Bulevardi dhe Trekëndëshi i Nënshtrimit

Ai është bulevardi i dëshmorëve të kombit dhe dëshmorëve të shtetit, dëshmorëve të lirisë dhe atyre të demokracisë, dëshmorëve të qeverive dhe të ministrive, dëshmorëve që shpallen kriminelë dhe kriminelëve që shpallen dëshmorë. Ai është bulevardi i viktimave të 15 Marsit dhe të 21 Janarit, edhe i atyre që vdiqën në Gërdec edhe i atyre që vdiqën në Bulevard, dhe për të mos e harruar se është edhe bulevardi i atyre që vdesin vazhdimisht në Bulqizë. Çuditërisht këtë vit i gjithë bulevardi me gjithë dëshmorët festojnë. Të vdekur e të gjallë së bashku gëzojnë madhështinë e festës nën madhështinë e dritave. Të vdekurit gëzojnë për të gjallët, e të gjallët gëzojnë edhe për të vdekurit edhe për veten.

Sepse bulevardi është pastruar, ska me gurë as drurë, as djegje e as thyerje, as britma as krisma, nuk ka me gjak e as urrejtje. U zhduken te gjitha me një të rënë të dorës.Se është viti i ri e këto gjëra sduhet të kujtohen, këto gjëra duhet të  harrohen përndryshe gjithë viti ecën ters…Se është festë dhe, në raste festash, nuk mbahet mëri por shpresohet për një vit më të mirë. Për festa nxitohet të kapet çdo çast e të gëzohet në maksimum ai, çdo moment sado i shkurtër të jetë s’duhet lënë të shkojë pa gëzuar, prandaj nuk ka kohë për të kujtuar të kaluarën. Fundja ç’rëndësi ka e kaluara kur ne jetojmë më shumë për të ardhmen thonë disa. Për  e ri Shqiptarët magjishëm bien brënda këtij trekendeshi me ekstremitete nënshtruese.

Harrojnë politikanët se cfarë premtimesh i bënë popullit vitin që shkoi dhe harron populli se cfarë premtimesh mori nga politikanët vitin e shkuar. Harron populli të vrarët, harron pozita kushi-në, harron opozita pse-në. Harrohet sa minator vdiqën këtë vit në Bulqizë, harrohet sa Shqiptarë vdiqën në Tiranë, sa vdiqën nëpër aksidente rrugore, sesa u vranë nga vetja e sa u vranë nga tjerët? Për fundvit llogariten thjesht si statistika dhe harrohet se janë njerez. Rezulton një bilanc lufte dhe harrohet se nuk jemi në luftë!

Shpresojnë Shqiptarët: Për nje jetë ata që se kanë e për një jetë më të mirë për ata që e kanë,për një punë për ata që këte vit se patën e për një punë më të mirë për ata që e paten, për pak para për ata që këtë vit nuk kishin e për më shumë para për ata që kishin. Shpresojnë tetra-paraplegjikët ,të vonuarit, të sëmurët mendorë, të paaftët për punë per pak mëshirë  nga përbindëshi social, shpreson nga ana tjetër përbindëshi që këto parazit të zhduken me gjith rrënjë. (Ska faj këto kategori njerëzish nuk bëjn asgjë përveçse ushqehen me trupin e bollshëm shtetëror )

Gëzojnë kriminelët për krimet që nuk u zbardhën këtë vit, luten që të mos hetohen e shpresojnë për krime të tjera.  Gëzojnë hajdutët për parat që vodhën, luten të mos zbulohen e shpresojnë t’i shijojnë. Gëzojnë mashtruesit për mashtrimin që bënë, luten të mos demaskohen dhe shpresojnë që viti tjetër të jetë viti i një mashtrimi më të madh. Gëzojnë gjakpirësit për gjakun e popullit, luten që ai të mos i kuptojë plagët dhe shpresojnë që viti tjetër t’ju sjellë edhe më shumë gjak. Gëzojnë maskarenjtë për masakrat që benë, luten të mos u hiqet maska e shpresojnë se do te ketë masakra të tjera.

Ky trekëndësh me ekstremitete nënshtruese lidhet me kuptimin e bulevardit si ajo hapësira ku ekstremitetet e gjerësisë përfundojnë me institucionet më të rëndësishme të vendit. Po ta fillojme nga sheshi, kemi Bashkinë e Tiranës dhe Përmirësimit Progresiv të Jetës së Shqiptarëve, Ministrinë e Ekonomisë Korrupsionit dhe Errësirës, Ministrinë e Bujqësisë Urisë dhe Helmimit të Konsumatorit,Ministrinë e Mbrojtjes dhe Dhunimit të Qytetarit, Ministrinë e Punëve Private dhe Transportit për në Varreza,Presidencën e Horrave të Bulevardit dhe Kryeministrinë e Vendit dhe e Nënvendit.

Nga sheshi te sheshi,nga Skënderbeu te Nënë Tereza, kaq është shteti. Ai shtet,i cili gjatë gjithë vitit i bën të gjitha të këqijat e mundshme popullit dhe në natën e fundit të vitit, nën zbukurimet madhështore të dritave,me fishekzjarret miliona lekësh, me muzikën dehëse për shpirtrat e varfër,ashtu siç manipulohet nje zemër çupëline, i propozon popullit për vazhdimin e një marrëdhënie të re dhune,vuajtjesh dhe nënshtrimesh. Ata bien dakord t’ja falin gjithçka njëri-tjetrit dhe të vazhdojnë po ashtu siç kanë kaluar deri më sot. Shteti dhunon, populli harron të kujtojë;shteti vret,populli shpreson se mund të ndalojë; shteti feston, populli nuk nguron të gëzojë.

Format moderne shtetërore të përdorura për nënshtrim, përgjithësisht të njohura, janë manipulimi i të dhënave, fshehja e problematikave, përgënjeshtrimi dhe gënjeshtrimi i statistikave, mënjanimi i çështjeve përmes krijimit të ngjarjeve dhe problemeve artificiale etj. Nqs të gjitha këto dështojnë hyjnë në lojë disa menyra më burrërore të nënshtrimit siç është dhuna me të gjitha kuptimet që mund të ketë: frika në forma nga më të larmishmet dhe ushtrimi i terrorit masiv,për hir të së vërtetës rrallëherë i zbatueshëm.

Bulevardi (Shteti), pasi i ezauron të gjitha rrugët dhe format që sjellin nënshtrim, si për një ëmbëlsirë ne fund të darkës, përdor edhe kopjen e fundit të fytyrës, e cila përpiqet të fshehë shëmtinë e një monstre të vjetër për këtë vit të ri. Fytyra e re, fryma e re, dhunë e re,vjedhje e re, mashtrim i ri,  manipulim i ri, krime të reja, të gjitha për këtë vit të ri. Kjo është ajo që ndodh, gjithçka e vjetër rinohet vetëm me një “re”, “ri”, “reja”. Prandaj mënyrat e shtypjes priten që të jenë edhe ato të reja dhe kjo pashmangshmërisht ndihmohet më shumë kur shteti padashur bashkëpunon me ekstremitetet e harrimit të së kaluarës, shpresës së të ardhmes dhe gëzimit të së tashmes.

Alban Pira

 

 

Bulevardi dhe Trekëndëshi i Nënshtrimit