Bulevardi dhe Trekëndëshi i Nënshtrimit

Ai është bulevardi i dëshmorëve të kombit dhe dëshmorëve të shtetit, dëshmorëve të lirisë dhe atyre të demokracisë, dëshmorëve të qeverive dhe të ministrive, dëshmorëve që shpallen kriminelë dhe kriminelëve që shpallen dëshmorë. Ai është bulevardi i viktimave të 15 Marsit dhe të 21 Janarit, edhe i atyre që vdiqën në Gërdec edhe i atyre që vdiqën në Bulevard, dhe për të mos e harruar se është edhe bulevardi i atyre që vdesin vazhdimisht në Bulqizë. Çuditërisht këtë vit i gjithë bulevardi me gjithë dëshmorët festojnë. Të vdekur e të gjallë së bashku gëzojnë madhështinë e festës nën madhështinë e dritave. Të vdekurit gëzojnë për të gjallët, e të gjallët gëzojnë edhe për të vdekurit edhe për veten.

Sepse bulevardi është pastruar, ska me gurë as drurë, as djegje e as thyerje, as britma as krisma, nuk ka me gjak e as urrejtje. U zhduken te gjitha me një të rënë të dorës.Se është viti i ri e këto gjëra sduhet të kujtohen, këto gjëra duhet të  harrohen përndryshe gjithë viti ecën ters…Se është festë dhe, në raste festash, nuk mbahet mëri por shpresohet për një vit më të mirë. Për festa nxitohet të kapet çdo çast e të gëzohet në maksimum ai, çdo moment sado i shkurtër të jetë s’duhet lënë të shkojë pa gëzuar, prandaj nuk ka kohë për të kujtuar të kaluarën. Fundja ç’rëndësi ka e kaluara kur ne jetojmë më shumë për të ardhmen thonë disa. Për  e ri Shqiptarët magjishëm bien brënda këtij trekendeshi me ekstremitete nënshtruese.

Harrojnë politikanët se cfarë premtimesh i bënë popullit vitin që shkoi dhe harron populli se cfarë premtimesh mori nga politikanët vitin e shkuar. Harron populli të vrarët, harron pozita kushi-në, harron opozita pse-në. Harrohet sa minator vdiqën këtë vit në Bulqizë, harrohet sa Shqiptarë vdiqën në Tiranë, sa vdiqën nëpër aksidente rrugore, sesa u vranë nga vetja e sa u vranë nga tjerët? Për fundvit llogariten thjesht si statistika dhe harrohet se janë njerez. Rezulton një bilanc lufte dhe harrohet se nuk jemi në luftë!

Shpresojnë Shqiptarët: Për nje jetë ata që se kanë e për një jetë më të mirë për ata që e kanë,për një punë për ata që këte vit se patën e për një punë më të mirë për ata që e paten, për pak para për ata që këtë vit nuk kishin e për më shumë para për ata që kishin. Shpresojnë tetra-paraplegjikët ,të vonuarit, të sëmurët mendorë, të paaftët për punë per pak mëshirë  nga përbindëshi social, shpreson nga ana tjetër përbindëshi që këto parazit të zhduken me gjith rrënjë. (Ska faj këto kategori njerëzish nuk bëjn asgjë përveçse ushqehen me trupin e bollshëm shtetëror )

Gëzojnë kriminelët për krimet që nuk u zbardhën këtë vit, luten që të mos hetohen e shpresojnë për krime të tjera.  Gëzojnë hajdutët për parat që vodhën, luten të mos zbulohen e shpresojnë t’i shijojnë. Gëzojnë mashtruesit për mashtrimin që bënë, luten të mos demaskohen dhe shpresojnë që viti tjetër të jetë viti i një mashtrimi më të madh. Gëzojnë gjakpirësit për gjakun e popullit, luten që ai të mos i kuptojë plagët dhe shpresojnë që viti tjetër t’ju sjellë edhe më shumë gjak. Gëzojnë maskarenjtë për masakrat që benë, luten të mos u hiqet maska e shpresojnë se do te ketë masakra të tjera.

Ky trekëndësh me ekstremitete nënshtruese lidhet me kuptimin e bulevardit si ajo hapësira ku ekstremitetet e gjerësisë përfundojnë me institucionet më të rëndësishme të vendit. Po ta fillojme nga sheshi, kemi Bashkinë e Tiranës dhe Përmirësimit Progresiv të Jetës së Shqiptarëve, Ministrinë e Ekonomisë Korrupsionit dhe Errësirës, Ministrinë e Bujqësisë Urisë dhe Helmimit të Konsumatorit,Ministrinë e Mbrojtjes dhe Dhunimit të Qytetarit, Ministrinë e Punëve Private dhe Transportit për në Varreza,Presidencën e Horrave të Bulevardit dhe Kryeministrinë e Vendit dhe e Nënvendit.

