufijve shtetërorë për shkak të babëzisë së fqinjëve dhe tolerancës së aleatëve të tyre evropianë.

Kompleksi ynë i inferioritetit na shtyn të shikojmë me admirim pasional vendosmërinë amerikane në Kosovë. Dhe askush besoj, nuk do të ngrejë pikëpyetje mbi dobishmërinë e veprimit politiko-ushtarak që më në fund tentoi të ndreqte padrejtësitë historike që i janë bërë kombit tonë.

 

Po a mjafton ky fakt për të qënë përjetësisht puthadorë? Sepse nuk bëhet fjalë për mirënjohje dhe qëndrim konstruktiv ndaj një aleati të madh por për servilizëm cinik që na shërbehet si qëndrim përparimtar pro-amerikan. Kush guxoi të kritikonte qëndrimin e ambasadorit amerikan u quajt në mos terrorist, të paktën njeri i rrezikshëm që bashkëpunon në forma të errëta dhe me financime okulte me ata që janë varrmihësit e amerikanizimit në botë. Me pak fjalë insinuata të hedhura në qarkullim kot, që nuk mbajnë aspak era mendim i thelluar, pur puthadorësi dhe dëshirë për të margjinalizuar kundërshtarin duke e sulmuar në pikën e dobët ku populli shqiptar nuk të fal: në ndjesinë amerikane (sikundër njëherë e një kohë në ndjesinë internacionaliste prapa së cilës qëndron respekti i pakushtëzuar për vëllezërit e tjerë të mëdhenj…).

Por kjo mënyrë e të konceptuarit të gjërave mund t’a bëjë vetëm ai që qysh me tundimin e parë do t’i luhaten bindjet e tij nga pro-amerikane në pro diçka tjetër. Këta agjitatorë ndërgjegjësh anojnë andej nga tundet portofoli. Amerikanizmi i tyre është sovjetizmi i njerëzve të sërës së tyre njëherë e një kohë ose osmanizmi i Esatistave të viteve të para të Shqipërisë së pavarur.
Ne nuk e konceptojmë amerikanizmin si nënshtrim. E konceptojmë më shumë si frymën e lirisë së mendimit, të kundërshtimit ndaj fenomeneve që na shqetësojnë dhe vënien në diskutim të qëndrimeve që bien ndesh me parimet tona, parimet që duhet të tentojnë në krijimin e një identiteti shqiptar më shumë se sa të një identiteti pro ose kundër diçkaje. E konceptojmë amerikanizmin si mënyrë për të kritikuar SHBA-të nëse argumentat që kemi janë të qëndrueshëm ashtu sikundër e konceptojmë si mënyrë për të përkrahur SHBA-të në ato çështje që mendojmë se duhen mbrojtur. Por kjo kërkon një identitet tonin si komb dhe si intelektual: i pari është në formim, i dyti është në shitje…
                                                                                                                                                             Stavri

Amerikanizmi dhe internacionalizmi proletar