Far West-i i Saliut

Ligji aktual shqiptar mbi shtetësinë lejon që çdo person që ka të paktën një prej prindërve shqiptar është automatikisht shqiptar.  Mirëpo institucionet përgjegjëse në lidhje me shtetësinë nuk ua japin këtyre personave shtetësinë automatikisht (bëhet fjalë kryesisht për bijtë e të emigruarve të shumtë në Shqipëri, që shquhen për një patriotizëm të rrallë) duke nxjerrë arsye që vetëm pjellat toptaniste të regjimit të sotëm mund të mbrojnë: s’ka vendim qeverie që të zbatojë ligjin.  Dhe si pasojë, një gjë të natyrshme që ua jep Kushtetuta jonë dhe ligji ynë për shtetësinë, ata nuk e përfitojnë dot pa ndjekur procedurat e natyralizimit.  Pra, sipas funksionarëve tanë të ndritur të rendit, shtetasit e huaj që kanë të paktën një prind shqiptar duhet të plotësojnë etapat për marrjen e shtetësisë sikur të mos kishin asnjë lidhje me Shqipërinë.  Se shkelet Kushtetuta, dukshëm atyre nuk ua bën syri tërr.

Dje Saliu në fakt e preku këtë problem.  Për mendimin tonë, shumë vonë.  Por përveç këtij problemi hodhi dhe shashkën e radhës, atë të marrjes së shtetësisë me kusht që të investohet më shumë se 100,000 Euro.  E kuptojmë që Saliut nuk i bëhet vonë për Shqipërinë dhe nami që mund t’i dalë si strehuese e kriminelëve të të gjithë llojeve, kriminelë që kanë në llogaritë e tyre të paktën 100,000 Euro për t’i investuar. Por a i bëhet vone për Evropën, e cila rrezikohet si asnjëherë nga futja në territorin e saj të njerëzve të dyshimtë që kanë marrë shtetësinë shqiptare në bazë të kësaj reforme të radhës dhe në bazë të marrëveshjes së liberalizimit të vizave?  Natyrisht që jo.  As për këtë nuk i bëhet vonë.  Por nuk ka gjë.  Kështu është ai.  Do të iki së shpejti, ja dhe një vit, thonë dhe më optimistët ndër ne, të cilët kanë aftësinë e çuditshme të harrojnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këto vitet fundit.  Si gjithmonë, shpresa vdes e fundit…

Viroi

 

Far West-i i Saliut

Absurdi me Cez-in

Dhe ja rezultati.  Përqindja e popullsisë që nuk paguan dritat është e njëjtë.  Privati me efiçencën e tij nuk arriti të bindë popullin me hir apo pahir që të paguajë dritat.  Protestat afër Lezhës për ndërprerjen e energjisë elektrike kishin në gjirin e tyre njerëz me halle, por mbi të gjitha me teserën e PD-së për të treguar njëkohësisht se pavarësisht protestës, nuk kanë gjë me regjimin dhe se kanë liçencën për të mos paguar dritat.  Çmimi i të cilave, për hir të të vërtetës rritet çdo ditë, si pasojë e vendimit të qeverisë për ta blerë energjinë elektrike nga importi me çmimin e tregut.

Kështu, krijohet një tablo e qartë dhe e plotë e absurdit që solli këtë superabsurd që jetojmë. Absurdi është një shtet që nuk ka mundësi të mjaftueshme të mbrojë shtresat në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe kësisoj i inkurajon ata që të mos paguajnë dritat (mjafton të ruajnë besnikërinë ndaj regjimit) dhe një kompani private që provoi njëfarë kohe edhe milicinë private për të vjelur paratë, taktikë e cila dështoi, pasi pa ndihmën e shteti nuk mund të shkonte asgjëkund.  Por nuk mbaron me kaq.  Dhe këtu fillon superabsurdi.  Kjo kompani private kërkon të largohet, të iki nga ky vend.  Sepse pretendon se përballet me humbje për shkak të arkëtimeve shumë të vogla që ajo merr.  Natyrisht koha dhe ekspertët duhet të vërtetojnë pohimet e përfaqësuesve të Opozitës në lidhje me disa inxhinieri financiare që e ndihmuan Cez-in të frynte humbjet dhe të fshihte të ardhurat.  Por fakti është që ajo do të ikë.  Si rrjedhim po krijon një situatë konfliktuale me shtetin, duke ndërprerë dritat në mënyrë brutale dhe kolektive, për të dhënë sinjalin e qartë se ajo kompani nuk mund të rrijë dot këtu, për arsye se këtu përveç frymës së pandëshkueshmërisë dhe evazionit ndajt detyrimeve, mbretëron dhe një regjim që vë biznesin në trysni të papërballueshme.

