Berisha – Narcizi që nuk dëshiron të shihet në pasqyrë

   
     Narcizi djalosh ishte aq i bukur saqë bëri nimfën Eko të dashurohej marrëzisht pas tij. Por ai nuk e përfilli dashurinë e saj, dhe, e gjora, u venit ngadalë nën peshën e pikëllimit. Në greqisht, “eko” do të thotë “tingull” ose “zë”. Dhe sigurisht, Berisha nuk dëgjon as edhe një zë këshillues. Ai do vetëm që ta dëgjojnë të tjerët, dhe nuk i intereson fare nëse edhe ata kanë diçka për të thënë. Madje ai nuk dëgjon as zërin e arsyes: flet absurditete si çadrat pistolete dhe thikat me helm, duke e berë arsyen të venitet e të dalë në sfond, duke ia lënë vendin mosarsyes.
     E dëshpëruar, Ekoja, u kërkoi perëndive që ta bënin Narcizin që të provonte edhe ai ndjenjën e dëshpërimit që i kishte shkaktuar asaj. Dhe perënditë, e dëgjuan zërin e saj. Një ditë, teksa kalonte pranë një burimi, Narcizi u ul të pinte ujë, por kur pa imazhin e vetvetes kaloi në ekstazë – ra në dashuri me veten.
     Tani, le t’i hapim udhë zhdërvjelltësisë psikanalitike (të mos harrojmë që psikanaliza është ngushtësisht e lidhur me mitet) dhe të orvatemi të ndërtojmë një profil psikologjik të Berishës. Nuk është vendi për të hartuar një profil të plotë, pasi për Berishën mund të shkruhen libra, prandaj këtu do të merremi vetëm me narcizizmin e tij.

     Teksa kalonte pranë burimit të pushtetit, Berisha ishte krejtësisht i pasigurt. Ai nuk kishte pirë ujë kurrë më parë nga ky burim. Por, ndërsa u përkul dhe pa imazhin e vetvetes rrethuar nga ato “ujëra pushteti” ai u dashurua me këtë imazh. Vetëm se, në ndryshim nga Narcizi i mitit, Berisha nuk është dashuruar pas imazhit fizik te vetes, pra pas pasqyrimit të vetvetes, por pas një imazhi të idealizuar të vetes. Ai ka krijuar një profil ideal, dhe çdo veprim që bën, e bën sepse kështu mendon se do bëntë edhe profili ideal që ai ka ndërtuar.
     Në qoftë se shohim me vëmendje fjalimet e tij, gjithmonë na duket sikur ai nuk u drejtohet të tjerëve, por vetvetes. Argumentat e tija duken të pabazuara e të paarsyeshme, e shpeshherë ai jep përgjigjje që nuk kanë asnjë lidhje me pyetjet që i bëhen. Mund të mendohet se kjo është një taktikë dredhuese për të mos iu përgjigjur pyetjes, por jo, ai e jep këtë përgjigjje sepse pikërisht kjo i diktohet nga profili i tij ideal. Dhe kjo ndodh vetëm për shkak të mungesës së pasqyrës.

     Ne e njohim veten duke parë pasqyrimet e veprimeve tona në sytë e të tjerëve, pra duke vështruar reagimet e të tjerëve ndaj veprimeve tona. Dhe nëse bën vaki që të dashurohemi me veten, kjo dashuri është dashuri për paqyrimet e veprimeve tona tek të tjerët. Pra, tjetri nuk përjashtohet kurrsesi. Në rast se Berisha do të ishte në gjendje për ta parë veten e tij në një mënyrë të tillë, ai do fillonte ta njihte atë e të kuptonte më mirë veprimet e veta. Për më tepër, nëse do të dashurohej me pasqyrimin e vetes, ai do mundohej t’i ngjasonte sa më shumë këtij pasqyrimi. Dmth., meqënëse ne e shohim pasqyrimin e vetes tek të tjerët, kritikat e këtyre të fundit na bëjnë të gjykojmë veprimet tona, të mësojmë nëse këto janë të mira apo të këqija, e të përmirësohemi. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Berishës nuk i bën përshtypje mendimi i të tjerëve për të. Ai nuk dëshiron kurrsesi të shihet në pasqyrë. Dhe e kemi parë, në rast se ndokush e kritikon, me fjalë të tjera, nëse ndokush i nxjerr përpara një pasqyrë ku ai mund të shohë veten dhe veprimet e veta, ai e largon menjëherë këtë njeri dhe, kështu, e thyen pasqyrën, të vetmen mundësi për të njohur vetveten.
     Prandaj edhe ato gjëra që neve na trondisin, atij nuk i bëjnë përshtypje fare. Kur zv. Kryeministri u kap me presh në dorë, ai preferoi të fliste për shegët. Dhe kur në 21 janar u vranë katër vetë e u plagosën dhjetra të tjerë, ai preferoi të fliste për Shakirën dhe Lady Gaga-në. Nuk është për t’u habitur, ai nuk shihet në pasqyrën ku shihen të gjithë. Pamja groteske që shohim ne, atij i duket një fushë me lule.

     I dashuruar pas një vetveteje të idealizuar, ai është i gatshëm të thyejë çdo pasqyrë që do t’i shfaqte atij realitetin, që do ta shfaqte ashtu siç e shohin të tjerët. Sali Berisha nuk e di sesi e shohin të tjerët, dhe as nuk dëshiron që ta dijë. Ai nuk e njeh veten, dhe as dëshiron që ta njohë.
     Dhe ja ku u kthyem edhe njëherë tek përgjigjja ogurzezë e orakullit: ai do të ketë një jetë aq të gjatë sa s’do të njohë më as veten e tij.

                                                                                                                                                      Kel Musaj

Berisha – Narcizi që nuk dëshiron të shihet në pasqyrë