Gabimet e Qeverisë me “projektligjin për shpifjen”

foto_artikull_qeveria

Kush po gërthet lart e poshtë për rikthimin e censurës është pikërisht ai që u akomodua më së miri me censurën në kohën e Sali Berishës. Bën një lojë të dyfishtë, i nxitur nga arsye personale, nga arsye biznesore, politike ose thjesht për shkak të një qendrimi të dyfishtë që ndoshta buron edhe prej një klime më të mirë për lirinë e fjalës, krahasuar me para disa vite.
Kush po i bën jehonë këtyre gërthitjeve është ai që ka dy vjet që mezi pret të zhgënjehet, ose ai që është zhgënjyer realisht ose ai që thjesht është kundër qeverisë.

Të parëve e kemi vështirë t’i falim qendrimet e tyre. Ata kanë heshtur kur duhej të flisnin. Për shkak të rëndësisë së detyrës së tyre në shoqëri, ata janë bashkëfajtorë të etiketimit që vijon e i bëhëet Shqipërisë së vend “gjysmë autoritar”.

Të dytëve nuk kemi si të mos ua kuptojmë zhgënjimin e tyre. Pjesë e tyre mund të jemi dhe ne. Ata kanë pranuar të luajnë lojën e demokracisë, duke votuar dhe duke shprehur padurimin e tyre shumë të ligjshëm, për shkak të një zvarritjeje të Shqipërisë nga politika, patericë e të cilës u bënë mediat që tashmë u kujtuan për lirinë e shprehjes.

Megjithatë, gabimi i parë në lidhje me projektligjin për shpifjet, që synonte të shtonte një nën në Kodin Penal me objekt dënimin e shpifjes me gjobë ose me burg deri në tre vjet, qendron te nxitimi i Qeverisë për ta paraqitur në Kuvend, në një formë të tillë që ta quash paçavurre është pak. Ua lëmë shkullakëve, bushatëve e blushëve të zbulojnë arsyet okulte të këtij nxitimi të panevojshëm. Duam thjesht të fokusohemi te oportuniteti dhe te përmbajtja e këtij projektligji.

Kriminalizimi i shpikjes nuk është një shpikje shqiptare. Shpifja është parashikuar në kodet penale të shumë vendeve perëndimore, si Francë, Belgjikë, Zvicër, Kanada, Itali. Në tre prej tyre (Belgjikë, Zvicër, Kanada) ajo dënohet dhe me burgim. Nuk na u desh shumë për të arritur në këtë përfundim, një hulumtim i thjeshtë të çon drejt këtij fakti. Në këtë kuptim, në vetvete nuk ka asgjë skandaloze të kriminalizosh shpifjen. Problemi lind kur vendos të rikthesh këtë vepër penale, pasi ajo është hequr njëherë. Kjo mund të ngjajë si një kthim mbrapa. Problemi bëhet edhe më shqetësues kur projektligji është paraqitur në gjysëm klandestinitet në Kuvend dhe mbi të gjitha me atë përmbajtje.

Sepse vendet që përmendëm më sipër, pavarësisht se shpifjen e parashikojnë në kodet e tyre penale, kanë vendosur edhe me ndihmën e gjykatave të tyre, kritere shumë të qarta të cilat sjellin përgjegjësinë penale, në radhë të parë të botuesit të gazetës dhe më pas të gazetarit që ka bërë shpifjen e pretenduar. Për shembull, në rastin e Zvicrës, do të kemi shpifje kur shpifësi e njeh shumë mirë faktin që ato që shkruan janë të pavërteta dhe në mënyrë të qëllimtë kërkon të rrënojë reputacionin e personit (publik ose individ të thjeshtë). Natyrisht këto kritere i qëmton gjykata, por me atë projektligj të propozuar, gjykata, megjithë vullnetin e mirë (nëse do e ketë ndonjë ditë), do të jetë shumë e vështirë që të gërmojë dhe të zbulojë këto kritere.

Dhe këtu është gabimi i dytë, që lidhet pazgjidhmërisht me të parin: përse një tekst kaq i thatë? Qeveria nuk ka asnjë detyrim që të shqetësohet për pritjen që do i bëjë media projektligjit, edhe një qeverisje e kujdesshme duhet ta ketë. Por ama një Qeveri e përgjegjshme duhet të kujdeset që për çështje sensitive të propozojë zgjidhje të kujdesshme dhe lehtësisht të mbrojtshme. Ky projektligj nuk ishte i tillë.

Dhe së fundi, gabimi i fundit dhe i panevojshëm është larja e mutit me shurrë, duke dhënë pretekstin se kjo i drejtohet politikanëve që përbaltin pa të drejtë funksionarët e shtetit dhe jo medias. Jo. Ky nuk është argument dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë shembull të njëjtë në Europë. Ky pretekst është si një dritare e hapur, sa për të hedhur plehrat me shpresë se s’do ta kuptojë njeri. Politikani nuk përkufizohet dot aq kollaj dhe rrjedhimisht nuk mund të dënohet një njeri që për nga natyra nuk ke elementët e mjaftueshëm për ta përkufizuar.
Projektligji nuk është ndonjë krim i madh. Përkundrazi. Ai qendron dhe mund të realizohet, si një mënyrë mjaft e mirë e ndërgjegjësimit të mëdiave që çojnë njerëzit në qorrsokake për faj të mediokritetit dhe dashakeqësisë së tyre tashmë shumë shpesh të provuar. Por jo në këtë formë dhe jo me atë përmbajtje.

Stavri

Gabimet e Qeverisë me “projektligjin për shpifjen”