Dhe ku më mirë sesa duke sulmuar në pikat më nevralgjike për regjimin: në prerjen e energjisë së ujësjellësave.  Është taktikë e poshtër, por po ta shikojmë më afër është thjesht rrjedhojë e mefshtësisë dhe papërgjegjshmërisë së shtetit.  Borxhin më të madh ndaj Cez-it e ka administrata qendrore dhe lokale.  Ajo kurrë nuk ka paguar dhe kurrë nuk do të paguajë ato para.  Dhe me këtë, shteti tregon se është i gatshëm të bëhet ferr për këdo, biznes të fuqishëm, biznes të vogël ose individ të thjeshtë, mjafton të shmangë detyrimet që ka dhe të ndihmojë ithtarët e vetë që t’i shmangin dhe ata detyrimet, në një festival të madh plot gaz e hare shkapërderdhjeje morale.

Dhe Cez vepron harbutçe ndaj harbutërisë, viktimë e së cilës ajo është kthyer.  Dhe kësaj harbutërie, shteti ynë i shton dhe një dozë tjetër harbutërie duke arrestuar punonjësit e Cez-it, ekzekutues të thjeshtë të rregullave dhe ligjeve të cilave vetë Cez-i i nënshtrohet dhe që duhen zbatuar.  Ka dalë ideja se Cez po pengon me këto ndërprerje aksesin e popullsisë drejt ujit, të njohur si një e drejtë themelore nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.  Me siguri.  Por si duhet të pajtojë shteti një situatë të papajtueshme dhe shpërthyese: midis një privati që kryen një veprimtari publike, për të cilën nuk po merr asnjë pagesë nga shteti, sepse regjimi që drejton këtë shtet nuk paguan asnjë faturë dhe një detyre që më shumë i përket shtetit dhe jo Cez-it, atë të sigurimit të aksesit të popullsisë drejt ujit.  Flamurtari Flamur i Ministrisë së Brendshme mund të çojë policët civila dhe me uniformë që të arrestojnë punonjësit e Cez-it, por ai së bashku me urdhëruesit t tij, nuk do të jenë kurrë në gjendje të zgjidhin problemin e mospagimit të faturave të energjisë, sepse as nuk e kanë në plan dhe, ç’është më e keqja, shteti nuk ka asnjë armë ligjore në anën e tij, përveç atë të nxjerres së disa vendimeve të pamatura gjykatash, për të stabilizuar situatën e ujësjellësave kur këta të fundit janë në pikë të hallit dhe nuk paguajnë dritat.

Cez është në një luftë nervash me shtetin  ku ata që po paguajnë, si gjithnjë, janë njerëzit.  Por të jemi të qartë: kjo vjen nga mungesa e sotme e shtetit dhe nga politika e gabuar e privatizimit të gjithçkaje që ndërmorën ata që drejtojnë sot shtetin.  Çdo gjë e ka një arsye dhe arsyeja e këtij absurdi është shmangia e përgjegjësive nga vetë shteti, atëherë kur ai kërkohej më shumë.

