Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për kushtetueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit

tribunal

Gjykata Kushtetuese, para pak ditësh rrëzoi kërkesën e Elvis Roshit. Sot, ajo zbardhi vendimin e saj. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për kushtetueshmërinë e Ligjit të dekriminalizimit. Duke patur parasysh se ky ligj përmban dispozita që potencialisht, bien ndesh me Kushtetutën (këtë gjë e ka pranuar dhe klasa politike, sepse është vetë ajo që ka premtuar përfaqësuesit e saj në Kuvend, nuk do ta çojnë përpara Gjykatës Kushtetuese këtë ligj), Gjykata Kushtetuese e ka mbajtur në këmbë këtë ligj edhe për ca kohë.

Kushtetuta parashikon disa raste të shkarkimit të organit të qeverisjes vendore (kryebashkiakut), në nenin 115 të saj nga Këshilli i Ministrave. Përjashtimisht nga rregullat e ankimit kundër vendimeve administrative, Kushtetuta lejon ankimin e organit të qeverisjes vendore drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo Ligji për dekriminalizimin parashikon një procedurë tjetër shkarkimi, që nuk i bindet logjikës së nenint 115 të Kushtetutës, pasi nuk është vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryebashkiakun. Procedura e parashikuar fillon me verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka konstatuar se faktet kundër Elvis Roshit parashikoheshin në Ligjin e dekriminalizimit dhe që përbënin shkak për ndërprerjen e mandatit. Përfundimet e verifikimit i dërgohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila ka kompetencë dhe, efektivisht, shpalli përfundimin e mandatit të Elvis Roshit.

Procedura e shkarkimit nuk është ajo që parashikohet në Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, edhe ankimi kundër shkarkimit nuk mund të bëhej direkt në Gjykatën Kushtetuese: nuk është Këshilli i Ministrave që ka shkarkuar Elvis Roshin, por KQZ, pas verifikimit të figurës, në bazë të Ligjit të dekriminalizimit. Sipas Gjykatës Kushtetuese, “përfundimi i mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nuk ka ardhur si pasojë e vendimmarrjes së KM-së, por si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së, bazuar në ligjin nr.138/2015 (Ligji për dekriminalizimin)”.

Në këto kushte, Elvis Roshi duhet të ishte ankimuar përpara gjykatave administrative kundër vendimit KQZ-së dhe këtu, ai mund të ngrinte probleme të natyrës kushtetuese që lidhen me përmbajtjen e Ligjit për dekriminalizimin. Pra, sipas Gjykatës Kushtetuese, Elvis Roshi duhet të kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion (ankimimet përpara gjykatave administrative). Në mungesë të këtij hapi, ai nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Duke treguar rrugën që duhet të kishte ndjekur Elvis Roshi, Gjykata Kushtetuese abstenon të mbajë një qendrim ndaj Ligjit për dekriminalizimin. Pyetja që shtrohet është: çfarë do të ndodhë nëse një subjekt i këtij ligji ndjek të gjitha mjetet juridike që ka në dispozicion dhe përfundon me një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese? Gjykata Kushtetuese do të shprehet me siguri dhe do të shikojmë se ligji për dekriminalizimin ishte thjesht një ligj që i bindej disa konjukturave të çastit, por jo një ligj që i reziston kohës.

Gjeneralmegafoni

Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për kushtetueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit