Gjergji si Kreshniku

111111

Njihen disa tipa të zhgënjyerish: ata nga partitë, ata nga idealet, ata nga atdheu, dhe ata nga vetvetja. Ka dhe nga ata si Gjergji, i cili s’na e thotë pse është zhgënjyer, duke u orvatur me dinakëri të bëjë bashkë qingjin dhe ujkun nën emëruesin e përbashkët, perëndinë e të gjitha bestytnive, Zhgënjimin.

Unë, si shumë të tjerë jam i zhgënjyer. Për shembull, jam i zhgënjyer që nuk kemi ende një reformë në drejtësi e për pasojë nuk e kemi edhe ne Sanaderin tonë, kuptohet Sanaderin në burg, pra Berishën aty ku e ka vendin. Unë nuk e dua Berishën në burg për antipati personale. Ai, dhe jo Agim Llupo me gardistë të tjerë, ekzekutoi 4 protestues në mes të Tiranës dhe kjo nuk kërkon një vendim gjykate për tu vërtetuar. Dita ditës bindem që reformë në drejtësi nuk ka për të pasur e për rrjedhojë edhe shpresa ime për drejtësi do të varroset diku në orën shqiptare të harresës.

E megjithatë Gjergji, kopilçe, do të më fusë në një thes me të zhgënjyerit që s’kanë marrë sa meritojnë nga partia (më ngjan se vetë Gjergji është njëri prej tyre). Por edhe më keq, kërkon të më rreshtojë me ata të zhgënjyer që kanë 25 vjet pa i paguar dritat në emër të ish partisë së Gjergjit (i cili ka qenë edhe drejtor i KESH-it). Më keq akoma, meqenëse i falemi të njejtës perëndi pellazge, pra Zhgënjimit, ai ka menduar me dinakëri, që nëpërmjet votës, të më barazojë me ata të zhgënjyer që mendojnë se Berisha duhet të na varte te palma para Kryeministrisë (zemërdobëti, nuk e bëri).

Këtu mund të numëroj edhe 1001 të zhgënjyer të tjerë, që nga ata të hashtagjeve që përdor Erion Veliaj në twitter e deri tek i zhgënjyeri nga moti i keq. Disa syresh nuk do të pinin dot as kafe në të njëjtin lokal me mua, pavarësisht perëndisë pellazge që kemi të përbashkët…

Jo shumë kohë më parë, mbaj mend një tjetër profet që doli të mblidhte bashkë të gjithë shqiptarët që adhuronin perëndinë tjetër pellazge, Nacionalizmin. Kreshniku ishte profeti perfekt. Ishte veç, pra hiqej sikur s’kishte lidhje me të tjerët. Emrin e kishte të përshtatshëm për Zotin që kishte përgatitur t’iu prezantonte shqiptarëve. Pretendoi edhe të nxirte një million në shesh. Siç e tregoi koha në fakt, si hap të parë mblodhi bashkë në kuti votimi diku te 10 mijë naivë që nga ballisti e deri te kripto enveristi, ndërsa sot vështirë se i ka 100 tifozë kuqezi pas vetes, derisa të harrohet edhe ai me paçavuret e veta.

Gjergji me Kreshnikun kanë të përbashkët partinë ku hëngrën dhe nga e cila u zhgënjyen se nuk ju dha sa donin. I pari nuk e vuri ujin në zjarr për çështje si Gërdeci por iu dhimbs kombi, ndaj edhe u nda nga partia. I dyti nuk e lodhi shumë mendjen as për Gërdecin as për 21 Janarin (sa e sa drama të tjera përjetoi ky popull!) por iu dhimbsën të zhgënjyerit. E të dy bashkë mendojnë se mund të bëjnë politikë tallava ashtu sikurse Flor Mumajesi bën muzikë.

Mua më dhimbsen veç naivët, të cilët duke mos ditur ku ta adresojnë zhgënjimin, dëshpërimisht do të zgjedhin Gjergjin e sotëm, ashtu sikurse Kreshnikun e djeshëm, për ta gjetur veten edhe më të zhgënjyer se ç’ishin në fillim.

Tanks

Gjergji si Kreshniku