Game of koqe

bunkers-hamburger

Pa kaluar ende tymi i furrës poshtë bunkerit, pa iu drejtuar Lulit tërësisht kordat vokale, po asistojmë tani në debatin shumë të madh dhe shume të rëndësishëm mbi oportunitetin e bunkerit prapa Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dëgjosh disa, ajo ishte aq e shëmtuar sa protestuesit e PD-së nuk ishin aty të punësuar për të protestuar, por të punësuar për të vënë në vend nderin e estetikës në Tiranë. Disa të tjerë anatemojnë arrogancën e Ramës se ndërton pa na pyetur, ose më saktë pa pyetur popullin, por populli në kështu rastesh jemi gjithmonë “ne”; ne që ngrejmë shqetësimin, që dimë çfarë do populli.

Pyetja që vjen natyrshëm: po populli nuk do më të hajë? Përse nuk merreni me popullin që nuk ka të hajë bukë por me estetikën e një qyteti që për ju baltë të ishte nuk do ju vinte keq, se do të kishit se çfarë të kritikonit. Po për disa çaste populli kishte çfarë të hante, kështu që ishte legjitime të merreshe me bunkerin.

Po tani është pjesa më e bukur e gjithë kësaj historie, që nëse nuk është provinciale për nga vendndodhja, është e tillë për nga psikologjia? Përse po merremi me bunkerin? Sepse disa njerëz vendosën ta rrëzonin. Përse? Sepse është simboli i komunizmit. Siç ishte Piramida, siç mund të ishte dhe Pallati i Kongreseve e kështu me radhë. Po jo. Këto mund të jenë të komunizimit, po jo tamam. Se aty bëjmë panaire dhe kongrese partish. Ato na duhen. Mjeranë hipokritë. Ku do të fusnit kokat tuaja boshe për të bërë ato takime dhe zbukurime për të festuar me batërdinë e shëmtuar të radhës. E jo. Estetika është estetikë, ajo që nuk na pëlqen të prishet, qoftë dhe me dhunë dhe e diktuar politikisht.

Por jo. Kjo nuk ishte tamam e komunizimit. Ishte i “krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë të bijve të etërve”. Aaaaaa poooo. Qartë. Nëse është kështu, atëherë edhe mund të prishet. Sepse krimi, korrupsioni dhe padrejtësia janë një konstante që po e shoqëron Shqipërinë këto vite, atëherë o burra t’i rrëzojmë. Por jo. Nuk na shqetëson korrupsioni, krimi dhe padrejtësia. Të ishte kështu, kordat vokale të Lulit nuk do të vuanin martirin sepse tani që po flasim ai do ishte duke buzëqeshur në burg. Na shqetëson tjetër gjë: duam pushtetin. Qoftë dhe për t’ia hequr këtij që është, qoftë dhe për ta marrë se pushteti është i ëmbël. Duhet. Shërben. Fshin, pastron, bën të harrosh dhe të kujtosh atë që nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Me folkorin e djeshëm PD-ja në fakt tregoi më shumë sesa çka ajo fuqi të tregojë. Se nuk jemi ende gati për të kaluar tranzicionin. Demokracia ka disa rregulla. Dhe nëse rregullat i thyen partia institucionale që kërkon të marrë pushtetin jo me rrëzime simbolesh, gjë që në fakt dështoi mjerisht, por me rrugë që deri tani as nuk i ka shfrytëzuar dhe as nuk i njeh: votë dhe luftën parlamentare. Të parën e ka përçudnuar sa herë ka patur mundësi, të dytën e ka katandisur në mjet për t’i treguar botës se mediokrët kanë shansin e tyre në këtë jetë. Dhe goxha shans. Me kritizerët inteligjentë që kemi, ka gjithmonë një shans.

Game of koqe