Nga sheshi te sheshi,nga Skënderbeu te Nënë Tereza, kaq është shteti. Ai shtet,i cili gjatë gjithë vitit i bën të gjitha të këqijat e mundshme popullit dhe në natën e fundit të vitit, nën zbukurimet madhështore të dritave,me fishekzjarret miliona lekësh, me muzikën dehëse për shpirtrat e varfër,ashtu siç manipulohet nje zemër çupëline, i propozon popullit për vazhdimin e një marrëdhënie të re dhune,vuajtjesh dhe nënshtrimesh. Ata bien dakord t’ja falin gjithçka njëri-tjetrit dhe të vazhdojnë po ashtu siç kanë kaluar deri më sot. Shteti dhunon, populli harron të kujtojë;shteti vret,populli shpreson se mund të ndalojë; shteti feston, populli nuk nguron të gëzojë.

Format moderne shtetërore të përdorura për nënshtrim, përgjithësisht të njohura, janë manipulimi i të dhënave, fshehja e problematikave, përgënjeshtrimi dhe gënjeshtrimi i statistikave, mënjanimi i çështjeve përmes krijimit të ngjarjeve dhe problemeve artificiale etj. Nqs të gjitha këto dështojnë hyjnë në lojë disa menyra më burrërore të nënshtrimit siç është dhuna me të gjitha kuptimet që mund të ketë: frika në forma nga më të larmishmet dhe ushtrimi i terrorit masiv,për hir të së vërtetës rrallëherë i zbatueshëm.

Bulevardi (Shteti), pasi i ezauron të gjitha rrugët dhe format që sjellin nënshtrim, si për një ëmbëlsirë ne fund të darkës, përdor edhe kopjen e fundit të fytyrës, e cila përpiqet të fshehë shëmtinë e një monstre të vjetër për këtë vit të ri. Fytyra e re, fryma e re, dhunë e re,vjedhje e re, mashtrim i ri,  manipulim i ri, krime të reja, të gjitha për këtë vit të ri. Kjo është ajo që ndodh, gjithçka e vjetër rinohet vetëm me një “re”, “ri”, “reja”. Prandaj mënyrat e shtypjes priten që të jenë edhe ato të reja dhe kjo pashmangshmërisht ndihmohet më shumë kur shteti padashur bashkëpunon me ekstremitetet e harrimit të së kaluarës, shpresës së të ardhmes dhe gëzimit të së tashmes.

Alban Pira

 

 

Bulevardi dhe Trekëndëshi i Nënshtrimit

Sinjalet që erdhën nga Hungaria

Dhe nëse do të jetë kështu, shtrojmë pyetjen se si ka mundësi që këto ndryshimet që shkatërrojnë themelet e një shteti nuk u bëjnë më përshtypje njerëzve?  Sot, dykëmbëshit, i shohin çështjet e demokracisë si gjëra që nuk u përkasin më, ose që u kanë sjellë kokëçarje me vite të tëra, të ardhura nga disa burokratë nga Brukseli që vënë kushte dhe vetëm kushte. Dhe kur kushtet formalisht përmbushen është tepër vonë për popullin që të ketë ndonjë fije interesi apo mirëkuptimi ndaj një sistemi jo të efektshëm, burokratik dhe që u qetëson dhimbjet që vijnë nga kriza vetëm duke u parashtruar masa të tjera të dhimbshme “antikrizë”.

Plogështinë e masave e kanë kuptuar dhe qeveritë perëndimore, të cilat edhe pse po kundërshtojnë me deklarata zyrtare ngjarjet në Hungari, po shikojnë me shumë interes eksperimentin që po zhvillohet atje, ndoshta, kush e di, që në një të ardhme të afërt të zbatohet dhe në vendet e tyre.  Si zgjidhje politike ndaj krizave, qeveritë liberale ofrojnë më pak demokraci me synimin që të kenë më shumë siguri.  A është kjo zgjidhja?  Deri dje na kanë mësuar që jo.  Frika është se mos kanë filluar ta konceptojnë demokracinë jo si qëllim në vetvete por si një mjet që lëkundet në përputhje me konjukturat dhe si rrjedhim, kemi përshtypjen se duan të na mësojnë që po, ajo mund të jetë zgjidhja.

