Asgjë e re

Sepse nuk është thjeshtë çështje etike, çështje korrupsioni, çimke, videosh të manipuluara, është më shumë se kaq. Është çështje për jetë a vdekje për një shoqëri që duket se ka kapitulluar përpara këtyre fenomeneve. Ato pamje nuk përbënin asgjë të re që shqiptarët nuk dinë dhe, ç’është më e keqja, praktikojnë. Sa herë kemi dëgjuar, madje dhe rekomanduar të shkohet te filani se të ndihmon, ose t’i thuhet fistekut se ai t’a zgjidhë, ose t’i jepet lekë se të mbaron punë shpejt, ose të pushohesh nga puna për arsye se vendi yt duhet të zihet nga më besnikë se ty në punë partish? Të  gjithë i dimë, të gjithë i kemi bërë, të gjithë i kemi pësuar dhe të gjithë i pranojmë. Prandaj dhe dalja patetike dhe e denjë për një komedi burleske pashije e ventrilokistëve të LSI-së menjëherë pas transmetimit të pamjeve, në fakt bëhet për të mbrojtur këto praktika me të cilat jo vetëm ata por fatkeqësisht edhe populli mbijeton.
Frenezia me të cilën populli shqiptar kërkon të ecë përpara ka gjetur aleatin më të mirë në korrupsionin e gjithanshëm që ka kapluar shoqërinë tonë. Gjyqtarë, biznesmenë me të kaluar kriminale, pushtetarë, të gjithë janë përfshirë në këtë çështje por megjithatë, të gjithë do të vijojnë heshtjen sepse të gjithë gjejnë përfitimin në atë katrahurë: gjyqtari merr përqindjen, biznesmeni me fondet publike të vjedhura para disa vitesh fiton një investim në një fushë që nuk e njeh, dhe për më tepër strategjike, dhe pushtetarët që sigurojnë fitimin e tanishëm dhe fitimin e ardhshëm në rast se rrëzohet pushteti i tyre. Dhe të gjithë janë të lumtur dhe ne në verbërinë tonë gjithashtu.
Sepse nëse nuk rrjedh do të pikojë dhe me këtë mekanizëm gjejmë lumturinë tonë personale duke harruar të mirën e përbashkët publike. Por me sa duket nuk duhet t’a kërkojmë te vetja këtë merak për publiken, sepse nuk e kemi dhe nuk kemi për t’a patur për aq sa shembulli që na pikon nga lart është i qartë si filmimi i djeshëm: në Shqipëri nuk ka punë publike ka vetëm çështje private nga ku mund të ketë dhe ndonjë përfitim publik. Cvajgu thoshte se punët e mëdha dhe të dobishme i bashkojnë njerëzit. Ilir Meta, filozof i të majtës së re do ta korrigjonte pak këtë shprehje: punët personale me shumë përfitim mund të bashkojnë njerëzit, po kjo s’ka rëndësi, rëndësi ka që ato të rezultojnë të mëdha dhe të dobishme për disa. 

Më shumë nuk kemi ç’themi. I kemi thënë të gjitha në lidhje me përparimin ekonomik të mrekullueshëm shqiptar dhe për hipokrizinë e duarve të pastra. Madje shumë do të thuhen dhe nga analistë të shitur ose jo. Faktet janë kokëfortë dhe po të kishin gojë do të shpreheshin se “materialin jua dhamë, mjetet gjithashtu, tanimë ju takon atyre që kanë arsye, dëshirë dhe vullnet që të transformojnë këtë mehjane të qelbur në një ambjent ku mund të jetojnë, punojnë, argëtojnë dhe të emancipohen të gjithë dhe jo vetëm aparatçikët e euros badiava…”
 
                                                                                                                                                               Stavri