Dikush hesht, dikush flet…

Ky person deri dje heshtte, nuk fliste, ose bënte mish-mashe fjalimesh pa kokë e pa këmbë, sikur të ishte President i Fixhit dhe jo i Shqipërisë. Ka pastaj nga ata që ngrejnë universitete që kanë si lajtmotiv të tyre përgatitjen e mendjeve të reja të mbrujtura me idetë e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të të drejtës. Shumë cuditërisht, këta të fundit mbrojnë Gardën e Republikës, mbrojnë komisionin hetimor te kukullave të radhës dhe sulmet që ajo po u bën njerëzve të shtypit dhe të opozitës si dhe ndaj bizneseve: operatorët celularë janë të dënuar të jenë me Qeverinë dhe të pranojnë kërkesat e këtij Komisioni kukull. Sepse nuk kanë sesi të mbrojnë të drejtën e tyre. Kush do e marrë përsipër në fund të fundit? Kryeministri strehon persona të kërkuar nga organet e hetimit, i bën karshillëk Kryeprokurores, dënon ish birin e tij aktualisht President si pucist dhe kryqëzon atë pjesë të shtypit që i ka nxjerrë dhe do të vazhdojë t i nxjerrë të palarat dhe të gjitha këto nën hundën e drejtësisë, më të kapur se kurrë, më të heshtur se kurrë.

Kjo mbrojtje që i bëhet kësaj politike shkatërruese për vendin është e shëmtuar dhe sa më shumë të theksohet, aq më shumë merr pamjet e një regjimi fashist, ku në krye qëndron një person që është vet drejtësi, vet president, vet ekzekutiv dhe vet ligjvënës dhe poshtë tij qëndrojnë butaforë që nuk kanë më asnjë skrupull për ta mbrojtur atë. Ata nuk kuptojnë momentin historik. Ata rreshtohen ethshëm në krah të Qeverisë në një moment kur Qeveria dhe krahët e saj të armatosur në Parlament dhe në Gardë po sulmojnë cdo gjë që ka hije institucionale ose ligjore në Shqipëri. Dhe përse në fund të fundit? Për hir të një bllokburri që bënte pazare dhe që për të cilin nuk po veprohet nga drejtësia në pritje të një mesie amerikan që do të vërtetojë atë që të gjithë e panë me sy…

Ata bëjnë një gabim historik sepse nuk po mbrojnë një Qeverisje legjitime, por një Qeverisje kërcënuese ndaj lirisë. Unë jam i bindur se atë pozitë e mbajnë për shkak interesash të ngushta ose për shkak të një koherence intelektuale që tashmë duhet ta lënë mënjanë. Nëse kanë qënë të rreshtuar djathtas, ata do të mbeten djathtas edhe sikur të kritikojnë Qeverinë, sepse kjo Qeveri nuk ka asgjë djathtas. Kjo Qeveri ka cdo gjë që e klasifikon atë si autoritare, gati fashiste ose ushtarake: ndryshe duartrokitjet e Gardës së Republikës drejtuar Kryeministrit ndërkohë që kanë si drejtues Presidentin, unitetin e kombit, janë simptomat e një Qeverisjeje në bashkëpunim të ngushtë me ushtrinë, për mos ta klasifikuar si juntë… Edhe sikur qëndrimet e këtyre opinionistëve drejtues universitetesh të ishin të justifikuara, si kundër opozitës ashtu dhe pro Qeverisë, tashmë ato nuk qëndrojnë më. Cdo minutë heshtje është në dëm të demokracisë, cdo minutë e harxhuar duke justifikuar këtë Qeveri është gjithashtu në dëm të demokracisë. Ka ardhur koha që ato që thuhen dhe predikohen të realizohen dhe nga drejtuesit e universiteteve opinionistë: vetëm kështu mund të shkojmë në Evropë, përndryshe do të mbetemi me hijet lindore të të kaluarës…
                                                                                                                                                                    Stavri

Dikush hesht, dikush flet…