Natyrisht që këto sinjale nuk kanë rënë në vesh të shurdhër as në Shqipëri.  Projektligjet për amendimin e ligjeve për sekretin shtetëror, prokurimin publik dhe për statsistikat zyrtare, me anë të të cilave organet mbikqyrëse që parashikohen me këto ligje do të vihen nën strehën direkte të Kryeministrit.  Pas tentativës së dështuar për të marrë SHISH-in, Kryeministri la ca kohë të kalonin dhe përfitoi nga vala regresiste e Kryeminsitrit hungarez për t’u bërë një peshqesh antidemokratik shqiptarëve.   Kjo që po ndodh hyn te anomalitë e frikshme të funksionimit absurd të një demokracie që rrokulliset në të tatëpjetë dhe ende nuk po shohim shqetësimin nga pjesa e ndriçuar e kombit (nëse ka dhënë ndonjëherë shenjë jete) e për më tepër as nga ndërkombëtarët.  Këtyre të fundit le t’u japim dhe pak kohë dhe më pas bëjmë bilancin shëndetësor të demokracisë shqiptare, që ka gjasa të jetë i rëndë.

Viroi

Sinjalet që erdhën nga Hungaria

Kokëfortësia e fakteve të javës së parë

Po nga duhet t’ia fillojmë? Nga politika natyrisht, e nga çfarë tjetër, jemi apo jo shqiptarë?! E nga politika kë mendoni se duhet të zgjedhim si ngjarjen apo protagonistin e parë? Po Kryeministrin, ou më falni, Berishën, e kë tjetër – tek e fundit Rama mesazhe në Twitter  ka shkruar.

Berisha e filloi fuqishëm, energjik si gjithmonë, javën e parë të vitit; e filloi me arritjet në grumbullimin e të ardhurave nga sektorët e tatimeve dhe doganave, dhe tek e fundit tek rritja mahnitëse e ekonomisë shqiptare, e kështu befas na bëri të lumtur siç shkruan në Twitter Rama. E më tej, me vrap prezantoi një projektligj për varësinë e sekreteve shtetërore direkt në varësinë e tij, tek e fundit një sekret nuk është më sekret nëse e dinë edhe servilët e Këshillit të Ministrave, megjithëse disa analistë në rastin më të mirë e konsiderojnë enigmatike këtë lëvizje të Berishës, të tjerë të fusin frikën, ndërsa Artan Hoxha na jep qetësi shpirtërore: ëndrrat që shohim natën, Berisha nuk do i marrë vesh. Ai pastaj, Berisha pra, jo Artani (mos u hutoni), fluturoi në Paris (gojët e liga thonë që nuk është e vërtetë që e ftoi direkt Sarkozy), me aeroplan natyrisht, se Ai asnjëherë nuk ka pretenduar të fluturojë, Ai notin dhe ngjitjen në male ka për zemër; fluturak janë të tjerë si, Eduard Selami, Spartak Ngjela, e të tjerë e të tjerë, apo dhe Bamiri së fundmi. Ai mori pjesë në seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”. Por çfarë tha Berisha në Paris? Tha se kriza përballohet me reforma të thella. Uaaaauuuuu. Tha që korrupsioni është një e keqe e madhe “Dy fjalë tani për korrupsionin. Sipas mendimit tim, përfundimisht  është  mater-matrix e të gjitha të këqijave të një vendi të lirë.  Prandaj luftimi i tij në mënyrë të përhershme  është kushti  “sine qua non” për konsolidimin e të drejtave të njeriut,  sepse nuk ka asnjë faktor tjetër që i prek të drejtat e njeriut në një shoqëri të lirë përveçse korrupsioni.” Uaauuuuu 2.

