KËRKESË PËR AZIL POLITIK

                                                                                                                                Tiranë, më 28 Nëntor 2009
                                                                            

                                                                       KËRKESË PËR AZIL POLITIK

                                                 DREJTUAR KONSULLATËS SË SHTETIT XXXXXXXXXXXXXXXXXX

I nderuar Konsull,
më lejoni t’ju paraqes kërkesën time, megjithëse një gjë të tillë nuk e kisha menduar kurrë deri më sot.

Unë quhem XXXXXXXXX, kam lindur në qytetin e Durrësit, në vitin 1977, i martuar me XXXXXXXXX, dhe babai i dy fëmijve, XXXXX dhe XXXXXXX, 3 dhe 5 vjeç përkatësisht. Në vitin 2001 jam diplomuar në degën e XXXXXX, kam kryer masterin (2005); më tej jam  punësuar si pedagog në Universitetin XXXXXXXXXXXXXXXXXX, si dhe kam kryer doktoratën (2004-2008).
Në aspektin personal, familjar, ekonomik dhe shoqëror jam në një pozitë tepër të kënaqshme, veçanërisht për rrethanat e Shqipërisë.
Atëhere përse më duhet të paraqes një kërkesë të tillë?
Po ja, ka të bëjë me demokracinë e vendit tim. Demokraci, e cila po na lodh së  tepërmi gjendjen shpirtërore si shoqëri, veçanërisht shtresat shoqërore që nuk punojnë për të jetuar, por që jetojnë për të punuar.
Kulmi i pakënaqësisë sime arriti para disa ditësh, kur Kryeministri i vendit tim kërcënoi hapur, në ditën me diell liderin e opozitës, dhe jo vetëm atë. Unë e kuptoj që politika shpeshherë përdor retorikë të ashpër, por kurrsesi nuk e pranoj që të arrijë deri në atë pikë sa të vrasi ndjenjën e lirisë dhe protestës së qytetarëve të vet.  Kjo nuk është demokraci, kjo është diktaturë, një diktaturë më e keqe se ajo që vepronte me anë të ligjeve jodemokratike gjatë sistemit komunist. Diktatura e sotme, ka një veçori tjetër, që ligjet i shkruan me frymë demokratike, ndërsa zbatimin e tyre e realizon në kah të kundërt.
Sa më sipër është vetëm fundi i historisë, se fillimi është më herët, në vitin 1997, 1998, më vonë me ngjarjen e Gërdecit dhe shumë e shumë ngjarje të tjera që dëshmojnë që drejtësia, liria dhe demokracia janë shumë larg normales në vendin tim, në vendin ku do dëshiroja të jetoja…
Unë kam frikë! Unë dhe bashkëshortja ime kemi frikë, madje edhe disa miq të mitë….jemi vërtet shumë që kemi frikë.
Unë do kisha shumë dëshirë të protestoja, të flisja i lirë, por kam frikë, do doja të protestoja për votën në radhë të parë, si themeli i demokracisë, do doja të protestoja për varfërinë, korrupsionin, për ujë e drita, për gjithçka, por ja që s’e bëj dot, se kam frikë, jam i tmerruar…se AI që më kërcënon nga ekrani i televizorit, apo zëri i radios, nuk është një rrugaç i rëndomtë, AI është Kryeministri im dhe i familjes sime.
Sot është 28 Nëntor, ditëlindja e vendit tim, siç u shpreh edhe Kryeminstri im. Ditëlindjet festohen. Jo! Kësaj here jo, unë nuk festoj, se vërtet vendi im është i pavarur në aspektin gjeopolitik, por është i varur nga një kastë politikanësh, që dhunën verbale e kanë më të voglin mëkat, në këndvështrimin tim për demokracinë.
Ju lutem më kuptoni.
Jeta është shumë e shkurtër, dhe unë kam arritur në një copë të mirë të kësaj rruge. Unë nuk jam hero, unë nuk dua të sakrifikohem, unë nuk mund të vendos, mbi të gjitha, për të gjithë familjarët e mi. Unë dhe familja ime duam të jetojmë në një vend ku të jetojmë të lirë dhe pa frikë.
Ju mund të pyesni përse kam zgjedhur vendin tuaj?!
Unë kam jetuar në Shtetin XXXXXXXXXXXXXXXXXXX, për 1 vit, gjatë një shkëmbimi universitar në vitin 2006. Pretendoj, se zotëroj mirë gjuhën dhe njoh zakonet e vendit tuaj dhe mbi të gjitha jam i mahnitur nga niveli i demokracisë në vendin tuaj.
Megjithëse, jam i ndërgjegjshëm që nuk do të jetë e lehtë, shpreh bindjen se unë dhe familja ime i kemi të gjitha  mundësitë për t’u integruar dhe më tej për të kontribuar në shoqërinë e vendit tuaj.
Ne mund të aplikonim edhe thjeshtë në kategorinë e emigracionit ekonomik, por sikundër përmendëm edhe më sipër pozita jonë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri është mëse normale. Kështu, arsyet e vetme për të cilat dëshirojmë të braktisim Shqipërinë kanë të bëjnë vetëm dhe vetëm me nivelin tepër të ulët të demokracisë. Dhe me këtë rast donim të tërhiqnim edhe vëmendjen e shtetit tuaj, që të bëjë maksimumin në këtë drejtim.
Ju lutemi merreni parasysh kërkesën tonë. Megjithatë, do mirëkuptonin edhe një përgjigje negative, mbështetur në rregullat e shtetit tuaj.
Në çdo rast, do luteshim të ruhej konfidencialiteti i kësaj kërkese.

                                                                                                                             Me sinqeritet dhe respekt,

                                                                                                                          Xxxxxxxxxxxxx  xxxxxxxxxxxxxx

 

KËRKESË PËR AZIL POLITIK