Dy fjalë për Kosovën

Në datën 22 korrik GjND-ja i dha një përgjigje të prerë shteteve akoma skeptike. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Pra de-jure Kosova është një shtet i pavarur. Autoritetet serbe, çuditërisht entuziaste në momentin e depozitimit të kërkesës, u gjendën të befasuara në momentin e shpalljes së vendimit ku edhe diferenca ishte thelbësore, 10 vota kundrejt 4. Por nëse bëjmë një analizë të thjeshte del që vendim i GjND-së ishte i pritshëm dhe askush nuk duhet të befasohej  aq më pak Ministri i Jashtëm serb Jeremiç:

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përbëhet nga një kolegj prej 15 gjykatësish me kombësi të ndryshme. Po të shikojmë me vëmendje votimin del se 10 gjyqtarët që njohën legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, vijnë nga shtete të cilat e kanë njohur shtetin e ri: Japoni, Gjermani, Francë, Jordani , Somali, Brazil, Angli, Meksikë, Zelandë e Re dhe SHBA.

Votat kundër erdhën nga gjyqtarët e Rusisë, Marokut dhe Sllovakisë, shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Duhet shtuar vota kundër e gjyqtarit nga Sierra Leone dhe vetëm në këtët rast kemi të bëjmë me anomali duke qenë se Sierra Leone e ka njohur shtetin e Kosovës.
Mbetet për t’u nënvizuar mungesa e gjyqtarit të 15 për arsye shëndetësore, përfaqësues i Republikës Popullore Kineze. Një lëvizje mjaft dinake e kësaj të fundit në politikën e jashtme, e shtyrë nga nevoja për të mos i dalur haptazi kundër Shteteve të Bashkuara, por edhe për të siguruar kështu mosnjohjen e Taivanit nga autoritetet kosovare.
Pra asgjë e paparashikueshme në vendimin e GjND-së. Parashikohej një rezultat 11 me 4 që ndryshon shumë pak nga rezultati final 10-4.

E mbërthyer nga zhgënjimi dhe me pasion të rinovuar politika e jashtme Serbe premton një betejë tjetër, këtë herë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe premton madje sukses dhe revansh në këtë nismë të dytë. Rezoluta e paraqitur nga Serbia për diskutimin e statusit të Kosovës ka acaruar marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së eshtë organi më i rëndësishëm i kombeve të bashkuara. Përbëhet aktualisht nga 192 shtete dhe mblidhet një herë në vit, gjatë javës së tretë të shtatorit dhe i zhvillon punimet e saj deri në fund të muajit dhjetor. Sipas mendimit të ish ministrit të jashtëm Serb, Vuk Drashkoviç, rezoluta e Serbisë ashtu sic është paraqitur, vetëm do ta dëmtojë atë pasi deri në fund të vitit parashikohet që më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së ta kenë njohur Kosovën. Pra është e pamundur që rezoluta serbe të kalojë duke patur parasysh edhe faktin që për çështje të tilla nevojiten 2/3 e votave. Drashkoviç shkon edhe më tej kur parashikon që nëse rezoluta kalon (edhe pse sot duket e pamundur) pasojat do të jenë edhe me negative pasi rezolutat e OKB-së nuk janë detyruese dhe ajo vetëm sa do të krijonte një konflikt mes Beogradit dhe Washingtonit, duke mos korrur asnjë rezultat përsa i përket sovranitetit mbi Kosovën.

Si përfundim është i qartë konfuzioni që ka përfshirë politikën e jashtme të Serbisë. Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm i cili së fundmi mori edhe bekimin e GjND-së, në pritje të vulës përfundimtare që mund të vijë në dhjetor nga pallati i xhamtë në New York.
J.GJ.

Dy fjalë për Kosovën