I dashur Koloreto dhe debili Lubonja

falcoMeqenëse në artikullin tënd të fundit, ndër të tjera, ke shkruar edhe për debilin Lubonja dhe meqenëse shpesh të lexoj me kënaqesi, qoftë për stilin qoftë për pjekurinë e mendimit, nuk mund të mos shkruaja edhe unë dy rreshta për naivin Koloreto. Epitetin “debil” që ia paskan veshur Lubonjës (së bashku me plot epitete të tjera), ti thua se e ke lexuar nëpër komentet e dy shkrimeve të fundit. Dhe këta që e shajnë pa të drejtë Lubonjën janë, siç thua vetë, nga ata kuazi-qytetarë që të japin një milion shuplaka.

Në fakt unë e mendoj edhe më radikalisht se ty. Unë mendoj që kush komenton poshtë artikujve është një kuazi-qytetar, një parazit-qytetar, një delenxhi-qytetar, një anti-qytetar. Si të ta pershkruaj më mirë? – Një Altin Goxhaj për shembull!

Dhe ja këtu ndahemi ne të dy. Unë kam neveri nga “këta” (siç iu drejtohesh ti) dhe as nuk e marr mundimin t’i lexoj komentet e komentit të komenteve, poshtë artikujve.

Me apo pa dashje ke bërë apologjinë e dështuar të debilit Lubonja, siç e quan vetë në artikullin tënd (duke perifrazuar këta apo ata). Por Lubonja nuk ka nevojë për mbështetje, as për perkrahje, akoma më pak për apologji.

Dhe meqenëse të kam sinqerisht përzemër, ndoshta si të vetmin opinionist të denjë per t’u lexuar, dua të të sjell vetëm një shembull ku unë, si qytetar aktiv brenda dhe jashtë kufijve të Shqiperisë, u ndjeva i tallur deri në turp nga debili i këtyre. Neveria që ndjeva, për përdorimin si vegël qorre të intelektit, prej Lubonjës, njeriut të librave siç e quan ti, më ka shënjuar pakthyeshmërisht. Më ka bërë t’i kuptoj (edhe pse nuk i justifikoj) ata kuazi-qytetarë që neveriten më shumë nga një njeri i penës sesa nga një politikan despot e i babëzitur.

Ishte dita kur “debili” Lubonja inauguronte bunkerin e tij përballë kryeministrisë. Mu tek ai shesh ku disa muaj më parë u ekzekutuan 4 qytetarë dhe rrezikuam jetët edhe ne (po të duash ti kuazi-qytetarët e tjerë). Në krah të tij me gërshërë inaugurimi dhe dy gishta qëndronte Berisha. Ndërkohë, dy të burgosur politik të regjimit hoxhist, arrestoheshin me dhunë nga policia e Berishës, mu përballë Lubonjës që donte të kujtonte pikërisht tmerret e njërit diktator, ndërsa mbyllte syte përballë krimeve të këtij tjetrit që kishte në krah. Ja, pikërisht aty e kuptova pse edhe mua, më neveritej më shumë prostituimi intelektual i Lubonjës, përdorimi i intelektit si vegël qorre, sesa bolshevizmi i Berishës.

I dashur Koloreto, ti e njeh mirë këtë vend për të qenë naivi Koloreto, ndaj nuk e kuptoj përse është e nevojshme të bësh apologjinë e Lubonjës. Njeriu mund të ketë simpati intelektuale, siç kam unë ndaj teje, apo edhe simpati-miqësi personale, siç mund të kesh ti me Lubonjën, kjo edhe falë ambjenteve të përbashkëta të frekuentimit në vendin tonë të vogël. Po kurrsesi nuk mund ta justifikoj preferencën tënde për të bërë apologjinë e një “debili” kundrejt mundësisë që të jepet për të heshtur… ndoshta më ndershmërisht.

Tanks

I dashur Koloreto dhe debili Lubonja