Dordoleci

dordolec

I thanë dordolecit, fshatarët e rropatur nga puna, nën diellin përvëlues “po ti, për çfarë na duhesh?”.
Ata, që e kishin bërë me duart e tyre, e pyetën sërish “për çfarë duhesh kur arat na i griu miu?” Dhe u gatitën për ti vënë zjarrin.
Donte t’iu përgjigjej Dordoleci “ju vetë më bëtë gjysmë trupi e më ngulët në një hu”…

Një makinë luksoze e tipit BMW me targa të huaja, i preu rrugën autobusit të linjës Tiranë-Kamzë. Katër djem të rinj të veshur me xhinse dhe bluza firmato, me flokë të qethura,me siguri te i njëjti berber, dolën nga makina të armatosur, thyen xhamat e autobusit dhe nxorën zvarrë drejtuesin e tij. Fyerje, grushte dhe goditje çnjerëzore. Blici u zhvillua në mes të ditës, në qendër të Kryeqytetit, përpara Kafe Florës, në rrugën e Durrësit. Plot çerek ore rrahje çnjerëzore në sy të qytetarëve që asistonin të pafuqishëm skenën. Po aq të pafuqishëm dhe po aq spektatorë, Uniformat Blu qëndronin pak metra larg vendngjarjes.

Dordolecë të pafuqishëm e të pafajshëm, të një shteti militantësh me makina pa targa…

Presidenti Topi (ish) ka hapur një llogore dhe po drejton armën e tij më të çmuar, elokuencën, kundër shtetit monopol të Sali Berishës. Poliglot si kryetari i FRD-së rrallë gjen në vendin tonë. Nuk mund të perifrazoj asgjë prej fjalimeve që mbajti gjatë presidencës për shkak të zhdërvjelltësisë shprehimore që e karakterizon. Por nuk do të më shqitet nga mendja vetëm një moment, atëherë kur vendi ishte në prag të një kolapsi institucional. “Jam lojtar i mesfushës” deklaroi vetëm pak kohe pas 21 janarit.

Tifozi Topi mund të jetë shumë mirë dordolec i mesit të arës. Edhe sot llogorja që ka hapur është thjesht një vrimë. Një vrimë në ujë…

Vendin e tij e zuri Nishani. Arma e tij është logorrhea edhe pse nuk është llafazan. Sidoqoftë, nuk e di cilin mendon të trembi Kryeministri me dordolecin e radhës, por më tepër duket se e ka vendosur për dekor në Shqipërinë ku e mbjella ka vajtur dëm dhe ka mbetur vetëm Egjra për t’u korrur.

Me zhurmë si çdo lëvizje politike erdhi Silvia Konti e Shqipërisë dhe po me aq zhurmë u largua. Shpresuam që të kishte zhurmë edhe gjatë mandatit të saj. Zhurmë për arrestime, për dosje politikanësh të korruptuar, për vënien para drejtësisë të autorëve të krimeve që tronditën jo vetëm Shqipërinë por edhe opinionin publik evropian.

Asgjë! Qetësi që do të shurdhonte edhe një dordolec që nuk ka veshë…

“Po të më kishit dhënë këmbë edhe miun e arës do e ndiqja pas, por ju më ngulët këtu për të trembur sorrat” donte të bërtiste Dordoleci, por fshatarët nuk i kishin dhënë as gojë që të fliste.

E ndër të gjithë dordolecët njëri është më i suksesshmi në heshtjen dhe kotësinë e vet, “Shoqëria Civile” . Sukses kotësie që e ndan me një pjesë të mirë të mediave.

U mblodhën fshatarët dhe i dogjën gjithë të mbjellat e vajtura dëm. Bashkë me to edhe Dordolecin. Çdo gjë u bë hi në mënyrë që toka, e cila ka veti të ripërtërihet, të japë frute të reja, më të shëndetshme se të parat, natyrisht edhe me ndihmën e vetë fshatarëve që mësuan nga gabimet e të shkuarës.

I vetmi që shpëtoi ishte miu i arës. Ai pret sezonin e ri për të bërë sërish kërdinë.

Dordoleci