JEMI NË UDHËKRYQ!

Dhe bash me këtë ide, vërshuan dhe teoritë e shtetit të së drejtës, e konstitucionalizmit, e Bill of Rights, e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, filloi që në Shqipëri të flitej për respekt të pronës dhe të individit nga të dërguar të urtë dhe të dijeplotë nga perëndimi, u rritën përpjekjet për forcimin e institucioneve sipas modeleve perëndimore, u përhapën dhe teoritë e sigurisë juridike, e forcës së arsyeshme të përdorur nga shteti në raport të drejtë me qëllimin që kishte. Dhe të gjitha këto për të eliminuar abuzivitetin lindor që i bëhej pushtetit, për të krijuar më në fund dhe në Shqipëri një demokraci funksionale, me shpresë se Evropa do të na priste krahëhapur.

Por tani kemi zbuluar se Shqipëria është në udhëkryq dhe politikisht. Jo vetëm sepse ka interesa nga të dyja palët, por ekziston përshtypja se njëra nga palët nuk po tregon vendosmërinë e duhur për t’a marrë Shqipërinë në “patronazhin” e vet. Më shkoqur, nuk ekziston vullneti i Evropës dhe ndoshta i SHBA-ve gjithashtu që Shqipërinë ta fusin në hartën e vendeve me demokraci perëndimore. Nuk e dimë për ç’arsye, ndoshta mbizotërojnë ende dhe sot parimet e vendosura nga Konferenca e Jaltës (që ndau botën në dy zona influence, nën atë të Bashkimit Sovjetik dhe nën atë të SHBA-ve). Dhe kësisoj, Shqipëria duhet të mbetet në një influencë nga lindja, e shoqëruar dhe me pasojat që rrjedhin dhe që kryesorja është ekzistenca e një regjimi hibrid demokratik (si disa vende autoritare afrikane dhe të lindjes së mesme…). Ndoshta sepse, kokat perëndimore mund të fusin ndonjë element antropologjik në analizat e tyre politike dhe të arrijnë në konkluzionin se shqiptarët nuk qeverisen dot ndryshe veçse hibridikisht.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet mefshtësia e përgjithshme e BE-se ndaj ngjarjeve të 21 janarit, të Gërdecit dhe të aferave korruptive që bëjnë mu. Ndryshe nuk ka si shpjegohet konferenca e shtypit tërësisht jashtë çdo logjike demokratike e Ambasadorit amerikan në Tiranë, ku dënon ata që u vranë dhe mbron vrasësit. Si mund të mbrohet ajo ndodhi në 21 janar?! Pyetja shtrohet shumë thjesht dhe duhet të shtrohet nga të gjithë. Nëse ka njerëz që janë ende të pabindur në lidhje me kauzën e atyre që protestuan në 21 janar është mirë të bëjnë pyetjen se si ka mundësi që në 2011, në një vend anëtar të NATO-s që aspiron për BE të vriten njerëz me automatikë për shkak se po protestonin me mjete rrethanore, dhe këtu fus dhe parodinë e turpshme të çadrave pistoletë dhe stilolapsëve TT dhe për shkak të ushtarëve që  ishin ose të trajnuar keq ose në rastin më të keq të vënë aty kastile për të rënë në thundrën e panikut dhe të gjuanin dhe në mish. Nuk ja vlen të diskutojmë për përgjegjësi edhe pse e kemi të qartë se justifikimi i dekapitimit të komandës drejtuese të Gardës nuk kapërdihet më: nëse ata kanë vepruar jashtë kornizës ligjore ata janë të dyshuar numër një për masakrën që ndodhi. Shteti do të jetojë dhe pa atë zinxhir aktual komandues të Gardës, madje më mirë dhe më me dinjitet. Ndryse nuk ka si shpjegohet heshtja bashkëpunëtore në lajthitjet televizive të Kryeministrit, në dënimet me vdekje, me linçim kundër Opozitës dhe gazetarëve.

Na lind automatikisht dhe një pyetje tjetër shumë e thjeshtë: çfarë mësohet nëpër bankat e shkollës? Për çfarë flitet në fakultetet e Juridikut dhe të Shkencave Politike, partnerët ndërkombëtarë për çfarë lirie e kanë fjalën? Nëse liria konceptohet në të drejtën për të dalë dhe për tu bërë tapë, ja kemi dalë mbanë. Po mua ma kanë mësuar ndryshe: ma kanë mësuar se fjala është e shenjtë dhe nuk mund të vritesh për shkak të saj, nuk mund të dënohesh pa një proces të rregullt, ashtu sikundër drejtësia duhet vënë në vend me anë të njëprocesi të rregullt (shih rastin e turpshëm të Gërdecit), më kanë mësuar se nëse të shkelen të drejtat dhe nëse shkelësi këmbëngul në atë rrugë, më lind e drejtë të ngre krye. Ky realitet që më kanë mësuar nuk puqet kurrkund me realitetin e deklaratave të ndërkombëtarëve. Është për të ardhur keq, për më tepër që për ata që kanë vesh, sy dhe dëshirë për të njohur sadopak politikën amerikane, mund t’ju kujtohet mjaft lehtë skandali i Watergate që nuk ka të krahasuar me vrasjet dhe për të cilin dha dorëheqjen një President amerikan. Koherenca është shumë e rëndësishme, por tashmë populli shqiptar po mëson fatkeqësisht se në fushë të gjeopolitikës, koherenca nuk i shërben askujt. Tashmë, populli po shikon realitetin e vërtetë: ai është një gur ndër shumë gurë të tjerë shahu që duhet të lëvizen në një kohë të caktuar në një katror të caktuar, pavarësisht vullnetit të tij.

Ndoshta shumë veta nuk binden për arsyet e Protestës së 21 janarit. Por ama duhet të binden për mungesën e arsyes së veprimit tiranik të shtetit kundër demonstruesve. Mos harrojmë se janë vrarë katër veta, dhe ende nuk po dalin përgjegjësitë. Prokuroria po e heton dhe shumë faleminderit Ambasadorit amerikan që na rikujton detyrën e saj, po ama duhet të rikujtojë gjithashtu se në Shqipëri nuk ka kafshë që duhet të sundohen nga kafshë, po njerëz me dinjitet që duan të drejtohen denjësisht, pasi Shqipëria nuk është një vend që shkelet dhe pastaj ikën, por një vend ku jetohet!
                                                                                                                                                               Stavri

JEMI NË UDHËKRYQ!