Çfarë po ndodh në Francë?

schrankdessin

Më 23 prill 2017, do të mbahen në Francë zgjedhjet presidenciale. Sistemi politik dhe kushtetues francez, vështirësisht i kategorizueshëm, ka në qendër të tij Presidentin e Republikës, i cili përcakton drejtimet e përgjithshme të politikës kombëtare (sipas Kushtetutës). Duke patur parasysh se zgjedhjet parlamentare, sipas kalendarit, mbahen dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale, është e qartë se të dytat do të jetë përcaktuese për të parat: ka shumë gjasa, siç dhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme, që sovrani t’i japë Presidentit të ri të sapozgjedhur, një shumicë parlamentare që të zbatonte politikat e përgjithshme në mënyrë efektive.

Në këto kushte, fushata që do të fillojë për pak ditë në Francë mbart një rëndësi shumë të madhe. Së pari, për shkak të rrëzimit të natyrës bipolare tradicionale të tyre. Në këtë fushatë, kandidatët që vijnë nga e djathta (Republikanët) dhe e majta (Partia Socialiste) nuk janë më favoritët e votuesve. Sipas sondazheve, kandidati i të djathtëve dhe i qendrës François Fillon renditet i treti, ndërsa kandidati socialist Benoit Hamon, i katëri ose i pesti. Duke patur parasysh se zgjedhjet presidenciale në Francë janë me dy ture dhe duke patur parasysh se vetëm dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në turin e dytë që do të mbahet më datë 7 maj 2017), sondazhet flasin për një situatë të pazakontë, ku partitë tradicionale do të jenë të përjashtuara nga turi i dytë, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve presidenciale, që nga krijimi i Republikës së Pestë  në 1958.

Kush janë dy kandidatët që deri më tani gëzojnë favoret e sondazheve? Kandidatja që del e para në sondazhe (me rreth 27%) është Marine Le Pen, personazh tashmë që ka dal nga anonimati ndërkombëtar. Ajo është liderja e partisë së ekstremit të djathtë, parti që po mundohet me të gjitha mënyrat që të largojë këtë etiketim, sa më shumë që i afrohet dyerve të pushtetit. Marine Le Pen është e bija e Jean-Marie Le Pen, udhëheqësit historik të Frontit Nacional, i cili nuk ka bërë asnjë përpjekje të zbusë qendrimet e tij polemike ksenofobe dhe negacioniste. Në 1987, në një emision radiofonik, ai tha se kampet e përqëndrimit ishin një detaj i vogël i historisë. Për këtë si dhe për shumë shprehje të tjera polemike, ai është dënuar. Vajza e tij ka bërë çmos që ta largojë nga punët e partisë të atin edhe pse ai është ende president nderi. Ajo tashmë nuk është më një çudi në botën politike franceze dhe gëzon një mbështetje gjithmonë e më të gjerë në shoqërinë franceze.

Kandidati i dytë është Emmanuel Macron. Ish bankier i suksesshëm dhe ish ministër i Ekonomisë në qeverinë socialiste të Manuel Valsit (gjatë presidencës së François Hollande, i cili për shkak të opinionit negativ që ai kishte në popull, vendosi të mos kandidojë në këto zgjedhje), ai shfaqet si politikani modern që mbron liberalizmin politik dhe ekonomik, por duke u përpjekur të shpëtojë sistemin shoqëror ekonomik francez. Ai gëzon një mbështetje heteroklite, nga qendra, e majta, komunistët dhe liberalët e kulluar. Një mbështetje kaq e gjerë vjen për shkak se ai, për shumë francezë, shfaqet si barriera e fundit kundër ardhjes në pushtet të Le Penit.

Dhe këtu është dhe arsyeja e dytë e rëndësisë së madhe që kanë këto zgjedhje: frika e ardhjes në pushtet e Frontit Nacional, një parti që ka qendruar shumë gjatë pa pushtet, me qendrime polemike, ksenofobe, anti-evropiane. Fitorja e Trumpit në SHBA u ka dhënë një hov të ri partive ekstremiste të djathta, tashmë të quajtura “populiste”. Me fitoren e Trumpit, Marine Le Pen ka rifilluar të mbajë një fjalim politik sërish agresiv kundër emigrantëve, islamit dhe Evropës. Ajo po i mëshon shumë fort idesë së një “Frexit-i”, të një daljeje të Francës nga Evropa, çka do të simbolizonte dhe rënien e idesë së Evropës së Bashkuar. Një perspektivë të tillë duket se francezët nuk e pranojnë, pavarësisht se kritikat ndaj Evropës janë të shumta dhe të gjalla. Barriera kundër kësaj përspektive duket se është pikërisht ish ministri i Ekonomisë Emmanuel Macron.

