Gurgule

gurgule
Prej më shumë se dy javësh në Shqipëri është ndezur debati, mediatik dhe popullor, mbi ligjin e ri italian për call centerat. Ky ligj nëse kalonte në Senat, mund të shkaktonte një kataklizëm në Shqipëri, me pasoja sidomos në sektorin e call centerave duke sjellë humbjen e mijëra vendeve pune, por edhe efektin zinxhir me dëmtimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë. U aktivizua, qeveria (me shumë vonesë), diplomacia, politika opinionistët. Andej Adriatikut ligji kaloi shumë shpejt. Këtej Adriatikut zhurma mediatike u amplifikua edhe më. Në popull zhurma e tsunamit që na pret u bë shurdhuese…

Sot, pa kaluar 24 orë nga miratimi i ligjit të shumëpërfolur në senatin italian, mediat dhe specialistë shqiptarë të sektorit të call centerave, dolën në konkluzionin që ligji është keqinterpretuar. Ai në fakt nuk prekërka sektorin privat të call centerave në Shqipëri. Me thënë të drejtën ky lajm më shumë më rriti mllefin sesa më lehtësoi brengën. Askush nuk i shpëton dot thashethemit mediatik. Askush nuk është imun ndaj manipulimit mediatik. As populli, as specialistët, as politika, as institucionet, as vetë gazetarët. Nuk di më cfarë të besosh. Lajmin dje apo përgënjeshtrimin sot, thashethemin dje apo thashethemin sot?!

Po sot, Papa Francesku në një intervistë për mediat belge, ngrinte shqetësimin e lajmeve mbeturinë (siç më pëlqen t’i quaj).  Termat që përdori ishin edhe më të drejtpërdrejtë, ku e ku më të rëndë, për të përshkruar lajmet e manipuluara dhe pasojat prej tyre. “Dizinformimi është koprofili” – thotë Francesku – “ dhe njerëzit shfaqin një tendencë drejt koprofagisë”. Koprofilia është tendenca e disa kafshëve dhe insekteve për të jetuar pranë feçeve, ose për njeriun mund të thuhet afrimiteti kundrejt asaj çka është vulgare dhe obsene. Këtë tendencë pra, shfaqin mediat sot, ndaj lajmit mbeturinë. Ndërsa njerëzit, sipas Papës, kanë një tërheqje ndaj obsenitetit (koprofagia), vulgaritetit, pra ndaj lajmit mbeturinë.

Ne, ndër vite, e kemi quajtur mediAkritet, lajm mbeturinë, lajm spam, thashethem. Jemi munduar t’i gjejmë emrin e përshtatshëm, kësaj plage e cila mesa duket nuk është vetëm shqiptare por e mbarë njerëzimit.

Po i shtojmë edhe një term popullor tani, se duket më i lehtë. Gurgule.

I tillë është lajmi i përditshëm, e tillë është zhurma që shkakton, të tillë e ka peshën, sa të gurgulesë. Sot lind, nesër përparon, pasnesër shuhet dhe riciklohet nga gurguleja e rradhës.

Tanks

Gurgule