Stavri

 

Absurdi me Cez-in

24 vjet dëm

Të gjithë e dinë, përfshi dhe ata që do të dalin në shesh se ç’bilanc politik ka Lulzim Basha. Dhe të gjithë e dimë se, fatkeqësisht, ai po bën këto veprime politike tërësisht mediokre dhe të pacipa vetëm për kapitalin e tij të ardhshëm politik. Nuk është një gjë e re të thuash se në politikë pranohet gjithçka. Por ne nuk jetojmë në politikë, në prapaskenat e saj dhe me merakun e Lulit nëse ai do të marrë ndonjëherë pushtetin. Ne jetojmë në demokraci.

Dhe në një demokraci nuk presim nga politikanët të jenë më të mirë. Por presim ndëshkim për ata politikanë që janë të ndëshkueshëm, për shkak të akteve të tyre. Pikërisht sepse ne nuk kemi këtë drejtësi, tolerojmë spurdhjakë të tillë të na tallin, pikërisht sepse nuk kemi drejtësi, jemi të detyruar të rrimë e të shohim si ushtron të drejtën e saj demokratike një opozitë e përfaqësuar keq. Pikërisht sepse ne nuk kemi drejtësi, duhet të dëgjojmë sesi do të çirret për të drejtat tona ai, qw së bashku me mentorin e tij Sali, i kanë shkelur pa u hyrë gjembë në këmbë.

Ai sot do të protestojë. Por ai duhet të japë llogari. Kjo nuk është demokraci. Është pështirosje. Por në ndryshim nga Fatos Lubonja, që pështirosjet e tij të pavenda i shkëmben me lekë, përshtirosjet tona ne duhet t’i përtypim, sepse jemi në demokraci. Një demokraci që nuk funksionon për ne, por për ata që zhvasin, fshehin dorën dhe ulërasin sa herë u vjen veza. Shko protesto Lulzim Basha. Mundësisht ha vezë para se të flasësh, mos na e bëj pështirosjën më të padurueshme me zërin tënd të ngjirur.

 

24 vjet dëm

Mbi teknologjine – I


 

Nje analize e mirefillte, per Heidegger-in do te perqendrohej mbi ate qe fshihej nen çdo substance dhe ne te njejten kohe bente te mundur shfaqjen e tyre.

Çelesi i çeshtjes ishte shkeputja nga pikepamjet strukturaliste duke shkuar drejt nje proçesi rigjurmimi ndaj hapave historike te vete filozofise.

Çdo gje qe ne « kuptojme », ose « njohim » duke u nisur qe nga te folurit e deri tek « sensi komun », eshte e prirur te gaboje lidhur me natyren e qenies. Keto gabime nderhyjne tek termat nepermjet te cileve qenia artikulohet (ne historine e filozofise)si p.sh. – realiteti, logjika, Zoti, ndergjegjja, prezenca etj.

 

Ne kete menyre keto « gabime » tjetersojne menyren me te cilen qeniet njerezore lidhen me teknologjine moderne.

 

Filozofia e kishte anashkaluar « te qenurit » sepse e konsideronte si te qarte tashme, dhe jo si nje çeshtje te hapur ndaj diskutimit. Ne menyre intuitive Heidegger thellohet ne çeshtjen e qenies me ane te nje argumenti historik. Me vone puna do te perqendrohet ne « historine e qenies », d.m.th. ne historine e harreses se qenies, e cila sipas Heidegger kerkon qe filozofia ta gjurmoje nepermjet nje « destruksioni/shkaterrimi » produktiv te historise se filozofise.

Perkushtimi ndaj nje lloj « historiku te qenies » ka nje peshe cilesore. Ne ne fakt nuk e kuptojme vertet se çfare behet shkak qe ngjarjet te ndodhin. Historia eshte fiksioni qe ne shpikim per t’i mbushum mendjen vetvetes se ngjarjet mund te njihen dhe se jeta ndjek nje rregull dhe nje drejtim. Kjo eshte arsyeja pse ngjarjet rinterpretohen sa here qe vlerat ndryshojne. Kjo eshte nje pikepamje organike e cila arrin te zhvishet nepermjet te menduarit dhe te pyeturit.

