ITALIA DHE GLOBALIZIMI I INFORMACIONIT MBETURINË

itt
Në Itali u zhvillua referendumi i cili parashikonte disa ndryshime kushtetuese. Ndryshimet në thelb kishin reduktimin e numrit të përfaqësuesve të popullit , rrëzimin e bikameralizmit perfekt, dhe shkurtimin e procedurave parlamentare. Pra: a) numër më i vogël deputetësh dhe senatorësh – Italia ka numrin më të madh në Europë të përfaqësuesve, që përkthehet në kosto financiare dhe burokratike për vendin; b) fuqizimin e Dhomës së Deputetëve dhe dobësimin e Senatit që përkthehet në përshpejtim të procedurave parlamentare; c) dhe së fundmi, fuqizim i ekzekutivit dhe stabilitet qeverisës – Italia prej 65 vitesh mban një rekord negativ, përsa i përket stabilitetit politik.

Gjithsesi, rezultati tashmë është zyrtar. Italianët votuan masivisht kundër ndryshimeve kushtetuese. Matteo Renzi ka dhënë në mënyrë të menjëhershme dorëheqjen ashtu siç kishte premtuar para referendumit. Zgjedhjet e afërta priten të mbahen në pranverë. E ardhmja e Italisë është më e paqartë se kurrë.

Po cilët janë aktorët dhe faktorët politikë të cilët e drejtuan popullin Italian drejt JO-së, që mundën Renzin, liderin e ri të qendrës së majtë, dhe të cilët pretendojnë të marrin pushtetin?

Duke llogaritur peshën e tyre elektorale, i pari është Beppe Grillo dhe Lëvizja Pesë Yjet, i dyti Salvini dhe Lidhja E Veriut (Lega Nord), i treti Berlusconi dhe Forza Italia, pastaj Meloni dhe partia e saj neo fashiste, disa parti komuniste, të gjelbrit, dhe krahu i majtë i vetë partisë së Renzit. Janë shumë dhe si të tillë e justifikojnë fitoren e tyre…

Por, duke parë konglomeratin e ideologjive që u bënë bashkë për të ruajtur Sistemin, duke i thënë jo ndryshimeve, disa pyetje lindin natyrshëm.

Si shpjegohet që një votues komunist bashkon votën me një votues fashist për ti thënë JO ndryshimeve kushtetuese?

Si shpjegohet që një votues anti-sistem që përfaqësohet nga komiku Grillo, i përgjigjet JO ndrysyhimit të sistemit?

Si shpjegohet që ultranacionalistët fashistoidë bashkojnë votën me Legistët që kërkojnë ndarjen e veriut të Italisë nga pjesa tjetër?

Si shpjegohet që Legistët votojnë JO ndryshimeve të shumëkërkuara prej tyre, të cilat i shkurtonin buxhetin “Romës Hajdute”?

Si shpjegohet që elektorati më i majtë i partisë së Renzit bashkon votat me Berlusconin, armikun historik, kundër kryeministrit të tyre?

Dikush që nuk e njeh realitetin italian mund t’u përgjigjet fare thjeshtë këtyre pyetjeve. “Të gjithë bashkë përtej bindjeve politike, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej ideologjive, kundër një përbindëshi”. Por në të vërtetë as Renzi nuk është përbindësh dhe as reforma nuk i ka tiparet e një monstruoziteti. Ish Kryeministri Italian është një i majtë i qendrës, europianist (term që tingëllon çuditshëm!), i moderuar dhe reformator. Ai u përpoq për herë të parë në historinë italiane të pasluftës t’u japë zgjidhje pakënaqësive të popullit Italian. Reforma kishte për qëllim t’i jepte Italisë një shkundje, për ta nxjerrë nga paraliza dhjetra vjeçare ku e ka futur politika e vjetër dhe strukturat burokratike të shtetit.

Po atëherë si shpjegohet kjo aleancë e paprecendentë, e paprinciptë dhe e palogjikshme?

Arsyet mund të jenë të shumta, përgjigjet po ashtu.

Sot mund të duket krejt banale të gjesh arsyet tek populizmi dhe aftësia e populistëve për të bërë kërdinë në mendjet dhe zemrat e popujve, të demoralizuar dhe të zhgënjyer nga politika. Por, po aq sa është banale, aq është edhe e vërtetë se populizmi, ky përbindësh pa formë e pa ide, po bën kërdinë dhe do të lerë pasoja për njerëzimin në vitet në vijim. I njëjti lloj populizmi ngriti krye gjatë depresionit të madh në vitet 1920-1930, duke sjellë në pushtet Mussolinin dhe Hitlerin, me pasoja që i njohim të gjithë. Edhe atëhere të pakët ishin ata që kuptuan se ç’rrezik po i kanosej njerëzimit. Edhe sot, Trumpi nuk duket shumë i tmerrshëm, Le Pen nuk duket aq fashiste, Grillo bën akoma për të qeshur…

“Pyeta një mikun tim Italian që bënte thirrje në rrjetet sociale për një votë JO ndaj reformës” – një person i angazhuar politikisht në zonën e Emilia Romanjës, komunist aktivist – “përse mendon që vota jote, për herë të parë përkon me votën e një fashisti, me votën e një Legisti, me votën e Berlusconit dhe me votën e një komiku të acaruar”?
Nuk m’u përgjigj drejtpërdrejtë, madje ndjehej në siklet që shoqërohej politikisht me personazhe kaq të larmishe, por devijoi në një përgjigje gjeopolitike, e cila pak ose aspak kishte të bënte me referendumin apo me pyetjen time direkte. Merkeli, Gjermania, Europa, SHBA-ja, Rusia, ishin pjesë të përgjigjes. Me pak fjalë, gjithë pafundësia e thashethemeve që qarkullon në rrjetet sociale dhe mediat elektronike. GLOBALIZIMI I INFORMACIONIT MBETURINË, kishte depërtuar dhe kishte vënë rrënjë tek një idealist i paepur.

Onufri

ITALIA DHE GLOBALIZIMI I INFORMACIONIT MBETURINË