Tjetër, na tha që Shqipëria nga blu do bëhet e gjelbër “Vendi im ka shumë pak tokë bujqësore, për momentin ka 1800 m2 për frymë, më e ulëta në Evropë, por potenciali është shumë i madh nëse zbatojmë pyllëzimin nëpërmjet drurëve frutorë”. O Zot (ta dish që nuk bën vetëm ti mrekullira) si ka mundësi që kjo të jetë e mundur, pasi u shkretuan pyjet, pasi u betonizuan përbindshëm toka bujqësore, pasi lumenjtë gërryen shtretërit e tyre? Apo mos vallë kjo ka qenë dëshira që Berisha i ka pëshpëritur në vesh babagjyshit të vitit të ri? Shqipëria e gjelbër! Uauuuu 3. Po kur?! Nesër jo një herë, madje as vitin tjetër… Ai, tha edhe një gjë fare të madhe, po të madhe fare ama, tha që jo vetëm Shqipëria, por e gjitha bota ka mundësi të bëhet e gjelbër. Tek e fundit, Ai kot nuk ishte thirrur… ishte thirrur për t’i dhënë mend botës, edhe me Kinën përfshirë brenda. E sërish, e sërish, foli edhe për Shqipërinë si superfuqi të vogël energjetike – një herë midis miqsh dëgjova për gallatë emërtimin e një biznesi si “super-mini-market”. Ai di, ai di shumë, ai bën edhe gallatë! Katërqind e dyzet e tre hidrocentrale mund të ndërtohen në Shqipëri, tha Ai ndër të tjera, mu në Paris. Gjykoni vetë paragrafin e mëposhtëm të Berishës, unë nuk mundem: “…unë mbetem optimist. Jam thellësisht i bindur se të gjitha këto arritje dhe sidomos arritjet që ka bërë Kina janë veçanërisht për sa i takon kërkimit. Dhe kjo është një gjë e mirë. Kina ka kaluar në krye sa i përket kërkimit dhe kjo është në interes të të gjithë njerëzimit. Ku ndodhet fuqia? Fuqia ndodhet tek liria. Unë besoj ende se bota është njëpolare. Modeli i vjetër duhet të reformohet, por edhe duhet të ndiqet, nuk duhet kundërshtuar. Modeli i vjetër ka fytyrën njerëzore dhe fytyra njerëzore është vitale. Ai është më tepër se disa ekzagjerime, fatura të shtrenjta dhe disa reforma, por nuk është kurrë për tu kundërshtuar”

Berisha, ndër të tjera, na tha që paska ndjekur modelin e Reganit në gjithë vitet e pushtetit të tij. Regani ka qenë edhe aktor më duket! Berisha nuk harroi të përmendte edhe Shqipërinë dixhitale, dhe këtu paska ndjekur shembullin e Kosta-Rikës, unë këtë nuk e dija.

***

Njeriu i viti në Shqipëri u shpall Albin Kurti, Kreshnik Spahiu në Maqedoni. Po në Kosovë, mos vallë është Berisha njeriu i vitit? E pse jo, ata e duan atë, ai i “do” ata. Ej dreqin, por pse për njeriun e vitit u dashka parë disi larg? Ndoshta ngaqë këta që kemi afër mbajnë erë, erë të keqe natyrisht!

***

Për koincidencë, apo jo, fiks pas një viti në tryezën tonë vjen sërish Meta. Çështje ordinere e quan ai, ou më falni se me “ai” nënkuptoj vetëm Berishën, pra korrigjohem: Meta tha që ky gjyqi ndaj tij është çështje ordinere. Po pra, qenkemi në një mendje, si rrallëherë, se unë nuk para pajtohem me zotin Meta, por jo kësaj here ai, shiko prapë më shpëtoi, më falni dhe një herë, unë dhe Meta jemi në një mendje: çështje ordinere. Ore mos befas kaluam nga politika tek drejtësia, apo mos këto janë të lidhura?  “Jo mo çne”, pushtetet janë të ndara. Ehhhh, drejtësia, duhen reforma, po reforma të thella ama, jo dosido, tamam si ato reformat e thella që tha Ai në Paris. Dritan Prifti do publikojë video të re, dhe ka kohë që e thotë një gjë të tillë; kureshtarë jemi të gjithë, edhe vetë Meta ma ha mendja, por dhe durimi po na soset: nxirri pra, çfarë pret?! Tek e fundit është janar, është kohë e përshtatshme. Prokuroria kërkon dy vjet burg për Metën dhe një milion lekë gjobë. Analistët opozitarë e quajnë sukses faktin që, më në fund, një prokurori shqiptare arriti të japi një pretencë ndaj një politikani të lartë, se sa për vendimin e gjykatës së “lartë” dihet që… ou më falni nuk shprehem se, Artan Hoxha na sugjeron të mos paragjykojmë gjykatën. Ore po pse, pak ju duket dhënia e pretencës ndaj një politikani të lartë? Kënaquni me kaq, hë për hë, dhe hë për nesër. Ndërsa mua më vjen për të vjellë! Spartak Braho (avokati i Metës) tha që prokuroria u tregua e paaftë. Ej bela, po pse edhe me këtë do më duhet të bie dakord! Po pra po Braho, e paaftë u tregua prokuroria që nuk arriti të zbardhte bllokun e zi të Metës. Mossssss dreqin, mu kujtua Mediu. E pse  u dashka harruar tek e fundit? Jo mo jo, unë nuk e harroj, nuk dua ta harroj, ja kam caktuar detyrë vetës që nuk do harroj që, Mediu shpëtoi në mënyrë të pamoralshme nga gjykimi. Epo ka edhe peshq të mëdhenj rreth e rrotull, apo peshkaqenë, siç do e meritonin më mirë. Peshkaqenë të lyer në gjak!

