Dekorata çokollata

Dekorata
Presidenti Nishani dekoroi 67 ballistë të rënë 73 vite më parë. Presidenti Nishani e motivoi dekorimin: “me mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë ata burra nacionalistë e të pamposhtur që luftuan për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar”

Të analizosh akoma shkrimet dhe thëniet epike të Presidentit Nishani, pas kaq vitesh të tij në krye të shtetit, është pak e sikletshme. Është si të shënosh gol në një portë bosh, është si të fitosh një garë pa kundërshtarë… Por për shkak të asgjësimit që i është bërë institucionit të Presidentit të Republikës nga Bujar Nishani, me mëshirë dhe keqardhje, ja vlen të begeniset dhe të kritikohet, qoftë edhe buzagaz, motivacioni surreal i dekorimit të kuislingëve shqiptarë.

Ata burra që bashkëpunuan me pushtuesit nazistë, ishin nacionalistë vërtetë, por u dënuan në të gjithë Europën. U quajtën Kuislingë sepse Vidkun Quislingu, kryeministër i qeverisë kukull të Norvegjisë gjatë pushtimit nazit, u bë simboli i të gjithë bashkëpunëtorëve me një force pushtuese të huaj. Kurse në Shqipëri, Presidenti i Republikës i dekoron, dhe Republika nderon si këta pishtarë ashtu edhe ata dëshmorë që luftuan përballë pishtarëve bashkëpunëtorë.

Të pamposhtur – thotë Nishani, por me sa dimë ne, edhe pa e lexuar fare historinë, ata u mposhtën në të gjitha dimensionet e një mposhtjeje apo disfate.

Luftuan për një Shqipëri të lirë dhe demokratike – po, dhe nën okupatorin nazi/fashist, me të gjitha liritë dhe demokracinë që pushtuesit sjellin me vete.

… dhe të vëllazëruar – e mbyll motivimin Nishani. Le të mos harrojmë që ata ranë në luftë kundër partizanëve, pra në luftë me shqiptarë të tjerë.

Edhe këto pak vërejtje me humor janë të tepërta për një president që meriton të harrohet nga të gjallët sot, por edhe nga historia mot.

Ndërsa historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, le t’ua lemë ta bëjnë historianët.

Tanks

Dekorata çokollata