Historia e panjohur e një fotoje historike

“The White Man in the photo”

fKjo fotografi me një simbolikë mjaft të fuqishme, nuk e shpreh megjithatë, të vërtetën e historisë që përfshiu këta tre atletë. Fotografia ka anën e saj të njohur, gjestin e fuqishëm simbolik të dy atletëve amerikanë gjatë ceremonisë së dheniës së medaljes në disiplinën e 200 m vrap për meshkuj, në Lojërat Olimpike të Meksikos të vitit 1968. Por kjo fotografi ka dhe anën e saj të panjohur, që përmban një histori të parrëfyer, të dhimbshme por edhe të pasur me një simbolikë të fortë të vëllazërisë njerëzore, e mishëruar te atleti i bardhë “pa doreza”, australiani Peter Normann.

Shkrimtari Italian Riccardo Gazzaniga shkroi një tekst të fuqishëm, në kujtim të sprinterit Australian Peter Normann, i cili vdiq në vitin 2006, tekst të cilin do e sjellim në mënyrë të përmbledhur këtu.

Fotografia tregoi faqebotës një realitet që bota nuk donte ta pranonte: faktin se demokracia më e madhe në botë ishte selektive. Nëpërmjet kësaj fotografie, atletët afroamerikanë u përpoqën të jepnin një mesazh botës, se segregacioni racial në SHBA, edhe pse në letër i ndaluar, vijonte të prodhonte dasi të papranueshme për një vend demokratik.

John Carlos dhe Tommie Smith, dy atletët amerikanë që guxuan të ngrinin grushtin lart në shenjë proteste kundër diskriminimit të komunitetit afroamerikan në SHBA, shfaqën para botës një gjest thellësisht politik, të cilin, komiteti olimpik ndërkombëtar dhe ai amerikan nxituan të anatemonin dhe të merrnin masa kundër atletëve: të dy atletët u dëbuan nga fshati olimpik dhe me t’u kthyer në SHBA, ata u vunë, për një kohë të gjatë, nën shnënjestrën e autoriteteve dhe të individëve që urrejtjen e kanë lajtmotivin e jetës së tyre.

Pikërisht për këtë arsye, për shkak të një simbolike që vetëm dy atletët amerikanë mund ta merrnin përsipër që ta shpalosnin faqebotës, e gjithë vëmendja u përqëndrua te ata, duke lënë mënjanë atletin e tretë. Një i bardhë, që nuk lëviz mbi podium, si i huaj. Madje, të krijon përshtypjen e arketipit të konservatorit të bardhë, i cili dëshiron të shprehë një lloj rezistence ndaj gjestit të atletëve Smith dhe Carlos.

Por e vërteta është krejt ndryshe. E vërteta është se atleti i bardhë që nuk e ka ngritur grushtin lart, është ndoshta një nga heronjtë më të mëdhenj të asaj mbrëmjeje të 1968-ës.

Australiani Peter Norman atë mbrëmje kishte vrapuar si i tërbuar, duke kapur kështu vendin e dytë, disa të qindat me shpejtë se amerikani John Carlos. Të gjithë mendonin se fitorja do të diskutohej me dy amerikanëve, por i panjohuri Norman, atë mbrëmje, bëri mrekullinë. Kjo garë ishte gara e jetës së tij.

Megjithatë, ajo që bëri ky atlet pak para se të ngjiteshin në podium, përbën një ngjarje më të rëndësishme se vendi i dytë. Nga njëra anë, qendronin dy atletët amerikanë, të cilët ishin të bindur në gjesin e tyre, për të sensibilizuar botën kundër problemit të segregimit në SHBA. Nga ana tjetër, një i bardhë nga Australia: një shtet që në atë kohë kishte në fuqi ligje që promovonin aparteidin, të krahasueshme me ato të Afrikës së Jugut.

Dy atletët amerikanë e pyetën Normanin nëse besontë në të drejtat njerëzore. Ai u përgjigj që po. “Ne i thamë se çfarë do të bënim, e dinim se ishte një gjest më i lavdishëm dhe më i rëndësishëm se çdo performancë atletike” tregon John Carlos. “Prisja që në sytë e Normanit të gjeja frikë dhe dyshim, por në vend të tyre, pashë mirëkuptim.”

