Gjykatat e mosvarme dhe varësia e tyre ndaj pushtetit

Gati e pabesueshme nëse i krahasojmë me zgjedhjet e një viti më parë, ku pak e shumë me këto rezultate, kishte fituar zgjedhjet PPSh-ja. Shumë arsye mund të motivojnë këtë luhatje kaq të thellë të shqiptarëve, por fakti është se tranzicioni filloi me këtë luhatje të madhe, luhatje që tashmë është kthyer dhe në shkollë politike.

Mirëpo, Kryetari i PD-së së asaj kohe, kishte plane të mëdha për veten dhe për vendin. Si fillim për veten. U zgjodh President dhe bashkë me të, disa deputetë të sapozgjedhur, u detyruan të largoheshin prej Kuvendit, pra të linin mandatin dhe të merrnin funksione të tjera shtetërore. Njëri prej tyre ishte dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe. Gjithsej, u bënë tre deputetë të sapozgjedhur që duhet të linin mandatin. Në këto kushte, zëvendësimi i tyre do të bëhej nga lista shumëemërore e partive. Si dekor, të mos harrojmë se zgjedhjet atëherë bëheshin me përzierjen e dy sistemeve, mazhoritar, nëpërmjet të cilit zgjidheshin 100 deputetë dhe proporcional nga lista shumëemërore, nga i cili dilnin 40 deputetët e tjerë të Kuvendit Popullor. Pikërisht, sipas ligjit zgjedhor të asaj kohe, zëvendësimet e deputetëve që linin mandatin do të bëheshin nga lista shumëemërore.
Bukur fort. Deri këtu, Shqipëria po ambientohej me metodat e reja demokratike. Dukej se të gjithë aktorët e rinj të demokracisë shqiptare po u bindeshin atyre.

Por ja që një ndryshim radikal i ardhur brenda dy vjetësh nuk arriti të maskonte etjen për pushtet, dëshirën për revansh, luftën ndaj kundërshtarit të asimiluar me armikun e klasës që duhej shtypur. Ky ndryshim radikal nuk ngjalli asnjë besim të lideri i ri i Shqipërisë, por përkundrazi, ngjalli te ai idenë se ende pushteti është i brishtë dhe se duhet bërë më shumë për ta konsoliduar atë. Kështu, kush nuk i bindej ose shfaqte dyshime, jashtë! Nuk iu durua dot as dy-tre muaj pa përjashtuar dikë… Dhe pikërisht kjo ndodhi me tre deputetët e ardhshëm që do të zinin vendin e tre deputetëve që duhet të linin mandatin, meqënëse do të merrnin funksione të tjera shtetërore.

Nuk iu desh Saliut më shumë se tre muaj për të shpallur armik ata që i kishte vënë në listat shumëemërore për të qenë deputetë të PD-së. Pasi i përjashtoi nga partia, nuk u lejoi as që të hynin në Kuvend, të drejtë që e kishin fituar pasi ishin të parët në listën shumëemërore. Me Vendimin e datës 13 gusht 1992, Kuvendi i mënjanoi këta tre të padëshiruarit (me urdhër nga lart) dhe caktoi si deputetë zëvendësues, tre të tjerë pas këtyre të treve që duhet të merrnin logjikisht mandatin.

Filloi beteja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. E bukura e kësaj historie është se këta tre deputetë gjetën mbështetje në pretendimet e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese te Partia Socialiste. Akoma më surreale është se kryetar i kësaj Gjykate, i sapoemëruar, vinte nga radhët e deputetëve të PD-së që sapo kishin lënë mandatin.

Cfarë ndodhi në Gjykatën Kushtetuese? Ndonjë hata e madhe jo. Një padrejtësi. Në fund të fundit, shumë padrejtësi kanë ndodhur në Shqipëri. Por u krye shumë shpejt në kohë. Dhe tregoi se pluralizmi i rremë i 1992-shit ishte një kopje e shëmtuar, hipokrite dhe prandaj e frikshme, e enverizmit. Ideja ishte kjo: meqënëse listat shumëemërore janë dorëzuar pranë organit kompetent që merrej me zgjedhjet, personat që do të zinin vendet e këtyre deputetëve do të ishin këta tre ish miqtë armiqtë të President Saliut. Është një veprim matematikor i thjeshtë: hiq tre, merr tre të parët e listës. Mirëpo Gjykata Kushtetuese shpiku një kriter dhe kështu inauguroi fillimin e shpikjeve të kritereve ose zhdukjen si me magji të kritereve ligjore, në funksion të dëshirave të pushtetit. Gjykata tha se “partia nuk mund të detyrohet të mbajë kandidatë të saj një person që vihet në opozitë me programin e saj”. E vërtetë. Por jo pasi ke bërë listat. Në fund të fundit, është njësoj sikur të heqësh një deputet se ndërron parti brenda në Kuvend. Sado e dhimbshme për liderin dhe për elektoratin, sado e dhimbshme për familjen politike që kjo lëvizje mund të rezultojë, është e lejueshme dhe aspak antikushtetuese. E njëjta gjë vlen dhe për këta tre ish miqtë armiq të Presidentit Sali. Por ja që për Gjykatën Kushtetuese, dëshira dhe vullneti i pushtetit kishte më shumë rëndësi se kuadri ligjor i përcaktimit të deputetëve të ardhshëm. Ata nuk duhet të bëheshin deputetë, në asnjë mënyrë! Dhe kështu, pavarësisht se bashkë me aleatët Saliu kishte 100 deputetë, nuk donte të humbiste asnjë prej tyre. Sepse kishte besim vetëm të ata që i rrinin në rresht për një.

Vazhdimi njihet: PSD-ja iku nga koalicioni. Saliu humbi referendumin për projektin kushtetues me të cilin donte që ta bënte Shqipërinë republike presidenciale, vodhi zgjedhjet e 1996, duke marrë më shumë deputetë se në 1992 dhe, në 1997, me shpurën e tij, u rizgjodh President në gjendje të jashtëzakonshme për vendin.
Asgjë nuk do të kishte ndryshuar nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte treguar staliniste në vitin 1992. Por ndoshta pas 23 vjetësh, do të shënonte një gur themeli për drejtësinë shqiptare. Gjë që nuk ndodhi kurrë, sepse vendimet e padrejta u bënë legjion, për hir të pushtetit. Dhe kështu, i është dashur dhe njerëzve, kryesisht atyre politikë si njërit prej këtyre tre deputetëve ish miq armiq tashmë miq të Saliut, të luhaten sa andej këndej për një copë pushtet, për pak vend afër sofrës së kamjes sepse nuk mund ta gjenin dot veten ndryshe. Por ç’mund të thuhet për një njeri të thjeshtë, që nuk e ka luksin të jetë afër sofrës së pushtetit dhe dëshiron të jetojë me parimet e tij?

Për ata që kanë kuriozitet në lidhje me këtë personazh dhe me çështjen, ai është Preç Zogaj dhe bëhet fjalë për Vendimin nr. 2 datë 2.8.1993 të Gjykatës Kushtetuese.

Stavri

Gjykatat e mosvarme dhe varësia e tyre ndaj pushtetit