Harakiri teknologjik i Qeverisë

Ky takim u finalizua me nënshkrimin në Edinburg më datë 30 janar 2007 të “Marrëveshjes së Partneritetit strategjik për modernizimin e sektorit publik shqiptar dhe përshpejtimin e zhvillimit teknologjik të vendit” ndërmjet Qeverise Shqiptare dhe Korporatës Microsoft.  Kjo Marrëveshje parashikon ndër të tjera hapjen e një filiali të Korporatës Microsoft në Shqipëri, e një qendre që do të ketë synim përmirësimin e kapaciteteve të kompanive lokale në fushën e teknologjisë së informacionit, pregatitjen e një “inkubatori” për përgatitjen e zhvillimit të specialistëve shqiptarë si dhe një listë shërbimesh që Korporata Microsoft do të kryejë në Shqipëri, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit brenda institucioneve qeveritare, përmes krijimit të një sistemi shkëmbimi të informacionit për të gjitha fazat e politikbërjes…  Në marrëveshje specifikohet gjithashtu se “Korporata Microsoft do të ofrojë asistencë për projekte të ndryshme në fushën e qeverisjes elektronike”.  Marrëveshja prek dhe temën aq të preferuar nga Kryeministri Berisha, atë të përhapjes së teknologjisë së informacionit nëpër shkolla, për zbatimin e së cilës Korporata ofron “6 mijë paketa programesh kompjuterike Microsoft me një çmim simbolik”, programe këto të cilat do t’i ofrohen edhe administratës publike me po të njëjtin cilësim të çmimit: “simbolik”!

   E gjithë kjo Marrëveshje, që për nga mënyra bombastike e përcjelljes në media jo vetëm i ngjan një nënshkrimi të një çeku të bardhë me një kosto jashtëzakonisht të rëndë për shqiptarët, përbën gjithashtu dhe një hara-kiri teknologjik i Qeverisë.  Madje nuk kuptohet qartë se cilat ishin arsyet që Qeveria e dorëzoi veten aq thjeshtë në “gojë të ujkut”.  Pasi, me gjithë respektin që të imponon një Korporatë aq e fuqishme, e cila përcjell dinamizmin të pashoq të krijuesit të saj, duhet thënë se pozita e saj dominuese në treg është bërë një problem për shumë vende të cilat kanë kohë që po zbatojnë politikën e përhapjes së teknologjisë së informacionit në administratë dhe institucione të ndryshme.  Dhe si pasojë, është krijuar “një bllokadë” e fortë anti-Microsoft, si pasojë çmimeve të zbatuara prej saj, sidomos në shitjen e liçencave të programeve Windows.  Pozita mjaft e rehatshme në treg e Microsoftit vjen nga një monopol i krijuar de facto prej saj, pasi ka qënë nga të parat që ka shfrytëzuar më së miri nga ana ekonomike konceptin e sistemit operativ, pra të shfrytëzimit të një kompjuteri.  Pozita dominuese në treg ka qënë shpesh objekt i rrufeve të Komisionit europian, i cili nuk e ka shfuqizuar gjobën e majme të vënë ndaj Microsoftit pikërisht për shkat të kësaj pozite. 

