Institucionalizimi i kafes

Ne jo vetëm e patëm vitin tonë zero së bashku me vendet e tjera të bllokut lindor, në fillim të viteve ’90, por patëm fuqinë të ringrihemi edhe një herë tjetër 5-6 vite më pas, atëherë kur shteti pushoi së qenuri shtet dhe aktorë ishin po të njëjtët që qeverisin sot. Ndërkohë edhe ditët e sotme nuk janë të varfra me shembuj sfidash e fitoresh të korrura anembanë. Kryeministri na flet për arritje legjendare me anëtarësimin në NATO, për ndërtime rrugësh me përpjekje epike, për rritje ekonomike kolosale, për turizëm mahnitës e plot shastisje gojahapur…

Arritje të popullit tonë nën udhëheqjen e qeverisë demokratike, identike me ato që na bën të njohur historia; nën udhëheqjen e partisë dhe shokut Enver. E të tjera e të tjera…

Tani, sytë në ballë i kemi të gjithë. Edhe ithtarët e Saliut nuk janë aq të verbër sa duken. Opinionistë e profesionistë të trudhënies ekraneve kemi plot (e kam të vështirë të kuptoj si mund të jetë profesion ky i fundit por përderisa pjesa dërrmuese e tyre, dhe nuk e kam fjalën për gazetarët, mbështesin qeverinë dhe merren me punët e opozitës, atëhere çdo gjë bëhet më e qartë: të gjithë ata që punojnë për qeverinë nuk e bëjnë me ndershmëri intelektuale por thjeshtë për përfitim personal). Pra edhe ne, edhe këta, edhe ata, e kemi të qartë që kështu si po hecet përfundohet në greminë. Me pallavrat e arrorëve e të miliona rrënjëve ullinj, me ferrat që duhen kthyer në frutorë Kryeministri na dhuron veç një buzëqeshje të shkurtër, të hidhur si çdo buzëqeshje që ka ditur të dhurojë deri më sot, por asnjë buzëqeshje për të ardhmen. Me hakërrime ndaj Prokurores së Përgjithsme, pardon, “kurvës së bulevardit” siç e quan ai, kundër Presidentit të Republikës apo “kryetari i aleancës së plehut” siç ka qejf ta thërrasë kryeministri, e kundër gjithë qytetarëve të tjerë që janë më të papërfillshëm se kryeqytetarët e lartëpërmendur; e pra me këto hakërrime ai nuk ia fut frikën njeriu. Populli shqiptar i njeh mirë bijtë që nxjerr nga gjiri i tij. Por nuk ka njeri me sy në ballë, sado fanatik i Saliut qoftë që të mos e ketë kuptuar se me këto klithma të shëmtuara që nuk i kanë hije një burri malësie, po e izolon Shqipërinë më keq se paraardhësi i tij, sigurisht Enveri. Ndërsa të huajt po! Ata vërtetë i frikësohen një të papërgjegjshmi që drejton një shtet evropian (në kuptimin kontinental). Mu kujtua një shprehje e tij vite më parë: “do t’jua ngrij buzëqeshjen në buzë” dhe Saliu ka treguar që di ta mbajë fjalën!

Po ne çfarë bëjmë ndërkohë? Ne jemi ai populli vital, që nuk na e bën syri tërr përballë asnjë gjëme. Prandaj sot rrimë duarkryq. Kur të na bjerë mbi kokë atëhere do të nxjerrim pallën nga këllufi. Po sot përballë dramës së përsëritur të Bulqizës, përmbytjeve dhe rikthimit të kënetave, Gërdecit, 21 Janarit, faljes së detit për interesa meskine për të mos thënë antikombëtare, shitjes së dinjitetit kombëtar për 1 euro, plehërizimit të vendit me plehra nga Napoli dhe radioaktivitet nga Gjermania, futjes së duarve në kuti votimi në sy të të gjithëve, përballë vrasjeve anonime të politikanëve, gjykatësve, punonjësve të SHISH-it, dhe qytetarëve të thjeshtë; përballë këtyre e shumë të tjerave i fusim një kafe dhe themi që s’ka alternativë tjetër. Në kafe, në të vetmin institucion shpirtëror të shqiptarëve.

Ajo çka nevojitet është krejt tjetër. Asnjë shqiptar sado i pazë nuk është i padobishëm, çdo formë rezistence sado e papërfillshme në dukje është e mirëpritur. Një shkrim në facebook është më efikas se një ankesë shterpë në kafenè. Një poster kundër plehërizimit të vendit është sigurisht më shumë se një qarravitje para kafes. Një organizim të rinjsh të indinjuar nuk duhet përbuzur për numërin e vogël të pjesëmarrësve por duhet inkurajuar për guximin e një brezi që përndryshe do e gjesh në baste, llotari dhe sigurisht në kafe. Ajo çka nevojitet realisht është një revoltë mbarëpopullore, por është po aq e qartë që kjo nuk do të vijë pas 4 viktimave që ende thërrasin drejtësi dhe pyesin “kush?”, edhe pse “kush?” e dimë të gjithë përveç drejtësisë.
Një popull vital si ky i yni do të dijë t’i bëjë ballë pa dyshim edhe kësaj situate, por mbase ende nuk ka të qarta pasojat dramatike që sjell durimi i tepruar i çizmeve të pushtetit mbi krye.Derisa të ndërgjegjësohemi masivisht e të kuptojmë që çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë, i takon të ndërgjegjësuarëve të rezistojnë me çdo formë. Sot!

Onufri

Institucionalizimi i kafes