E majta evropiane në rënie të lirë

Partia Demokratike italiane e Veltronit, kur ai ishte sekretar i përgjithshëm i humbi zgjedhjet pasi nuk diti të afrojë mjaftueshëm të majtën e quajtur ekstreme. SPD-ja gjermane heziton midis radikalizimit të lëvizjes së saj politike apo kalimit lehtësisht më në qendër. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për të majtën franceze, ku janë profilizuar dy drejtime, ai i drejtueses aktuale që kërkon një radikalizim të aksionit politik pra një rrëshqitje majtas dhe drejtimi i Segolene Royal, ish kandidatja për Presidente e cila kërkon një rinovim “europian” të së majtës franceze duke e afruar me partinë e qendrës së djathtë. Përjashtimi i vetëm që vlen të theksohet është Jose Luis Zapatero në Spanjë, i cili deri më tani po i reziston kohës dhe mjaft mirë.
Një lëvizje e përgjithshme e ngritjes në pushtet të të majtave ndodhi menjëherë pas rënies së bllokut lindor. Kjo duhet parë më ngushtë me politikat tejet liberale që u ndërmorën nga disa vende të Europës dhe në njëfarë mënyre, popujt treguan cfilitjen e tyre kundër ketyre reformave duke menduar se po të votonin majtas do t’i jepnin fund kësaj situate të vështirë të diktuar kryesisht nga papunësia e lartë. Dhe kështu ndodhi. Duke filluar nga Anglia, Franca, Spanja dhe duke vazhduar me Gjermaninë dhe Italinë u ndje një nevojë e madhe për të humanizuar ekonominë dhe për të larguar spektrin e papunësisë dhe të tensioneve sociale që ajo sjell. Megjithatë, kjo periudhë nuk zgjati shumë pasi u panë defektet e shumta të së majtës.
I pari qëndron te ideologjia e të majtës sot. As majtas, as djathtas po kurrsesi e qendrës, ajo e ka shumë të vështirë të vendoset në skakierën politike. Provë e fortë janë ngatërresat në Francë dhe Itali si dhe koalicioni që bëri social-demokracia gjermane me qeverinë e Angela Merkelit. Mund të themi që e majta është në nje krizë identiteti pasi sot njerëzit e kuptojnë që nuk është një alernativë të vendosësh midis një partie kapitaliste por jo shumë (të majtat) dhe një partie kapitaliste që di të bëjë dhe humanizëm (të djathtat). Në këtë kuptim, asgjë nuk i ndalon partitë e djathta të qëndrojnë në pushtet derisa koha të bëjë të vetën dhe populli të ketë nevojë të shohë fytyra të tjera udhëheqëse në televizion duke i dhënë votën një paritë të kahut tjetër politik. Po pyetja qëndron: a do të dijë kjo parti e majtë të bëjë një politikë ndryshe, apo do të mbetet peng i parimit “tërhiq e mos e këput”, që mund të përkthehet, pak politikë sociale, por jo shumë pasi nuk duhet të preken interesat e kapitalit që po fuqizohet nga dita ditës në saj të mungesës së kufijve.
I dyti, por aspak më pak interesant dhe më pak shqetësues, sherrnajat kolektive dhe kronike që karakterizojnë partitë e majta. Të themi se shumë demokraci e vret demokracinë do të ishte abuzim nga ana jonë, por ama mungesa e organizimit dhe e drejtimit në këto parti vihet re. Dikush mund të thotë që është shenjë që partia po ecën drejt një rruge të drejtë emancipimi demokratik. Dhe mund tëjetë e vërtetë. Po partitë, përtej promovimit të demokracisë kanë për detyrë që të vijnë në pushtet, të drejtojnë dhe të zbatojnë politika në të mirë të popullit. Duket sikur biem në një dikotomi të fortë dhe ka shumë gjasa të jetë kështu. Rasti më i mirë dhe më i afërt (pa përmendur Italinë, Francën, Anglinë dhe shumë vende të tjera), është ai shqiptar. Dje në darkë, vëmendja e shqiptarëve duhet të ishte e fokusuar në dy stacione televizive ku në njërin ishte ish kryetari i PS-së dhe në tjetrin liderat e të majtës së sotme. I pari shante udhëheqjen aktuale, ndërsa nga stacioni tjetër, i brendshmi i partisë më të madhe të opozitës shante kryetarin në detyrë të saj ndërsa aleatët përpiqeshin ta mbronin. Një situatë e koklavitur që tregon mungesë koherence, inate të forta, mllef, mendjemadhësi dhe rrjedhimisht asnjë synim për fortësim të të majtës, asnjë diskutim ideologjik mbi dhe kuptohet asnjë vizion për të projektuar një ardhje në pushtet pas disa kohësh. Ishte realisht për të ardhur keq…
Dhe së treti, defekt tjetër është mendjemadhësia akute që karakterizon udhëheqjen e majtë. Kjo udhëheqje dikur proletare, sot duke filluar nga revolucionet e 1968-ës nëpër Europë, është kthyer në një udhëheqje e borgjezuar, e të drejtave të lirive në letër, e mendimit filozofik, e aksionit po pasi të jetë debatuar 400 herë nëpër forume dhe kështu vetvetiu nevoja e aksionit ka kaluar… Një e majtë e tillë është aleati më i mirë i kundërshtarit politik dhe nëse vazhdohet kështu, mund të themi të bindur se e djathta ka ende ditë të bukura përpara…

 

[Shenim. Merkel fitoi zgjedhjet ne Gjermani dhe tashme eshte gati te krijoje koalicion me liberalet. Social-demokratet shenuan rezultatin e tyre me te ulet qe pas Luftes se Dyte Boterore dhe fakti qe kjo parti beri aleance me konservatoret ne vitin 2005 ka influencuar shume ne zgjedhjen e njerezve. Partia e majte ekstreme mori si asnjehere 13-14%. Ndersa jeshilet 11%. Kj tregon se populli deshiron te votoje majtas po majtas nuk ka kohezion dhe per me teper ka nmje parti qe eshte ne krize identiteti si social-demokratet, te cilat tanime duhet te radikalizojne fjalorin e tyre politik…]

E majta evropiane në rënie të lirë