Apologjia e vërtetë e Bashës

sharraLuli nuk është i pavendosur, por është në pozicion politik jo të volitshëm. Po mundohet edhe të mos thotë të vertetën edhe të mos gënjejë.
Është e vështirë të thuash që je kundër një sistemi të ri drejtësie. Është e vështirë të thuash që e gjithë partia, me në krye liderin historik të saj, është muri  i fundit mbrojtës i status-quo-së së gjyqësorit. Është e vështirë t’u thuash shqiptarëve që drejtësia sot nuk duhet të ndryshojë.
Por nga ana tjetër është e pamundur t’i gënjesh shqiptarët sot, e t’u thuash që PD është pro reformës në drejtësi. Është qesharake në kulm t’i gënjesh shqiptarët me përrallën që flet për lidershipin e PD-së të patrembur nga reforma në drejtësi dhe të parrezikuar penalisht nga një drejtësi e drejtë.

Luli nuk është i pavendosur, por Luli është në një pozicion matematik të pavolitshëm. Po mundohet edhe të mos humbasë në zgjedhjet e ardhshme por edhe të futet në zgjedhje.
Është e vështirë që PD-ja të mos i humbasë thellë zgjedhjet. Nuk ka rëndësi kush fiton, Luli e di që PD-ja e humb garën në kutitë e votimit. Është e vështirë t’u thuash militantëve që zgjedhjet i ke të humbura edhe pse ata vet e dinë.
Por është akoma më e vështirë të mos i humbësh zgjedhjet po hyre në garën e 18 qershorit, i pandryshuar, i pareformuar, i njëjtë si në 2013-ën. Është e pamundur, pas 40 ditësh, t’u thuash 300 spartanëve me stafetë, të dalin nga çadra për të hyrë në zgjedhje, për t’i humbur paevitueshmërisht ato me një verdikt popullor shembullor.

Dhe e fundit, Luli nuk është i pavendosur, por është në pozicion psikologjik të pavolitshëm. Është në trysni psikologjike të vazhdueshme. Po mundohet të shfaqet edhe si lider i ri, që i respekton regullat e lojës së demokracisë, edhe si lider stoik që ka në dorë fatet e Partise Demokratike.
Është e vështirë të hiqesh si lider i ri i demokratëve dhe si i moderuar kur as partitë popullore europiane nuk të përkrahin në nismën me çadër.
Por nga ana tjetër është e pamundur të tregosh stoicizëm kur gjasat janë që PD-ja të ketë marrë përmasat e partisë së tretë në vend, pas LSI-së.

Të gjitha paqartësitë tona do e marrin një përgjigje në datën 18 qershor. Ditën pas zgjedhjeve çdo gjë do të jetë e qartë. Por kjo qartësi, liderit të opozitës i duhet para zgjedhjeve. Që të mos e penalizojë edhe më shumë Partinë Demokratike, Lulit, qartësia i nevojitet tani, 3 muaj para zgjedhjeve, që të paktën të mos duket i pavendosur. As mish as peshk. Ashtu siç nuk është.

Duke ndjekur politikën e tij të veçantë me dy tehe, që i shan të gjitha sistemet pa ditur cilin sistem të zgjedhë, dhe pa u pozicionuar me asnjërën pale; pra as me perëndimin as kundër perëndimit, as me Ilirin as kundër Ilirit, as me drejtësinë as kundër drejtësisë, as me shqiptarët as kundër shqiptarëve (flirtimet me Gruevskin dhe Rusinë), është kthyer në tellall të paqartësisë së vet.

Pra Luli nuk është i pavendosur por është në një pozitë të vështirë. Mendojeni  për një çast – askush nuk do të donte të ishte në pozicionin e tij.

Onufri

Apologjia e vërtetë e Bashës