  Në këtë aspekt, është e udhës të shohim se si funksionin shitja e programeve Windows.  Për çdo njësi program të shitur, Windows faturon dhe liçencën e përdorimit të saj, çmimet e së cilës kapin shifrën 364 Euro.  Gjithashtu, përveç liçencës së programit Windows, nevojitet dhe blerja e liçencës së programeve të paketës Office që përmban programet Excel, Word etj, çmimet e së cilës shkojnë deri në 368 Euro.  Në saj të bashkëpunimit të Microsoftit me prodhuesit e kompjuterave dhe në saj të përhapjes fillestare në treg të produkteve Microsoft, shohim se programet Windows janë përhapur në një shkallë mjaft të madhe në gjirin e konsumatorëve individë në botë.  Shtrirja e rrjetit Microsoft nuk njihte kufi as në zyrat e administrative të shteteve të ndryshme, por meqënëse bëhet fjalë për administratë, këto shtete filluan të mos ndjekin më rrugën e blerjes se programeve Windows për operimin e kompjuterave të saj, por janë duke ndjekur një rrugë tjetër… Këtu bëhet fjalë për programe operativë të krahasueshme me Windows, por që liçencat për përdorimin e tyre janë të lira (open source) sic quhen ne ambientin e informatikes)!  Pra, asnjë kosto në përdorimin e tyre.  Mund të përmendim këtu liçencat Creative Commons, të cilat, përveçse vendosjen e emrit të personit ose shoqërisë që i ka krijuar, nuk kërkojnë asnjë lloj pagese të çfarëdo lloj natyre qoftë.  Kështu, një person i cili është i pajisur me sisteme të tilla operative si (Ubuntu, RedHat, Suse dhe te tjera akoma)  mund të kryejë të njëjtën punë që kryhen me sistemin Windows, të punojë në Word, Excel, Acces dhe Power Point, si dhe në programe të tjera. 

  Pra një sërë veprimesh që mund të kryen me Windows, por me një përfitim kolosal, atë të mos pagesës së liçencës. Keto sisteme operativë nuk kanë nevojë për kompjutera super të shtrenjtë, ato janë krijuar te punojnë me strukturë më të thjeshtë dhe rezultate shume më të larta se ato Windows, pra kompjuteri në këtë rast do të kushtonte akoma më lirë dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë: Kompjuteri më lirë + sistemi operativ falas + programet e tjera po falas, atëherë Qeveria do të kishte zbatuar programin e saj të përhapjes së teknologjisë së informacionit në Shqipëri me një shumë më të ulët.  Që ta ilustrojmë më mirë këtë ide, krahasojmë shumën që do të duhej për të bërë të mundur aktivizimin e një kompjuteri me sistem Windows dhe çmimi që duhet paguar për aktivizimin e një kompjuteri me sistem Open Source.  Kështu për të parin duhet planifikuar shuma prej 500 dollarësh për pajisjen me kompjuter, mesatarisht 200 dollarë për pajisjen me sistemin operativ WinXP, dhe 400 dollarë për Paketën Office. Totali shkon në 1100 dollarë.  Ndërsa për rastin e dytë, pagesa e vetme që duhet kryer është ajo për pajisjen me kompjuter që shkon vetëm 350 dollarë mesatarisht (shumë më pak e konsiderueshme pasi programet e lira kërkojnë karakteristika më modeste të kompjuterit për t’u bërë operative).  Këto sisteme nuk janë mjaft të rinj dhe të panjohur nga publiku shqiptar që ka disa njohuri nga fusha e teknologjisë së informacionit.  Këto programe madje janë bërë programet më të përdorshme në shumë vende të botës, prej administratës së tyre publike, dhe këtu bëhet fjalë për shtete të tilla si Gjermania, Franca, Afrika e Jugut, Suedia, Norvegjia, dhe së fundmi është shtuar dhe Rusia e të tjera akoma. Pra këtu mbërrijmë në një absurditet të paanë, vende të zhvilluara si këto që përmendëm më lart, të cilat investojnë (në kuptimin e djersës, jo të parave) në ngritjen e një sistemi sa më të lirë dhe sa më të përdorshëm për administratën e tyre, ndërsa një vend si Shqipëria nënshkruan marrëveshje kaq të rënda, për shkak të arsyeve të ndryshme, por me pasoja që mund t’i marrim me mend.  Kështu, mjafton të shohim në Fletoren Zyrtare nr 112 e vitit 2008 për të parë se për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, Qeveria ka parashikuar një fond prej 426,000,000 lekësh, së cilës do t’i shtohen dhe 142,000,000 lekë të tjera për këtë qëllim!  Një shpenzim mjaft i konsiderueshëm, edhe pse kemi të bëjmë me “çmime speciale”…

Harakiri teknologjik i Qeverisë