Italia, zgjedhjet, mali dhe Shqipëria


Me një vështrim të shpejtë mbi zgjedhjet në Itali mund të nxjerrim disa kokluzione:

1 – Shqetësim kryesor një ditë para votimit ishte shitblerja e votave, fotografimi i fletës së votimit (për të dëshmuar ekzekutimin e shitjes së votës), dhe manipulimi i votës së emigrantëve (italianëve që jetojnë në shtete të tjera) duke blerë skedat bosh të cilat plotesohen më pas nga partitë në Romë.

2 – Votimi u shty deri në orën 23:00 me radhë të gjata deri në çastet e fundit të mbylljes së qendrave të votimit.

3 – Numërimi i kutive vazhdon edhe sot, një ditë më pas. Me gjasë edhe shpërndarja e mandateve do të marrë shumë kohë, falë një sistemi zgjedhor të komplikuar, dhe krijimi i qeverisë së re do të kërkojë më shumë kohë. Një situatë aspak e qartë që u reflektua edhe në pikiatën e Bursës së Milanos.

Probleme këto të gjitha, por edhe të tjera të së njëjtës natyrë, që tregojnë se sa e përafërt është situata post-zgjedhore në vendet më të zhvilluara Europiane me atë në Shqipëri.
Është e qartë që kjo nuk tregon rritje të standardit shqiptar në nivelin mesatar Europian, por rënien e standardit europian në nivelin mesatar Shqiptar.

Nëse Mali nuk shkon dot te Muhamedi është Muhamedi që shkon te mali. Por ndodhka edhe që nëse Shqipëria nuk e arrin dot Europën, është Europa që po afrohet te Shqipëria. Me specifikimin që në këtë rast Europa është mali, dhe një mal që po spostohet, me siguri do të zërë dikë poshtë. Shqiperisë, e cila i ka sytë nga Europa, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë dhe të shpresojë që nuk është në trajektoren e malit që po bie.

Onufri

Italia, zgjedhjet, mali dhe Shqipëria