Demokracia si një çrregullim seksual

      Pak kohë pas ardhjes së Hitlerit në pushtet, një hebre i quajtur Zigmund Freud, nisi të organizonte një sulm të hatashëm teorik mbi regjimin nazist dhe regjimet totalitare në përgjithësi. Si? Le të zbresim pak më poshtë. Sigurisht, jo me shumë vrull sepse rrëzikojmë të pengohemi dhe të thyejmë qafën.
     Për ta përmbledhur me pak fjalë teorinë psikanalitike (edhe pse ajo është e njohur për të gjithë) mund të themi se ne kemi impulse, ndjenja dhe dëshira që, pa qenë ne të ndërgjegjshëm, motivojnë veprimet tona… Për shumë asrye, midis të cilave më e rëndësishmja është frika se mos humbim miratimin e prindërve dhe miqve tanë, ne i shtypim këto impulse… Megjithatë, fakti që kjo shtypje kryhet jashtë dijes sonë nuk do të thotë se ato janë fshirë. Në të vërtetë, ato vazhdojnë të ekzistojnë me një forcë të atillë, sa manifestohen në forma të ndryshme, por pa na lënë të kuptojmë se kanë depërtuar përmes një porte sekondare… kur ato rishfaqen dhe zbulojnë praninë e tyre, janë falsifikuar e maskuar aq shumë, saqë mendimi ynë i ndërgjegjshëm s`arrin t`i njohë për çka janë realisht… shkurt dhe shqip: shtypja Atërore i ngjesh thellë në të pandërgjeshmen pulsionet tona seksuale.
     Roli i Atit është qëndror në psikanalizën e Freud-it. Madje këtu gjendet edhe shkaku se pse ne kërkojmë një Zot, dhe pse e adhurojmë atë. Duke patur parasysh kompleksin e Edipit, dëshirën tonë për të vrarë Atin në mënyrë që të fitojmë dashurinë e nënës, sipas Zigmundit, ne e vrasim Atin në të pandërgjegjshmen tonë. Kështu, ne ndihemi në faj për këtë vrasje “të pandërgjegjshme”, dhe pikërisht me ndjenjën e fajit ne shpirt ne i projektojmë pulsionet tona seksuale tek një qenie e mbinatyrshme tek e cila shohim Atin tonë.
     Ja ku dolëm edhe tek politika. Në të njëjtën mënyrë, gjermanët e zhgënjyer i projektuan impulset e tyre seksuale tek një At dhe ishin të gatshëm të kryenin marrëzira për të. Këtë parashikoi Weber-i: ai nuk foli për Hitlerin, por ai e kuptoi fare qartë se Gjermanët e asaj kohe kishin nevojë për një udhëheqës totalitar, për një njeri gjysëm-zot. Shkaktari i regjimit nazist nuk ishte Hitleri, pasi edhe nëse ky nuk do të kish lindur vendin e tij do ta kishte zënë dikush tjetër. Ishte populli Gjerman ai që kishte nevojë për një udhëheqës të tillë.
     Nuk mund të mohohet që Freud-i sulmin kryesor e bëri ndaj Atit. Siç shprehet Michel Foucault, “në qoftë se më parë ishte marrëdhënia e mjekut me prindin që kontrollonin seksualitetin e fëmijës, me ardhjen e psikanalizës raporti i fëmijës me mjekun do të trondiste seksualitetin  e vetë të rriturve”.
     Ky është qëllimi politik i Zigmund Freud-it. Duke sulmuar Atin, duke u përpjekur të shkatërronte struktuart e pushtetit me ndihmën e të cilave Ati shtypte dhe sundonte mbi fëmijen, Freud-i synonte të shkatërronte strukturat e pandërgjegjshme që ndërtuan dhe mbajtën gjallë një regjim totalitar në Gjermani. Psikanaliza është një sulm i hapur ndaj Nazizmit. Ati i Freud-it është as me shumë e as më pak por Hitleri. Duke kërkuar çlirimin nga shtypja e pulsioneve seksuale, duke kërkuar haptazi një liri seksuale, Freud-i, me mjaft dinakëri, kërkoi një liri politike të mirëfilltë, kërkoi shkatërrimin e regjimit totalitar.
     Nuk kemi thënë akoma as edhe një fjalë për demokracinë. Tek titulli e kemi identifikuar demokracinë si një sëmundje seksuale. Duhet argumentuar diçka e tillë.
     Në bazë të teorisë psikanalitike, një lider politik është një mishërim i pulsioneve tona seksuale; domethënë ne projektojmë tek ai dëshirat e shtypura seksuale. Duket sikur sipas psikanalizës i vetmi regjim i legjitimuar është një regjim totalitar, mbasi dëshirat e shtypura seksuale projektohen tek Ati.
     Duke ndjekur këtë logjike mund të shihet qartë se këto pulsione mund të projektohen tek një individ i vetëm, dhe jo tek 140 të tillë. Në këtë mënyrë, demokracia paraqitet si një sëmundje seksuale, pasi në këtë rast, pulsionet e ndrydhura projektohen tek disa dhe jo tek një individ. Sipas psikanalizës, t’i projektosh dëshirat seksuale në një shumësi individësh, tek një shumësi baballarësh, do të thotë “çrregullim seksual”, pasi ne mund të kemi vetëm një At.
     Kjo mund të duket absurde, por kështu qëndrojnë punët me psikanalizën dhe Freud-in. Duhet të bëjmë një zgjedhje: ose të pranojmë psikanalizën dhe njëkohësisht të pranojmë se jemi seksualisht të sëmurë ose ta hedhim poshtë atë si një teori të vjetëruar,  e cila e kreu më së miri funksionin e saj historik, por që tani nuk bën gjë tjetër veçse na bën të dukemi të sëmurë.

 

                                                                                                                                                       Kel Musaj

Demokracia si një çrregullim seksual