***

Lubonja tha që nuk është patriot, dhe shumë njerëz e keqkuptuan idenë e tij rreth vlerave njerëzore, dhe pikë së pari të qenit i ndershëm dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ndërsa, Çilin dhe Islamin nuk i kam hasur këtë javë, nuk e di ç’kanë thënë e ç’kanë bërë. Opinionistë të tjerë vazhdojnë të shkruajnë rrjedhshëm.

***

Po mirë hajt të kapim një fushë tjetër nga java e parë e vitit. Ekonomia për shembull, Instat, edhe në përputhje më vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, publikon që në muajt e fundit ka rënë konsumi, gjë e cila është një tregues shqetësues për ekonominë, por që Berisha ende nuk e di; të shpresojmë që tani që Instat do raportojë direkt tek Ai, këto sekrete ti mbajë brenda ngërdheshjes së tij, se për ndryshe, po foli keq edhe Ai, vendi futet në panik. Gjithashtu, vazhdon dhënia me koncesion e hidrocentraleve. Vazhdon rritja e çmimit të karburanteve. Epo normale, nuk ka rritje ekonomike pa rritje çmimesh. Pas suksesit të arritur nga deklarimi i rregullt i thërrimeve të përfituara nga politikanët e lartë, do jenë edhe qytetarët e thjeshtë që do duhet të deklarojnë të ardhurat. Mirë, shumë mirë, le të luftohet informaliteti dhe evazioni edhe në popull, tek e fundit populli është shumica, shumica e varfër.

***

Nga fusha sociale, Bashkia e Tiranës pushon nga puna 70 punonjës të ndërmarrjes funerale. Dhe këtu shumë interesant togfjalëshi “mbivendosje funksionesh” që u shqiptua nga zyrtarë të bashkisë. Këtë se kisha dëgjuar ndonjëherë për punonjës të thjeshtë gjelbërimi për shembull. Si ta përfytyroj këtë? Për shembull, dy punonjëse pastronin të njëjtin metër katror, apo njëra pastronte e tjera e bënte pis, apo, apo…? Në spitalet e rretheve kanë humbur jetën njerëz në rrethana të dyshimta, madje në një rast tragjik vdes nëna lehonë dhe prokuroria ka hapur hetim për këtë çështje, sepse ka akuza që “mjekët” kanë kërkuar lekë për të ushtruar humanizmin e tyre…Po këtu nuk ka ndonjë gjë të re, apo jo? Edhe krime ka pasur, të vdekur gjithashtu, të rinj që zihen me thika, grabitje, disa edhe nga vajza adoleshente. Po aksidente rrugore? Sa të duash, për fat shumica pa të lënduar, por edhe me të vdekur (një rast në rrugën e kombit). Sipas statistikave të fundit rruga më e rrezikshme  është “autostrada” Tiranë-Durrës. Le të shpresojmë që, tani që hyn në fuqi kodi i ri rrugor, të shikojmë rezultate në uljen e aksidenteve. Megjithëse, përshtypja ime rreth dyfishimit të vlerës së gjobave, më tepër se rezultate në uljen e aksidenteve mund të dyfishojë ryshfetet kundrejt patrullave rrugore.

***

Nga sporti, Aleanca Kuq e Zi kërkon bashkimin e federatës Shqiptare të futbollit me atë të Kosovës. Ore, ky është sport apo politikë? Gjykoni vetë, unë nuk mundem.

***

Edhe diçka nga jeta personale, në rrugën Mahmut Allushi (rruga e teleferikut), një pusetë ka nja 6 muaj që nuk është zëvendësuar, pas vjedhjes nga ndonjë fakir-fukara. Unë nuk kam hallin tim se e di “symbyllur”, por aty kalon edhe Ai, herë pas here, kur shkon në Dajt; dhe ja i bie rrota në pusetë…do na zërë derën neve. Në rrugën e Dibrës përballë ish Shkollës së Bashkuar është gërryer (prej shumë muajsh, ju betohem) një goxha gropë, kujdes kur të kaloni andej me makinë se është vërtetë e rrezikshme. Rruga 5 maji (tregu i Medresesë) vazhdon të funksionojë prej vitesh në kaos nga ora 7 deri në orën 15, kur kaloj aty çdo mëngjes më duket sikur jam në Kinë – nëse çmendeni dhe doni të shtypni njerëz, apo t’ju shtypin makina, vizitoni rrugën 5 Maji.

