Debate presidenciale

Nga leximi i dispozitave më sipër del qartë se në tre votimet e para duhet të jenë prezentë në Kuvend tre të pestat e të gjithë anëtarëve, pra 84 deputetë.  Ky prag që quhet ndryshe kuorum, do të thotë se që të kryhet një votim i vlefshëm, nevojitet që të jenë të pranishëm një numër i cilësuar vendimmarrësish.  Ç’ndodh nëse ky kuorum nuk arrihet?  Pasi shpallet hapja e seancës bëhet verifikimi i të pranishmëve dhe nëse numri i kërkuar i të pranishmëve nuk përmbushet, atëherë seanca shtyhet për një çast të mëvonshëm.  Kështu, si shembull, Kushtetuta thotë se kodet miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.  Nëse kuorumi nuk plotësohet, seanca nuk zhvillohet.  Ky problem është shumë aktual nëse mendojmë vështirësitë e hasura në krijimin kuorumit prej 84 deputetësh për të votuar ndryshimet në kodet ekzistuese.

Problemi i Presidentit qëndron në faktin se pas tre votimeve të para, Kushtetuta parashikon dy votime me shumicën e të gjithë anëtarëve ose ndryshe e quajtur shumicë absolute (71 deputetë).  Ky ndryshim u lejon disave të mendojnë se nëse dështojnë tre mbledhjet e para (pra nuk bëhen 84 deputetë), nuk do të kemi shtyrje të këtyre seancave, por ato do të shpallen të vlefshme, pra Kuvendi do të mblidhet, do të kalohet në votim, nuk do të arrihet numri prej 84 deputetësh, pikërisht sepse nuk kishte 84 deputetë dhe pavarësisht kësaj, seanca do të zhvillohet pa sukses duke hapur rrugën e kalimit në seancën e radhës.  Duhet të themi paraprakisht se kjo logjikë nuk qëndron, por ama në pellgun politik shqiptar, kjo logjikë jetësohet për shkak të ndryshimeve kushtetuese që tashmë duket qartë se kanë qënë të panevojshme dhe se hapin debate që harxhojnë energji, kohë dhe hapin rrugë për allishverishe politike në dëm të shpjegimeve juridike.

Kërkesa e pranisë së 84 deputetëve në Kuvend për tre votimet e para nuk thuhet shprehimisht në Kushtetutë por nënkuptohet së pari për shkak të frymës së Kushtetutës.  Edhe pse e goditur rëndë nga ndryshimi i 2008, fryma e Kushtetutës kërkon që Presidenti të zgjidhet nga një shumicë e cilësuar, si figurë konsensuale që presupozohet të përfaqësojë popullin.  Parlamentarët, si përfaqësues të sovranit, kanë detyrimin që të paraqiten në votim për të respektuar këtë moment solemn institucional të Republikës dhe të shprehin nëpërmjet votimit pëlqimin për një kandidat të mundshëm.  Nëse prania e 84 deputetëve nuk do të ishte e nevojshme, tre seancat e para do të ktheheshin në një maskaradë, ku do të ishin të pranishëm vetëm anëtarët e shumicës, të cilët me qetësi biblike, do të prisnin ardhjen e votimit të katërt për të zgjedhur kandidatin e tyre.  Me procedurën e mëparshme, nuk ishte e nevojshme të specifikohej kuorumi në mënyrë të ndarë nga numri i votuesve për një kandidat: në të pesta raundet nevojiteshin 84 deputetë për të votuar Presidentin dhe nëse nuk votohej, kalohej në zgjedhje të parakohshme.  Pra deputetët ishin të dënuar të ishin të pranishëm në Kuvend.  Me ndryshimin kushtetues, lind dhe nevoja e ndarjes së dy koncepteve (kuorum-votim), pikërisht sepse vetëm kështu do të respektohet fryma konsensuale në zgjedhjet e Presidentit.  Me ndryshimin kushtetues, pjesëmarrja kthehet në objekt, më shumë sesa vetë votimi.

PS-ja kërkon të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për një interpretim të dispozitave në lidhje me zgjedhjen e Presidentit.  Përtej vlerësimit politik, vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese, brenda kuadrit kushtetues, është gjithmonë e shëndetshme për demokracinë dhe ka meritën e sqarimit juridik përfundimtar të çështjeve që bëhen pre e interpretimeve mjerane politike.

Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se ky debat politik që rrezikon të minojë dhe njëherë Kushtetutën, mund të kthehet në një realitet dhe nuk mund të mos lëmë pa përmendur dhe njëherë faktin se goditje të tilla nuk do të ndodhnin nëse nuk do të ndryshohej Kushtetuta në këtë pikë.  Tashmë, deputetët e Opozitës janë të detyruar të shohin si mundësi bojkotin e Kuvendit që t’ju dëgjohet zëri për një kandidat konsensual, ndërkohë që më parë, të gjithë duhet të dëgjonin këmbanën e alarmit të zgjedhjeve të parakohshme të diktuara vetëm nga Kushtetuta.

Stavri

 

Debate presidenciale