Ai ka marrë mbështetjen e shumë simpatizantëve të ish kryeministrit në kohën e Presidentit Chirac, Alain Juppé, të një pjese të qendrës, të ish drejtuesit komunist Robert Hue dhe të një liberali të bindur, Alain Madelin. Një aleancë e tillë heteroklite mund të jetë një garanci fitoreje, ashtu sikundër mund të përbëjë dhe një handikap për këtë kandidat, pasi francezët mund të shikojnë te ai një përfaqësues të interesave të caktuara të afërta me kapitalin, pro evropiane, por që nuk bindin dot pjesën e konsiderueshme të popullsisë franceze të lodhura nga vite të gjata sakrificash dhe që përballen me një papunësi në rritje. Duhet megjithatë të kemi parasysh se sistemi shoqëror francez është rezultat i një lufte të gjatë të forcave punëtore dhe përparimtare përgjatë gjithe shekullit XX. Çmontimi i një sistemi të tillë nuk mund të bëhet dot në Francë, akoma më pak tani që Fronti Nacional mund të tërheqe drejt vetes të gjitha pakënaqësitë dhe t’i afrohet kësisoj, gjithmonë e më shumë pushtetit. Por, nga ana tjetër, Emmanuel Macron, edhe pse konsiderohet si kandidat liberal, një cilësim i tillë duhet analizuar sipas kontekstit francez. Kështu, krahasimisht me politikat e ndërmarra në Shqipëri gjatë këtyre viteve, liberalizmi i tij do të dukej si një politikë e majtë që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë këto vite. Programi i tij ka bindur shumë të majtë, të djathtë progresistë dhe liberalë dhe të qendrës, por ai ka bindur dhe disa të pavendosur pikërisht sepse ai përfaqëson mbrojtjen e idesë demokratike dhe evropiane të Francës kundër rrezikut të populizmit.

Së treti, këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse do të shikohet sjellja e votuesve ndaj pastërtisë së figurës së politikanit. François Fillon, kandidati i djathtë, deri para dy muajsh ishte fituesi i pashpallur i zgjedhjeve (aq përpara ishte ai në sondazhe), është përballur me disa investigime të shtypit francez në lidhje me punësimin e gruas dhe fëmijëve si asistentët e tij parlamentarë. Në Francë, ky punësim është i ligjshëm, pavarësisht aspektit moral që gjithmonë e më shumë po diskutohet, pasi shtypi francez e krahashon këtë situatë me vendet fqinje dhe, nga ky krahasim, rezulton se Franca është nga të paktët vende ne Evropë që toleron një situatë të tillë. Mirëpo, gazeta qe kishte shkruar për këtë problem shfaqi një tjetër më të rëndësishëm, problem që tërhoqi vëmendjen e drejtësisë. Gruaja dhe fëmijët e tij, pavarësisht se ishin të punësuar, në fakt, nuk kishin punuar efektivisht në detyrat e asistentëve parlamentarë dhe rrjedhimisht, këto funksione mund të konsiderohen si fiktive. Për pasojë, dyshohet se janë përdorur fonde publike për të paguar persona të afërt të kandidatit, të cilët nuk kanë kryer punën që pritej prej tyre. Më 15 mars, pasi disa hetimesh paraprake, zyrtarisht kundër kandidatit François Fillon filluan hetimet për shpërdorim të fondeve publike. Situata e tij komplikohet akoma më shumë pasi ai, në shtator të viti 2016, bëri një deklaratë të fortë kundër Nicolas Sarkozy, ish Presidentit francez, duke thënë: “kush mund të imagjinojë se kundër Gjeneralit de Gaulle mund të fillojnë hetime penale?”, duke ju referuar skandaleve të shuma të Sarkozy-së dhe pastërtisë të padiskutueshme të Gjeneralit de Gaulle, ende një nga figurat më të preferuara të francezve. Ironikisht, është pikërisht François Fillon që ndodhet në këtë situatë. Ai është mbrojtur duke thënë se procesi është politik dhe se ai nuk do të largohet nga gara dhe se e ardhmja do të vërtetojë se ai është i pafajshëm.

Ai gëzon një mbëshetje të fortë pranë të djathës tradicionaliste dhe konservatore. Ai edhe mund të dalë në turin e dytë të zgjedhjeve, përballë Marine Le Penit (edhe pse sondazhet nuk e favorizojnë një dyshe të tillë, ende). Çështja që do të shtrohet është: a do të harrojë votuesi daljen nga fjala të kandidatit republikan, apo të do të tundohet edhe më shumë drejt votës për Frontin Nacional? Kjo mund të ishte një situatë shumë e favorshme për kandidaten populiste: programi i saj është i parealizueshëm, por fitorja e saj është tërësisht e imagjinueshme.

Stavri

(Karikatura është marrë nga courrier international dhe paraqet tre kandidatët kryesore – Marine le Pen, François Fillon dhe Emmanuel Macron)

Çfarë po ndodh në Francë?