***

E në përfundim, nëse të gjitha javët e vitit 2012 do jenë si java e parë, do presim retorikë nga Berisha, mesazhe Twitteri nga Rama, sistem drejtësie të paaftë, shkurtime të vendeve të punës, rritje çmimesh, aksidente rrugore, krime ordinere, …. ose mund të kemi një Shqipëri të lirë, dixhitale dhe të gjelbër! Besoni kë të doni!

Epo, takohemi javën tjetër, ose një javë tjetër.

Jani Marka

 

Kokëfortësia e fakteve të javës së parë

Debate presidenciale

Nga leximi i dispozitave më sipër del qartë se në tre votimet e para duhet të jenë prezentë në Kuvend tre të pestat e të gjithë anëtarëve, pra 84 deputetë.  Ky prag që quhet ndryshe kuorum, do të thotë se që të kryhet një votim i vlefshëm, nevojitet që të jenë të pranishëm një numër i cilësuar vendimmarrësish.  Ç’ndodh nëse ky kuorum nuk arrihet?  Pasi shpallet hapja e seancës bëhet verifikimi i të pranishmëve dhe nëse numri i kërkuar i të pranishmëve nuk përmbushet, atëherë seanca shtyhet për një çast të mëvonshëm.  Kështu, si shembull, Kushtetuta thotë se kodet miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.  Nëse kuorumi nuk plotësohet, seanca nuk zhvillohet.  Ky problem është shumë aktual nëse mendojmë vështirësitë e hasura në krijimin kuorumit prej 84 deputetësh për të votuar ndryshimet në kodet ekzistuese.

Problemi i Presidentit qëndron në faktin se pas tre votimeve të para, Kushtetuta parashikon dy votime me shumicën e të gjithë anëtarëve ose ndryshe e quajtur shumicë absolute (71 deputetë).  Ky ndryshim u lejon disave të mendojnë se nëse dështojnë tre mbledhjet e para (pra nuk bëhen 84 deputetë), nuk do të kemi shtyrje të këtyre seancave, por ato do të shpallen të vlefshme, pra Kuvendi do të mblidhet, do të kalohet në votim, nuk do të arrihet numri prej 84 deputetësh, pikërisht sepse nuk kishte 84 deputetë dhe pavarësisht kësaj, seanca do të zhvillohet pa sukses duke hapur rrugën e kalimit në seancën e radhës.  Duhet të themi paraprakisht se kjo logjikë nuk qëndron, por ama në pellgun politik shqiptar, kjo logjikë jetësohet për shkak të ndryshimeve kushtetuese që tashmë duket qartë se kanë qënë të panevojshme dhe se hapin debate që harxhojnë energji, kohë dhe hapin rrugë për allishverishe politike në dëm të shpjegimeve juridike.

Kërkesa e pranisë së 84 deputetëve në Kuvend për tre votimet e para nuk thuhet shprehimisht në Kushtetutë por nënkuptohet së pari për shkak të frymës së Kushtetutës.  Edhe pse e goditur rëndë nga ndryshimi i 2008, fryma e Kushtetutës kërkon që Presidenti të zgjidhet nga një shumicë e cilësuar, si figurë konsensuale që presupozohet të përfaqësojë popullin.  Parlamentarët, si përfaqësues të sovranit, kanë detyrimin që të paraqiten në votim për të respektuar këtë moment solemn institucional të Republikës dhe të shprehin nëpërmjet votimit pëlqimin për një kandidat të mundshëm.  Nëse prania e 84 deputetëve nuk do të ishte e nevojshme, tre seancat e para do të ktheheshin në një maskaradë, ku do të ishin të pranishëm vetëm anëtarët e shumicës, të cilët me qetësi biblike, do të prisnin ardhjen e votimit të katërt për të zgjedhur kandidatin e tyre.  Me procedurën e mëparshme, nuk ishte e nevojshme të specifikohej kuorumi në mënyrë të ndarë nga numri i votuesve për një kandidat: në të pesta raundet nevojiteshin 84 deputetë për të votuar Presidentin dhe nëse nuk votohej, kalohej në zgjedhje të parakohshme.  Pra deputetët ishin të dënuar të ishin të pranishëm në Kuvend.  Me ndryshimin kushtetues, lind dhe nevoja e ndarjes së dy koncepteve (kuorum-votim), pikërisht sepse vetëm kështu do të respektohet fryma konsensuale në zgjedhjet e Presidentit.  Me ndryshimin kushtetues, pjesëmarrja kthehet në objekt, më shumë sesa vetë votimi.