 

Nderkohe nje tjeter intuita e çon autorin ne krijimin e konceptit Dasein, qenia per te cilen qenia eshte nje pyetje. Ai kritikon karakterin metafizik dhe abstrakt me te cilin tradicionalisht kuptohej ekzistenca njerezore ne formen e kafshes racionale, personit, njeriut, shpirtit, mendjes ose subjektit.

Dasein nuk njeh ndarje brenda/jashte. Nenkupton te qenurit ne bote dhe jo i veçuar prej saj. Kemi te bejme me nje qenie me aktive dhe me kohore e cila ndervepron me te tashmen por edhe me faktin. Qenia eshte e perfshire tek bota dhe te çon gjithmone drejt njohjes nepermjet pyetjes/te pyeturit.

 

 

Nepermjet te pyeturit Heidegger kerkon dhe ndjek thelbin dhe vete esencen e teknologjise. Te pyeturit shnderrohet ne nje veprimtari ne vetvete dhe ndihmon ne ndertimin dhe ngritjen e nje rruge. Te pyeturit mund te perjetohet si nje rrugetim, nje proçes gjithmone ne levizje.

Si rrjedha e nje lumi, si nje udhetim.

 

Te menduarit ne vetvete lidhet ngushte me kete proçes dhe mund te marre trajten e nje udhe te veçante. Rrjedha e ketij udhetimi udhehiqet nga gjuha dhe njekohesisht e mbart ate. Te pyeturit nenkupton pyetjen.

 

Thelbi na fton ne perjetimin e nje marredhenie te lire me teknologjine ne menyre qe ne ta hapim ekzistencen tone kundrejt tij.

Thelbi duket se eshte ai nepermjet te cilit nje gje eshte ajo qe eshte. Kuptimi i zakonshem i fjales « thelb » eshte ai qe lidhet me nje lende ose me ekstraktin e lendes e cila permban diçka kimike ne vetvete. Thelbi pershkruhet nga autori si diçka qe e deperton dhe pershkon objektin por qe nuk eshte objekti ne vetvete. Cilesia e shper-hapjes mespermes dhe e vete depertimit duket se i afrohet idese se thelbit si diçka qe ngjason me shume me parfumin…

                                                                 

Mbi teknologjine – I

Ora shqiptare e kujtesës ose alkimia e harresës

Njerëzimi kishte nevojë për memorje, për të kujtuar kohërat e lavdishme ose ato të disfatave por mbi të gjitha për të kujtuar tragjeditë e mëdha në mënyrë që ato të mos përsëriten më. Gjermanët sot përkujtojnë rënien e murit të Berlinit, si simbol i ribashkimit të një populli dhe për të mos harruar fatkeqësitë e mëdha që solli sistemi diktatorial në anën lindore të tij. 27 Janari është dita e kujtesës së holokaustit, dita që u kujton brezave të rinj se çfarë ndodhi në kampet e përqëndrimit gjatë luftë së dytë botërore. Në fund të fundit kjo është vlera e historisë, kujtesa dhe raportimi i së shkuarës me të tashmen në mënyrë që të mos harrojmë dhe të mos bëjmë serish të njëjtat gabime.

 

