Ide për veting në gazetari

Vetingu i shumëpërfolur në sistemin e drejtësisë tashmë ka filluar dhe ka dhënë rezultate të pjesshme. Ai është një proces i gjatë dhe do të kërkojë kohë përpara se të themi Bac u kry!

Ditët e fundit opozita ka hedhur në tregun mediatik idenë e një vetingu tjetër, po aq i anatemuar sa i pari, vetingu në politikë. Me pak fjalë, përjashtimi nga politika i atyre politikanëve të cilët kanë pasur kontakte me kriminelë. Gjuha e thatë e përdorur është pikërishtë ajo e liderit të opozitës. Shkurt, pastër, thatë, popullorçe; nëse je politikan dhe ke pasur kontakte me trafikantë, gangsterë, vrasës, përdhunues, hajdutë, etj. përjashtohesh përfundimisht nga politika. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar apo qytetar të thjeshtë në planetin ku jetojmë që e kundërshton këtë propozim, megjithëse duket e pandershme që të mos i shtosh nga pas edhe kyçjen e prangave dhe hedhjen e çelësit në lumë.
Përshembull, Fatmir Xhafaj dhe Tritan Shehu duhet të përjashtohen nga politika sepse të dy kanë foto me Enver Hoxhën, i akuzuar për urdhërimin e mijëra vrasjeve përgjatë gjysëm shekulli. Ministri i Brendshëm ka edhe gjynahe të tjera familjare, por ne na mjafton kontakti me diktatorin. Tritan Shehu gjithashtu ka pasur kontakte me Izet Haxhinë por sërish do të mjaftohemi me kontaktin me diktatorin…
Por jemi që jemi, meqenëse kemi veting në drejtësi, veting në polici, dhe do të kemi veting në politikë, përse të mos kemi edhe një veting në media. Të bëjmë një pastrim klinik të gjithë gangrenizimeve të shoqërisë shqiptare.
Përshembull, Andi Bushati duhet ta dorëzojë i pari penën e gazetarit për kontaktet që ka me botën e krimit. Një ndër dy të akuzuarit për vrasjet e 21 Janarit është Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm ditën e ngjarjes. Bushati jo vetëm ka kontakte të papërshtatshme me të akuzuarin por edhe e mbështet atë publikisht. Këtij nuk do t’ia quajmë fotot me gjyshin pasi ka qenë i vogël por kontaktet me kriminelë ende të pandëshkuar nuk mund të tolerohen më në botën e gazetarisë.
Sot u morëm vetëm me një nga shumë shembujt sesi do të funksionojë vetingu në media. Ditët në vijim do ta pasurojmë propozimin e vetingut në media me ilustrime të tjera edhe më të kobshme.

Veting të mbarë të gjithëve

Tanks

Ide për veting në gazetari