PS-ja kërkon të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për një interpretim të dispozitave në lidhje me zgjedhjen e Presidentit.  Përtej vlerësimit politik, vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese, brenda kuadrit kushtetues, është gjithmonë e shëndetshme për demokracinë dhe ka meritën e sqarimit juridik përfundimtar të çështjeve që bëhen pre e interpretimeve mjerane politike.

Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se ky debat politik që rrezikon të minojë dhe njëherë Kushtetutën, mund të kthehet në një realitet dhe nuk mund të mos lëmë pa përmendur dhe njëherë faktin se goditje të tilla nuk do të ndodhnin nëse nuk do të ndryshohej Kushtetuta në këtë pikë.  Tashmë, deputetët e Opozitës janë të detyruar të shohin si mundësi bojkotin e Kuvendit që t’ju dëgjohet zëri për një kandidat konsensual, ndërkohë që më parë, të gjithë duhet të dëgjonin këmbanën e alarmit të zgjedhjeve të parakohshme të diktuara vetëm nga Kushtetuta.

Stavri

 

Debate presidenciale

Republika e Shqiplehërisë

Ligji i plehrave është baza a ndërtimit të shoqerisë së ardhshme shqiptare,dhe vet projekti i ndërtimit të shoqërisë së pritshme është vazhdimësi e një projekti të realizuar me sukses të plotë shumë kohë më parë. Juve nuk ju kujtohet ndoshta kur një nga qeveritë mori përsipër dhe realizoi në kohë rekord një nga projektet që, për nga rallësia dhe madhështia do ta quaja pa kurrfarë stepjeje, mrekullinë e 8 të botës. Po po, dikur në një kohë jo të largët, dikush në vendin tonë ndërtoi ‘Mrekullinë e Lirisë’. Dhe kjo e fundit nuk është abstraksion, kjo ështe diçka shumë reale, është diçka që sot çdokush e ndjen dhe çdokush duhet të jetë i lumtur dhe shumë mirënjohës që jeton në të tillë realitet që për shumëkënd do dukej krejtësisht magjik.

‘Mrekullia e Lirisë’ është ky vendi që po jetojmë sot ne shqiptarët dhe liria shumëformëshe e rrok gjithë këtë hapësirën  e përditshme ku zhvillohet jeta jonë.

‘Mrekullia e Lirisë’ fillon me gëzimin e lirisë për të mos u shprehur. Për të mos u shprehur kundra pushtetarëve pa u rrahur dhe pa u kërcenuar për vdekje, për të mos u shprehur kundra padrejtësive në biznes (politikë) pa gjetur vdekjen në ndonjë aksident të mbuluar me mister, për të mos u shprehur publikisht në formën e demonstrimit qytetar, pa gjetur vdekjen nga ndonjë plumb i panjohur që vjen nga ndonjë akoma i pazbuluar. Në mrekullinë e lirisë çdokush është i lirë të votojë për atë që ja imponojnë me shumë forma dashamirësie, siç janë kërcënimi, dhuna, ndikimi, lëmoshët e partive etj.   Qytetarët e ‘Mrekullisë’ gëzojnë gjithashtu lirinë e garantuar të të organizuarit në parti dhe forume partiake si rruga më e lehtë dhe e vetme për të mbijetuar në ekonominë e lirë të tregut.

Përveç lirive politike shtetasit e ‘Mrekullisë’ gëzojnë dhe shijojnë mbi të gjitha, disa nga llojet e lirive që janë thelbësore për çdokënd. Shumica e banorëve të  ‘Mrekullisë’ gëzojnë lirinë per të vdekur në kuptimin e dhënies fund të jetës si pasojë e varfërisë dhe 100 problemeve të tjera socio-ekonomike. Gjithashtu, një ‘pakicë’ e madhe në numër, gëzon lirinë e patjetërsueshme për të vdekur gjatë punës nga mosekzistenca e kushteve minimale të sigurisë në këto ambjentë. Dhe në fund të gjithë banorët e ‘Mrekullisë’ gëzojnë në maksimum lirinë për të vdekur nëpër të gjitha rrugët e ‘Mrekullisë’ si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe kushteve të tjera minimale nëpër këto rrugë. Pra mbi bazën e garantimit te gjithë këtyre formave të lirive është ndërtuar edhe ‘Mrekullia e Lirisë’.

