Historia e modernitetit (Pjesa 2)

Në mënyrë të veçantë, bota hebraike dhe më vonë, bota greke artikuluan apologjinë e së resë, secila me mënyrat e veta.

Në botën hebraike, popull i shkretëtirës, padyshim një nga të parët (të paktën i pari në atë që do të jetë Perëndimi), për të cilin e reja është e mirëseardhur sa herë që ndihmon secilin në rregullimin e botës, që është një nga misionet e Njeriut mbi Tokë, kusht i ardhjes së Mesisë dhe i ringjalljes së të vdekurve. Më e mira e së ardhmes, për ta, është të arrijnë pavdekësinë duke ndrequr botën.

Në botën greke, e përbërë nga njerëz të detit, të cilët marrin dhe asimilojnë më mirë se kushdo tjetër risitë që vijnë nga përtej, e reja është për ta e mirë në vetvete, pasi i ofron çdo njeriu, ose më saktë çdo shtetasi, burime të reja të së bukurës, të kënaqësisë dhe rehatisë.

Bota romake, një shoqëri ushtarake e centralizuar, rimerr për llogari të saj, pas shumë disfatash, një pjesë të trashëgimisë të botëve hebraike dhe greke. Risia më e madhe: një ushtri e fuqishme. Por edhe urbanizmi do të njohë një progres spektakolar.

Në fillim brenda Perandorisë Romake, më tej përtej saj, një sekt hebre i helenizuar, krishtërimi, do të impononte shumë shpejt një vizion tjetër të së mirës: e ardhmja nuk është këtu poshtë në tokë, por gjendet në Shpengimin dhe në Ringjalljen. Nëse në botën judeo-greke pasuria materiale shihej si një bekim, ajo befasisht kthehet në një mallkim. Do të jetë modern ai që heq dorë nga pasuritë e tij, në favor të Kishës. Kjo përkufizohet si moderniteti i Besimit.

Krishtërimi bëhet mishërimi i forcës së monoteizmit, elasticitetit të politeizmit dhe fuqisë së centralizimit. Nuk është më e rëndësishme Qenia, por grupi. Nuk është më arsyeja dhe liria që kanë përparësi, por Kisha që strehon dhe mbron, në këmbim të Besimit dhe shërbimit që ajo ofron. Feudalët organizojnë bujkrobërinë në favorin e tyre dhe në atë të Kishës.

Ky modernitet do të triumfojë në Evropë për më shumë se një mijë e pesëqind vjet.

Në shekullin XII, filloi në Itali dhe në Evropën e Veriut një revolucion bujqësor dhe industrial. Tregtarët dhe borgjezët filluan të prodhojnë në një mënyrë ndryshe. Do të lind puna me mëditje. Borgjezët synojnë një formë tjetër arti: ata financojnë këmbanoret, që do të konkurrojnë këmbanat e kishave dhe thjeshtësinë e tyre. Arkitektura, muzika, letërsia do të shfaqin interes për subjekte të tjerë nga ato me natyrë fetare. Piktorët do të provojnë aftësitë e tyre duke pikturuar portretet e borgjezëve dhe, guxim i madh, peizazhet.

Duke filluar nga shekulli XV, zbulimi i Amerikës, shtypshkronja dhe kontabiliteti do të nxisin në Evropën e Reformuar dhe në disa porte italiane, atë që më vonë do të quhet, “Evropa e kohëve moderne”. Tregtari dhe zanatçiu do të zënë vendin e fshatarit. Kontinenti do të zhvendos shumë shpejt zemrën e tij nga Venecia te Provincat e Bashkuara.

Në pjesën më të madhe të Evropës katolike, do të konsiderohet “modern” çdokush që beson ende në modernitetin e Besimit dhe që mendojnë se e ardhmja gjendet akoma në Shpengim; dhe do të quhet “i Vjetër” (antik) ai që dëshiron vetëm kthimin në arsyen e grekëve të lashtë.

Pak e nga pak, në Evropën Veriore ashtu si dhe në Itali, do të formohet një ide e re e modernitetit, e cila nuk është as e krishterë dhe as greke. Nuk është më moderniteti i Qenies, as i Besimit, por ajo e Arsyes. Këta “modernë të rinj” interesohen për ndryshimet teknike dhe shkencore, i largohen vlerave të krishtera dhe nuk e konsiderojnë më mendimin grek si të vetmin burim me vlerë për frymëzimin. Ky “modernitet i ri” beson te progresi, tregu dhe liria. E ardhmja e së ardhmes do të përkufizohet si zgjerimi i lirisë për të tregtuar, për të menduar, për të poseduar, këmbyer dhe për të votuar.

(marrë nga Historia e modernitetit, nga Jacques Attali)

Përkthyer nga Oltion Spiro

Historia e modernitetit (Pjesa 2)