Normani u përgjigj shumë thjesht: “Do të jem me ju.”

Atletët amerikanë vendosën që të ngjiteshin në podium këmbëzbathur, si simbol i varfërisë që godiste shumicën e popullsisë afroamerikane. Ata gjithashtu, vendosën të mbanin stemën e Projektit Olimpik për të Drejtat e Njeriut, një lëvizje e atletëve të ndryshëm të angazhuar në të drejtat e njeriut. Por ata, në çastin e fundit, hoqën dorë nga mbajtja e dorezave të zeza, simboli i Panterave të Zeza, që përbënte, në fund të fundit, forcën më të madhe të gjestit të tyre.

Para se të hipnin mbi podium, atletët amerikanë kuptuan se kishin vetëm një palë doreza dhe për pasojë, për pak hoqën dorë nga ky simbol.

Por ishte Normani që insistoi që ata ta përdornin, duke u këshilluar që të mbanin nga një dorezë secili.

Dhe ata këtë bënë. Në fotografi, tregohet se Normani gjithashtu mban stemën e Projektit Olimpik për të Drejtat e Njeriut. Dhe kështu, të tre atletët hipën mbi podium dhe fotografia u bë përgjithmonë pjesë e Historisë.

“Nuk arrita të shikoja çfarë po ndodhte prapa meje, por e kuptova që dy kolegët e vunë në jetë planin, pasi publiku që ishte duke kënduar himin amerikan, befasisht heshti. Stadiumi heshti tërësisht”, kujton Normani.

Pasojat për atletët afroamerikanë i dimë. Por ajo që nuk është thënë ose shumë pak, lidhet me pasojat kundër atletit australian. Duke ndihmuar dy kolegët e tij, ai u detyrua të largohej përfundimisht nga kërriera e tij, e cila ishte shumë premtuese.

Ai nuk u përzgjodh nga komiteti olimpik australian të garonte në lojërat olimpike të 1972-shit. Madje, dhe ç’është më e rënda, nuk u ftua të merrte pjesë si i ftuar në Lojërat Olimpike që të Sidnejit, në vendlindjen e tij, në vitin 2000.

Në Australinë konservatore u trajtua si tradhtar, familja nuk e pranoi gjestin e tij, nuk arriti do të gjente një punë që të përshtatej me aftësitë e tij. Punoi disa kohë si kasap dhe si profesor fizkulture. Ai përfundoi jetën e tij të trazuar nga gangrena, depresioni dhe alkooli.

Megithatë, atij ju dha mundësia që të rifitonte një vend në shoqëri. Por kushti qe i rëndë dhe nënkuptonte lënien mënjanë të dinjitetit të tij: ai u ftua disa heqë që të dënonte publikisht ndihmën e tij ndaj atletëve afroamerikanë, të kërkonte falje, që të kishte sërish akses në sistem. Por ai nuk pranoi kurrë. Ai nuk bëri asnjë kompromis me opinionet e tij dhe nuk pranoi kurrë të tradhtonte kolegët e tij amerikanë.

Në 2006, ai vdiq në Melburn. Për vite me radhë, ai u harrua nga historia, ose kujtohej thjesht si atleti që nuk e ngriti grushtin. Por ishin vetë atletët amerikanë, Carlos dhe Smith, që kërkuan me ngulm të mbanin arkivolin e tij, për të respektuar “heroin pa doreza”, që nuk rreshti se luftuari për barazinë mes njerëzve.

dVepra e tij, sado modeste, dhe e sjellë në vëmendjen e publikut shumë vonë, duhet të shërbejë si një sinjal i fortë për të gjitha shoqëritë tona: atë që njeriu e ndjen përbrenda si thellësisht të drejtë dhe i pandikuar nga urrejtja për tjetrin, triumfon gjithmonë. Sot jetojmë në kohë të dyshimta, ku gjithmonë e më shumë po përpiqen të vënë barriera mes njerëzve: politike, ekonomike dhe racore. Rikujtimi i kësaj historie duhet të na bëjë të ndjehemi ashtu siç jem në të vërtetë: vëllezër të një bote. Shumë pak i duhet njerëzimit për të hapur sytë dhe kuptuar. Kjo histori është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Përshtatur nga Stavri

 

 

Historia e panjohur e një fotoje historike