Dialektika e lirisë në 06:32 të mëngjesit

    Po të shihet nga një kendvështrim “tjetër”, situata mund të duket e pakuptimtë. E pse protestohet? Ne protestuam një herë, dhe e arritëm atë që deshëm, e rrëzuam totalitarizmin? Po tani, ç’dreq kërkojmë?

   Sartri fliste për diçka që ai e quante “dështimi sekret i arritjes”, dhe këtë ai e lidhte me lirinë. Në fakt, sipas tij, liria, për të mbetur liri, duhet t’i largohet fakticitetit. Kështu, liria bëhet një moskryerje esenciale sepse ajo lind nga një mungesë që nuk mund të mbushet. Sartri sjell shembullin e kriminelit, të cilin e ka shprehur edhe në letërsi tek novela “Herostrati”. Krimineli i mundshëm ka një natyrë të tijën, ka thelbin e tij. Duke dëshiruar lirinë, dhe të jesh i lirë do të thotë t’i shpëtosh thelbit tend, krimineli kryen një vrasje, përmes së cilës synon të dalë jashtë thelbit të tij. Dhe në këtë mënyrë ai ia del mbanë: arrin të çnatyrëzohet… të huajzohet!
Por këtu ka një problem dialektik. Tanimë thelbi i tij është krimi i tij, dhe ai gjendet sërish i burgosur në atë që pak më parë e bëri të lirë. Prandaj edhe Sartri thotë se “arritja përmban një dështim sekret”. Liria përkufizohet përmes dështimit, ajo “është një qenie që zgjedh si ideal të qeni qenien-që-nuk-është dhe që nuk është ajo që është.
    Pra, historia përsëritet: humbësit bëhen fitimtarë dhe fitimtarët humbës! Ky është kushti dialektik i ekzistencës së lirisë.

    Këtu përballemi edhe me mediokritetin e atyre fitimtarëve që pretendojnë se kanë ekskluzivitetin e lirisë. Në qoftë se me të vërtetë ata na e sollën lirinë, atëherë që në çastin që ne fituam lirinë ata u bënë dështakë, sepse liria u bë thelbi ynë dhe ne nuk jemi më të lirë. Duke na sjellë lirinë ata na burgosën, dhe në këtë çast fitimtarët shndërrohen në humbës.
    Nga ana tjetër, ata tregohen edhe më mediokër kur thonë se kanë ekskluzivitetin e lirisë, sepse liria ekziston vetëm në dialektikë. Pra lirisë i nevojiten edhe humbësit e jo vetë fitimtarët. Madje, humbësit kontribuojnë në lirinë tonë po aq sa fitimtarët. Njëanshmëria nuk është liri.

    Mos ndoshta për të qenë të lirë në këtë “burg të demokracisë” duhet t’i kthehemi edhe një herë totalitarizmit? Nuk është e thenë. Megjithatë, këtu demokracia has një vështirësi të stërmadhe. Kjo vështirësi quhet Francis Fukuyama. Në librin e tij “The End of the History and the last Man”, Fukuyama, edhe pse me një naivitet ngadhënjyes, paraqet një tezë mjaft domethënëse. Sipas tij, rënia e Murit të Berlinit dhe shembja e regjimeve totalitare të Lindjes shënojnë fundin e historisë. Tanimë, modeli amerikan i demokracisë është modeli i vetëm drejt të cilit synojnë të gjitha shtetet e globit. Tanimë ky model është i padiskutueshëm, ai nuk ka kundërshtarë… dhe me fundin e dialektikës edhe historia do të marrë fund.
    Pra, demokracia na qënka vërtet një burg.
    Por çështja nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Dikush mund të thotë se fakti që të gjitha shtetet tani do t’i lënë mënjanë konfliktet politike dhe do t’i kushtohen garës për demokraci përbën, në vetevete, një sistem të ri dialektik. Tanimë konfliktet do të ekzistojnë mes vendeve me nivele të ndryshme demokracie, dhe kështu që ne do vazhdojmë të jemi të lirë.
        Që historia nuk do të përfundojë – këtë e pranojmë të gjithë. Por, është nje çështje të cilës nuk mund t’i bëjmë bisht: totalitarizmat ekzistojnë edhe nën maskën e demokracisë… herë kemi një demokraci totalitare – herë një totalitarizëm demokratik. Kjo është liria dialektike, liria që njohim ne.

    Le të pyesim bashkë me Leninin: “Ç’të bëjmë?”
    Ç’të bëjmë që të jemi të lirë dhe pikë, pa dështime sekrete, pa dialektika, pa qenë nevoja që për të qenë të lirë më parë duhet të kishim qenë të burgosur, dhe tani që jemi të lirë, për të qenë të lirë, duhet të shndërrohemi në të burgosur?
    Një gjë mund ta bëjmë. Ashtu sikurse thotë Michel Foucault, liria, e drejta, demokracia, totalitarizmi, dialektika… janë të gjitha nocione e terma të sistemit tonë. Për të shpëtuar nga këto nocione kontradiktore duhet të mendojmë me terma që nuk i përkasin këtij sistemi: nuk duhet të prodhojmë më; tanimë duhet të krijojmë.

 

                                                                                                                                                              Kel Musaj

Dialektika e lirisë në 06:32 të mëngjesit