Formulari i konsensusit

hatefulshume

Dy vjet që merren me ligjin e dekriminalizimit. Përfundimi është pezmatues: një formular për t’u plotësuar në bazë të disa akteve nënligjore që janë, për nga forma dhe përmbajtja, antikushtetues.

Ka disa ditë që deputetët e shumicës po shprehin idenë se ligji i dekriminalizimit ka probleme serioze kushtetueshmërie, por për hir të konsensusit, e kanë pranuar. Ata shtojnë se dihet shumë mirë që askush nuk do e dërgojë këtë ligj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për hir të konsensusit.

Nga ana tjetër, opozita thotë se ky ligj do të çlirojë Kuvendin nga kthetrat e krimit, por është shumica, e cila ka frikë nga ky çlirim, që nuk do ta japë konsensusin.

Sot u konsumua akti i dytë i konsensusit, pas të parit që lidhet me miratimin e ligjit. Sot u miratua formulari : dikush nga halli i konsensusit, dikusht nga halli për të çiruar Kuvendin nga kthetrat e krimit.

Koha do e vërtetojë se kjo ishte një maskaradë antikushtetuese, një çmenduri e ofruar nga disa gra e burra që tragjikomikja e kohës që jetojmë i ka dërguar të shpalosin tërësinë e mediokritetit të tyre.

Në fakt koha erdhi shumë shpejt. Në një opinion shumë të mire të juristëve të Kuvendit, rezultoi se Ligji për dekriminalizimin është i pazbatueshëm në atë formë dhe mënyrë që është miratuar. Ligji krijon disa rregulla që duhet të vihen në jetë me anë të akteve normative. Mirëpo aktet normative që duhet të dalin në zbatim të tij janë të një natyre të tillë që Kuvendi nuk i miraton dot. Kuvendi miraton ligje dhe jo akte normative me efekte të përgjithshme. Kjo është një kategori normative që nuk ekziston për Kuvendin. Së dyti, akti normativ, krijon disa detyra për Prokurorinë e Përgjithshme të cilat nuk mund të lindin nga akte normative, por me ligj. Pra, një hiç. Po të shtojmë dhe gabimet drejtshkrimore në formular, gjë që do të rrisë vështirësitë konceptuale dhe kuptimore e analfabetëve funksionale që sundojnë masivisht Kuvendin, i bie që të kemi një ligj të pazbatueshëm, nëse kishte njeri ndërmend që këtë ligj ta zbatonte ndonjëherë. Dhe po të shtojmë gjithashtu faktin se ky ligj në vetvete krijon prezumime fajësie, çka e bën atë antikushtetues, kemi një tablo shumë të qartë se çfatë katrahure kanë bërë deputetët. E gjitha kjo me konsensus.

Është tashmë shumë e qartë për të gjithë se konsensusi është arma e çdokujt që kërkon të anashkalojë ligjet e shtetit për të krijuar një korpus pseudoligjor. Arsyet mund të jenë të ndryshme: së pari t’ia hedhin ligjit, të sigurojnë veten e tyre nga një e ardhme që sado e parrezikshme, duket si më pak e sigurt për ta. Së dyti për të luajtur politikisht. Synimi sot, i ndërkombëtarëve në Shqipëri, por edhe i vetë popullit, është reforma në drejtësi. Në këto kushte, me ligjin për dekriminalizimin është luajtur me këto ndjenja, duke thënë: o jepini konsensusin ta votojmë, o jeni kriminelë. Ah… prapë ky konsensusi. Konsensusi për të bërë ligje shkel e shko, për politikë dritë shkurtër. Dhe natyrisht, konsensusi u dha.

Gabimi nuk është fatal. Por ama e heq vëmendjen nga temat më të rëndësishme: përpjekjen për të zbatuar ligjet ashtu siç janë dhe synimin për të reformuar drejtësinë, ashtu siç duhet. E para nuk kërkon konsensus. Kërkon që ligji të zbatohet siç është, akoma më shumë kur ke ardhur në pushtet me premtimin se ligji më në fund do të zbatohet në Shqipëri. E dyta mund të kërkojë konsensus. Por jo me maskarada antiligjore që nuk do të prodhojnë asgjë përveçse humbje kohe.

Stavri

Formulari i konsensusit