Pas përfundimit të këtij projekti, këta ideatorë pas një periudhe tepër  rraskapitëse, me disa sy të nxirë nga pagjumësia, të sfilitur nga puna e vazhdueshme, kanë themeluar më në fund edhe megalo-idenë për themelimin e ‘Tokës së Lumturisë’. Dhe nisma e importimit të plehrave është premisa e parë dhe dora e fundit për realizimin e një sipërmarrje të tillë. Meqënëse Europa ndodhet në një krizë të thellë ekonomike Shqipëria edhe pse në një konkurencë të ashpër dhe të vazhdueshme me Gjermaninë për të zënë vendin e parë për nga rritja ekonomike,  ka menduar ta shfrytëzojë situatën për të importuar plehra nga Europa sepse keto vende janë më të shtrënguar, më shumë se kurrë që mes lotësh të heqin dorë nga plehrat e tyre.

Kësisoj nuk do të jetë e largët dita kur tregtia e plehrave do të na sigurojë edhe hegjemoninë absolute në Europë, kur ne do të jemi padronë të kontinentit të vjetër dhe kur asnjë plehër s’do t’i shpëtojë vigjilencës tonë. S’do të jetë e largët dita kur Europa do zhytet në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe në një mjerim dhe plogeshti shpirtërore pa plehrat e veta ndërkohë që ne jetojmë lumturisht e paqësisht mes plehrave të atyre. Nuk ka për të qenë e largët dita kur harmonia dhe begatia e plehrave do mbulojë brezat pasardhës të vendit tonë ndërkohë që mes lutjesh e përgjerimesh, evropianët do të dynden drejt kufijve tonë duke shpërthyer edhe ambasadat tona jashtë vendit.

Do të jemi të detyruar që t’i mbajmë por do të  miratojmë ligje të rrepta kundër emigrantëve që do të kërkojnë të bëhen pjesë e ‘Tokës së Lumturisë’, saqë do ju duhen vite të behen shtetas, megjithëse autenticitetin e plehraxhiut s’do të mund ta fitojnë kurrë. Do ngrejmë monumente përkujtimore për udhëheqësit e sotëm dhe ata do përkujtohen përjetësisht si pionerët e plehrokracisë. 

Qeveria e sotme do të mbetet në histori si qeveria e parë e plehrave dhe kryetarët e sotëm do jenë kryeplehrat e parë. Do ju këndohen këngë me tekst plehrash të kompozuara nga disa plehra dhe madje do tju thuren edhe lavde nga të gjithë pasardhësit e plehrave. Atëherë do e ngrejmë thesin e plehrave në piedestal dhe do t’i  lutemi dhe do ta adhurojmë vazhdimisht. Edhe ngushëllimet shpirtërore sdo mund t’i gjejmë askund tjetër veçse te falenderimi dhe lutja e vazhdueshme për sa më shumë plehra.

Mendimi do të reduktohet vetëm në mendim për plehrat dhe çdo subjekt bisede do të jetë pashmangshmërisht i lidhur me ndonjë plehër. Shqipja do të përdoret atëherë vetëm si mjet komunikimi mes plehrave dhe ndoshta edhe për të treguar ndonjë histori të lavdishme të ndonjë  kryeplehre të kohës së shkuar. Me kohën do të harrohen edhe dialektet e tjera dhe dialekti mbizotërues do të behet plehërishtja. Kudo që të shkosh do ndodhesh nën praninë e plehrave dhe sdo mund të ndërtohet një konceptim tjeter i jetes pa plehra. Dhe vetëm atëherë lumturia e vërtet do të gjendet vetëm nëpër plehra.

Por pavarësisht të gjithave, edhe pas shumë kohësh, ne do të vazhdojmë të ruajmë simbolet tona kombëtare edhe pse atëherë s’do tregojnë shumë për kombin, do të ruajmë me fanatizëm heronjtë tonë të kohës së para-plehrave, dhe heronjtë e kohës së plehërave, do të përpiqemi të rikujtojmë mes mosmarrëveshjeve të kaluarën megjithëse askush nuk do të mbajë mend qartë kohën kur njerëzit ishin më të lumtur. Prandaj do rishkruhet duke u ndryshuar rrënjësisht historia e paraplehrave dhe askush nuk do te kujtojë se ky vend nuk ka patur në një kohë të shkuar kaq shumë ‘plehra’. Pasi shumë kohë të kalojë në mes të një masivi ‘plehrash’, do të gjejmë të shkruar ‘‘Republika e Shqiplehërisë’’.

Alban Pira

 

 

Republika e Shqiplehërisë