Le të kthehemi tek Shqipëria dhe nevoja e shqiptarëve për kujtesë. Partia Komuniste e Shqipërisë pati idenë e shkëlqyer që për 45 vjet ta modifikonte historinë sipas tekave dhe deshirës. Aty ku ishte e zezë e bëri të bardhë dhe aty ku ishte e bardhë e bëri të zezë, modifikoi ngjarje të rëndësishme historike, zbehu ose zhduku plotësisht personalitete të kombit. Qëllimi i vetëm i partisë dhe i udhëheqësit të saj të padiskutueshëm ishte jetëgjatësia e pushtetit të tyre. Fatmirësisht gjërat ndryshuan dhe për ne shqiptarët kjo mund të quhet histori, në kuptimin që i përket të shkuarës. Por sot në 2009-ën na ndodh që bëjmë e ribëjmë të njëjtat gabime duke rrezikuar që edhe sa është shkruar më sipër të mos e gjejmë më në librat e historisë por vetëm nëpër media, për një kohë të shkurtër dhe pa memorje. Qeveria e gjëmave të harruara na servir pjatën e ditës. Një libër historie me gënjeshtra, me trillime, me mangësi dhe gabime që shkojnë ndesh me interesat kombëtare. Shefi i kuzhinës nuk eshtë sic mund të mendojë mendjelehtësisht shumëkush prej nesh, ndonjë çetnik serb, por një profesor doktor i tashmë të harruarës Akademi e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht, nuk dyshojmë që qeveria dhe lideri i saj i padiskutueshëm kanë ndërhyrë personalisht në shkrimin e librit të historisë për shkollat e mesme. Por nëse kryeministri i mban pranë ushtarët e tij edhe kur këta gabojnë edhe kur këta shfaqin më shumë zell se ç’duhet për lartmadhërimin e tij, atëhere ai u jep një sinjal të qartë të gjithë militantëve dhe mediokërve: “O burra përpara se po gabuat ju mbron pushteti”. Janë të shumtë shembujt e atyre të cilët kanë çeshtje gjyqësore të hapura dhe në vend që të pushohen nga detyra, mbajnë poste të larta në administratën shtetërore…
Rezultat i harresë është përsëritja dhe ripërsëritja e gabimeve. Shumë shpejt harruam diktaturën komuniste, gjëmën e 1997-ës, kaosin e 14 shatorit 1998, Gërdecin. Me këtë ritëm shumë shpejt do të harrojmë edhe që kemi një kujtesë.

                                                                                                                                                                      Onufri

Ora shqiptare e kujtesës ose alkimia e harresës

Kur quhesh i masterizuar në Shqipëri?

