Historia e modernitetit (Pjesa 1)

Në çdo kohë, moderniteti ka përcaktuar në mënyrë të tërthortë konceptin që një shoqëri ka për të ardhmen e saj, mënyrën sesi ajo e imagjinon atë, çfarë pret dhe çfarë refuzon prej saj; të mendosh të ardhmen e modernitetit, përbën pra idenë që ne do të kemi në të ardhmen, për të ardhmen. Duket pak çoroditëse, pasi bëhet fjalë, për shembull, për mënyrën sesi, në 2030, do të mendojmë, ëndërrojmë, imagjinojmë, ndërtojmë dhe luftojmë botën e 2060.

Arsyeja e këtyre rreshtave nuk është vetëm të tregojnë historinë tërheqëse, të një koncepti që nuk rresht së ndryshuari, sfida e të gjitha betejave të mëdha politike dhe artistike, por që kjo histori të na shërbejë për të kuptuar si, në çdo hap të historisë e deri më sot, kemi menduar dhe pregatitur të ardhmen. Kështu, do të deduktojmë mënyrën sesi do ta ndërtojmë në të ardhmen.

A kemi nevojë për një gjë të tillë? Padyshim: idetë që kemi për të ardhmen e krijojnë atë. Idetë që do të kemi më vonë për të ardhmen do e pregatisin atë dhe do të përcaktojnë rrugët që do të ndjekë njerëzimi.

Shtatë të ardhmet e së ardhmes

Pas mbretërimit të tre moderniteteve (ato të Qenies, Besimit dhe Arsyes), pyetja duket se sot e ka tërësisht një përgjigje: në pjesën më të madhe të rruzullit, për pjesën më të madhe të njerëzve, moderniteti identifikohet dhe do të identifikohet, gjithmonë e më shumë, me oksidentalizimin. Kjo nuk nënkupton një fitore të Perëndimit. Përkundrazi: së pari, sepse përvetësimi i këtyre vlerave universale nga të tjerë – në mënyrë të veçantë të lirisë individuale – ia mohon Perëndimit specifikën dhe përparësinë që ai ka. Së dyti, sepse si në Perëndim dhe gjetkë, shumë njerëz do të udhëheqin një luftë të pashtershme kundër këtij koncepti të modernitetit dhe këtij drejtimi të Historisë. Do i vënë fajin oksidentalizimit,  kryesisht për shkeljen e parimeve morale dhe fetare, për shkatërrimin e veçantive kulturore, të natyrës, të cilat i ka kthyer në të tregtueshme, ashtu si dhe të gjitha marrëdhëniet shoqërore, përfshirë dhe vetë njeriun, duke e transformuar në mënyrë progresive në një artefakt, në një “hipermodernitet”, ku proteza do të jetë shkalla matëse e modernitetit.

Armiqtë e këtij hipermoderniteti do të shpikin gjashtë projekte të tjerë mbi të ardhmen, gjashtë modernitete të tjera. Pesë prej tyre (nostalgjike, të menjëhershme, teologjike, ekologjike dhe etnike) do të jenë, për nga natyra, të papajtueshme, në terma afatgjatë, me lirinë individuale dhe do të dështojnë përpara kësaj kërkese të papërkulshme; dhe do të rikthehemi te hiperdomerniteti dhe deliret e tij.

Vetëm një, në mendimin tim, drejtimi altruist, i lejon njerëzimit të ruajë në të njëjtën kohë identitetin, krijimtarinë dhe lirinë dhe kështu, të ngrejë një projekt afatgjatë për të ardhmen. Rruga për ta arritur një gjë të tillë mbetet e vështirë.

Një histori e shkurtër e modernitetit

Ndjekja e meandrave që ka ndjekur moderniteti nëpër civilizime të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, përgjatë gjithë Historisë, do të thotë të ndjekësh, në vendet më të mira, sekretet e gjendjes së njerëzimit. Do të thotë të kuptosh mënyrën në të cilën çdo grupim njerëzor mendon ëndrrën e asaj që dëshiron të bëhet, në kohë dhe në hapësirë, duke luftuar atë që mendon se i bën dëm; duke vlerësuar atë që është në pajtim me utopinë e tij. Kjo do të thotë gjithashtu që të deduktosh evolucionet e vlerave, idealeve, estetikës, të arsyeve të indinjatës, koncepteve të progresit, të sistemeve politike dhe të traditave; dhe në mënyrë më prozaike, të mënyrës së të ushqyerit, të zbavitjes, të dashurisë, tërheqjes, të të qenit i lumtur.

Ky reflektim është mëse i dobishëm; askush nuk mund të garantojë se vlerat që për ne janë të rëndësishme dhe që i konsiderojmë si të fituara prëgjithmonë (përfshi demokracinë, lirinë individuale dhe të drejtat e njeriut), do të mbeten vlera të së ardhmes. Në disa rrethana, disa vlera të tjera mund t’i zëvendësojnë ato, në imagjinatë dhe në botën reale.

Sa herë që një grupim i ri vjen në pushtet, ai pranon si “modern” vetëm ndryshimet që përgatit shoqëria që ai ëndërron, që forcon pushtetin e tij dhe e vendos atë në një perspektivë afatgjatë. Ai përkufizon dhe do të imponojë “të renë”, në ndryshim nga “e vjetra”.

Arti i një epoke të caktuar (nga piktura në letërsi, deri në kinema dhe në forma të reja të shprehjes artistike), të financuar në përgjithësi nga elitat dominuese, është reflektimi i kurajos së tyre dhe i projekteve të tyre për të ardhmen. Ai mishëron më së miri dimensionet e shoqërisë, konceptin dominues të modernitetit.

Një shoqëri ku “modernizimi” është qëllimi i shprehur i atyre që e drejtojnë ka një vizion të qartë të së ardhmes së tij dhe që është e lidhur me atë që ai quan “progres”.

Përgjatë mijëvjeçarëve, shoqërive parahistorike u është dashur të mbështeten mbi përsëritjen, nga frika se çdo ndryshim do të ishtë mbartës i vdekjes. Njerëzit shpresonin, pa patur asnjë siguri, kthimin e diellit çdo mëngjes, të shirave në vjeshtë, të çeljeve të para çdo pranverë. Asgjë nuk i shqetësonte më shumë sesa ndryshimi. Moderniteti për ta, përfaqësohej nga kthimi në të ngjashmen. Ishte moderne çka ishte e qendrueshme, statike. Kozmologjia e tyre, ashtu si dhe arti i tyre, sado gjenial, përfaqësonin apologjinë e kësaj utopie.

Më tej, risia në shërbim të individit u kthye në një vlerë pozitive, nëpërmjet progreseve të para teknike: zjarri, guri i gdhendur, më vonë i lëmuar, leva, rrota dhe kalimi nga gjendja nomade në atë sedentare, kalimin nga fshati në qytet.

Fillimisht risia është konsideruar si një oportunitet në botën e nomadëve të Lindjes së Mesme dhe të detarëve të Mesdheut, shpikësit e bujqësisë dhe qytetit. E ardhmja bën të mundur lindjen e shpresës për të zbutur mundimet e njeriut, shtyrjen gjithmonë e më shumë të çastit të vdekjes dhe një jetesë më të mirë. Njeriu fillon dhe shkëputet nga grupi. Njeriu bëhet i çmuar në vetvete. Është moderniteti i Qenies.

(marrë nga Historia e modernitetit, Jaques Attali)

Perkthyer nga Oltion Spiro

Historia e modernitetit (Pjesa 1)