Disa pyetje për median shqiptare dhe greke

gazetaria

Ka kaluar thuajse një javë nga publikimi i fotos së shtatë ushtarëve grekë me origjinë shqiptare duke bërë gjestin e shqiponjës. Një kataklizëm, një apokalips i vërtetë ka shpërthyer në media dhe në rrjet. Në Shqipëri kanë reaguar disa politikanë, ndërsa në shtetin fqinj kanë reguar ministra dhe kryetarë partish. Eshtë thirrur edhe një interpelancë në lidhje me ngjarjen.

Tani pyetja e parë vjen natyrshëm:
A kanë emra këta shtatë ushtarë?

Në epokën e informacionit fluid, ku edhe shtete të fuqishme si SHBA-të, nuk arrijnë të mbajnë sekret emrin e informatorit të wikileaks (Bradley Manning), pra emrin e një tradhëtari nga rradhët e ushtrisë, që u shkaktoi dëme dhe plot telashe; nuk ka sesi shteti grek të mbajë sekret 7 emra të rinjsh që bëjnë një gjest në fotografi.
A kanë prindër këta të rinj, motra vëllezër, shokë, miq, këndej dhe andej kufirit? Si ka mundësi që asnjë emër nuk ka dalë? Askush nuk ka njohur vëllain, të birin, mikun. Asnjë gazetar i aftë nuk ka arritur të zbulojë cilët janë ushtarët “famëkeq”.

Natyrshem lind dyshimi:
A ka ndodhur vërëtetë ngjarja?

Pra përpara se të shtrohen të gjitha pyetjet e tjera duhet ti përgjigjemi pyetjes a ka ngjarje, apo nuk ka.

Në epokën e informacionit fluid, më shumë se gjysmat e informacioneve janë të paverifikuara. Një pjesë e mirë e lajmeve janë të rreme, dhe një pjesë tjeter janë të stisura qëllimisht.

Përpara se të ndizen gjakrat duhet verifikuar lajmi. Dhe ne ende nuk dimë a ka lajm apo nuk ka.

Situata e krijuar është sa artificiale aq edhe qesharake.

Për ta mbyllur edhe një pyetje të fundit:
A ka gazetari në Ballkan?
Unë nuk kam asnjë dyshim dhe e kam përgjigjen, por nëse ka gazetarë që i lexojnë këta dy rreshta duhet t’ia shtrojnë këtë pyetje vetes.

Onufri

Disa pyetje për median shqiptare dhe greke