T’i rikthehemi çështjes së ditës. Ose më mirë problematikës që kemi ngritur. Në vitin 2007, u miratua Ligji për Arsimin e Lartë, i trumpetuar nga Qeveria e kohës si një prej reformave më të rëndësishme që prekin të ardhmen e brezave të rinj dhe të vendit tonë, pasi ky Ligj do i hapte rrugë brezit të ri të të diplomuarëve në përballimin e jetës profesionale ose përmbushjes së dëshirës së tyre për thellim shkencor.
Duhet të nënvizojmë menjëherë se ky Ligj u kritikua nga një brez specialistësh të arsimit të lartë që e njohin atë shumë më mirë se disa të kollandrisur që rrethonin në atë kohë Kryeministrin. Një nga reformat që përmbante ky ligj ishte dhe ngritja e një sistemi që mund ta quajmë 3+2+1+3 (ku 3-shi përbën diplomimin e studentit në fushën e specialitetit – jurist, ekonomist…, 2-shi një thellim të specialitetit, ta quajmë “DND”, ashtu si ligji dhe 1-shi vitin e Masterit, të ndjekur më në fund nga studimet e Doktoraturës). Pra krijohej një sistem që pikë së pari nuk përputhej me frymën e Kartës së Bolonjës dhe së dyti krijonte një amulli në lidhje me diplomimin e studentit. Kur do të quhej specialist, çfarë është të jesh specialist i thelluar i fushës dhe për çfarë shërben ai viti i Masterit pas Diplomës së Nivelit të Dytë (2-shi që folëm më lart)?
Problemi do të dilte herët a vonë. Së pari sepse Karta e Bolonjës, që nuk duhet ngatërruar me Universitetin e Bolonjës, pasi kam dëgjuar shpesh që Karta e Bolonjës lidhet me sistemin që aplikohet në Universitetin e atij qyteti, gjë që përbën një injorancë të pastër nga kushdo që rreket të thotë mendimin e tij mbi këtë çështje, parashikon një sistem universitar synimi i të cilit është të përgatisë individë të ndërgjegjshëm, dhe të aftë të futen në botën e punës sa më shpejt dhe që t’i përgjigjen kërkesave të tregut sa më mirë. Sot jetojmë në një kohë kur tregu dhe kapitali janë ata që diktojnë ligjin në rruzullin tonë dhe rrjedhimisht një student me kokën plotë nuk i hyn në punë, i duhet një student me ide të formuara mirë. Prandaj sistemi bazohet në nxjerrjen e diplomës “specialist” pas 3 vitesh në mënyrë që kush dëshiron t’i hyjë karrierës profesionale të mos harrakatet në bankat e shkollës me teori të tepërta. Nëse një punë e caktuar kërkon dije të veçanta në një fushë dhe rrjedhimisht më shumë njohuri dhe përgatitje shkencore, hyn në lojë 2-shi, po jo ai i Ligjit për Arsimin e Lartë, por 2-shi i Kartës së Bolonjës, pra Masteri. Masteri do të shërbente pra për thellimin e dijeve special të nëj fushe të caktuar, ashtu sikundër dhe për përgatitjen teorike sa më të mirë të studentit, nëse prej tij kërkohet të fillojë me studimet e doktoraturës. Në disa shtete, ekzistojnë mastera me dy drejtime, një teorik dhe tjetri praktik. Dhe kështu, shohim të përvijuar sistemin e Kartës së Bolonjës, të cilën e kemi nënshkruar dhe ne dhe që përbëhet nga sistemi 3+2+3 (3-shi i fundit përkon me vitet e studimit të doktoraturës).
Së dyti, problemi do të dilte për një arsye tjetër. Ai që mbaron DND do ta ketë shumë të vështirë të thotë jashtë shtetit se jam mbajtës i një diplome Masteri, pasi ligji ynë për Arsimin e  Lartë nuk e klasifikon si të tillë. Pra, ai duhet të ribëjë një dyvjeçar tjetër jashtë nëse, fjala vjen dëshiron të punojë në një vend ku kërkohet Masteri ose të vazhdojë studimin e Doktoraturës.
Gjithashtu, ai që mbaron DND, është specialist, apo pak më shumë se specialist, po pak më pak se i masterizuar. Ç’rrogë ka parashikuar qeveria për ata që mbarojnë DND-në. Dhe, më e rëndësishmja, ajo që futi në grevë urie studentët e Vlorës, çfarë vlere ka një diploma e specialist (tre vjeçari) nëse edhe studentin që mbaron DND-në e klasifikon si specialist. Atëherë, shumë logjikisht, gjithkush do ta kishte vështirë  të pranonte në punë një student që legjitimisht mund të kërkojë punë pasi ka kryer tre vjet universitet, por që shteti i vet ja bën shumë të vështirë njohjen e një diplome, që sistemi e bën që të jetë faktikisht gjysmake.
Duke parë në sy realitetin, Ministri aktual i Arsimit kërkon që ta ndryshojë në këtë pikë Ligjin për Arsimin e Lartë. Edhe pse vlen që të inkurajohet në këtë drejtim, duhet t’i kujtojmë se në 2007, kur është votuar ky Ligj, Ministri ka qënë këshilltar për Arsimin pranë Kryeministrit dhe e ka mbrojtur një ligj të tillë.
Nga një mungesë e tillë koherence, ne nxjerrim dy përfundime: në Shqipëri, askush nuk e ka të qartë në kokë se ku shkon dhe çfarë do të bëjë, përveç makutëve. Së dyti, reformat në Shqipëri kanë parametra dy vjeçarë dhe aspak afatgjatë, çka na bën të mendohemi mbi mënyrën si udhëhiqemi dhe mbi përkufizimin e fjalës reformë… Natyrisht, brezi i studentëve të diplomuar në këtë periudhë do e vuajnë këtë mungesë koherence. Shpresojmë të jenë në hënë të mirë dhe ta kuptojnë se kështu nuk ecet.
                                                                                                                                                          Stavri

Kur quhesh i masterizuar në Shqipëri?