Kryeqytetari përtej çdo hije dyshimi

luliluli2

Pritëm që Bashkia e Tiranës të dilte me një deklaratë zyrtare në lidhje me skandalin e ndërtimit të një kati shtesë në pallatin ku banon Luli, me kërkesë dhe për përfitim të këtij të fundit. Më në fund doli edhe pse me një gjuhë të varfër, të përgjithshme dhe që rimerrte sofizmat e statusit të Saliut në Facebook. Ishte një deklaratë që nuk thoshte asgjë, përveçse tregonte gishtin e mesit të gjithë atyre që ndihen të revoltuar prej një katandisjeje të tillë të atyre që u besojmë votën, fatet e qyteteve tona dhe mundësinë që të na përfaqësojnë. Në këtë kontekst, Luli ka kapur maja të paaritura më parë, sikur të mos mjaftonte shitja e detit dhe 21 Janari.

Deklarata thoshte në thelb se kryetari i Bashkisë është një qytetar si gjithë të tjerët dhe kësisoj ai ka të drejta dhe detyrime si të gjithë qytetarët. Pra, nëse miratohet një leje zhvillimore dhe ndërtimi për një qytetar të thjeshtë, këtë të drejtë e ka dhe kryebashkiaku si qytetar që ai është. Natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë sa e thotë Bashkia, e cila në fakt nuk ka ç’ të thotë aq baltë e ka bërë kësaj here Luli.

Nuk është aq e thjeshtë sepse si organ monokratik i zgjedhur nga populli, kryebashkiaku i përgjigjet Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave. Dhe po të shikojmë, edhe vetë Luli, tani në cilësinë e kryebashkiakut, e dinte këtë gjë, pasi në vendimin e dhënies së lejes zhvillimore më datë 1 gusht 2014, ai ka vënë në bazën ligjore dhe një nen të këtij ligji. Ky nen flet për ato raste kur konflikti i interesit është i pashmangshëm sepse nuk ka kush ta zëvendësojë tjetër në këtë vendimmarrje që lidhet me lejet zhvillimore të ndërtimit (kryesia e bashkisë është një formë monokratike e shprehjes së pushtetit) dhe se nuk ka asnjë organ tjetër që mund të marrë vendim në vend të kryetarit të bashkisë. Deri këtu, në dukje gjithçka është në rregull. Një kryetar bashkie mund të zhvillojë pronën e tij nëse i justifikon fondet, e zhvillon këtë pronë sipas kuadrit ligjor dhe justifikon gjithashtu nevojën e bërjes së këtij zhvillimi. Kriteri i tretë, duket i tepërt në kushtet e Shqipërisë, pasi gjithmonë ka triumfuar gjithmonë një lloj arrogance e atyre që janë në gjendje të tregojnë se i kanë mundësitë të ndërtojnë. Megjithatë, mendojmë se ështën jë aspekt etik mjaft i rëndësishëm për një person publik. Kjo dhe për arsye koherence, pasi nuk mund të sulmosh kundërshtarin për favoritizma, kur dukshëm po favorizon veten për të bërë diçka që ndoshta nuk ia ke nevojën. Dhe le ta themi troç: të gjithë duam mirëqënie, të gjithë duam shtëpi të bollshme dhe të rehatshme, po janë shumë pak ato kokrra qytetarësh (meqënëse ky Luli na hiqet si qytetar si gjithë të tjerët) nuk mendon se një shtëpi dykatëshe është aq e ngushtë sa të justifikojë dhe ndërtimin e një kati të tretë mbi pallat dhe kështu, kthimin e një shtëpie me tre kate, të 11-in, 12-in dhe 13-in, ta shoh si një shprehje e një mirëqënieje modeste. Lul hollandezi duhet ta dijë mirë se me këtë që ka bërë, në Hollandë do të zhdukej nga jeta publike për shumë kohë. Dhe jo vetëm për shkak të një stili jetese tërësisht të shproporcionuar për një politikan që synon të luftojë oligarkitë në një vend ende shumë të varfër, por edhe sepse ai është një zaptues pronash i pacipë, pasi ndërtimi i katit të 13 është bërë në tarracë, e cila me ligj, është bashkëpronësi e të gjithë banorëve të pallatit. Nuk dimë nëse u është kërkuar leja për një gjë të tillë, por dokumentet flasin shumë qartë kur citojnë si pronarë çiftin Basha: ata thjesht dhe vetëm e kanë zaptuar atë hapësirë.

Nga ana tjetër, si qytetar mes qytetarëve, presim nga ai që të jetë model në zbatimin e ligjit. Ka dy mundësi: ose qytetarët mezi ç’presin të  zbatojnë të gjithë ligjin dhe kështu Luli duhet të jetë i pari që ta bëjë këtë, ose ka qytetarë që e shkelin ligjin, por meqënëse Luli është qytetari i qytetarëve, ka për detyrë ta zbatojë ligjin për vete, qoftë dhe sa për të dhënë shembullin. Por ka dhe një rrugë të tretë. Ajo e Lulit. Nëse e kujtojmë, ne 10 tetor 2013, Këshilli Kombëtar i Territorit mori masa të natyrës emergjente për disa zona të rrezikuara nga degradimi urban, ku përfshihej gjithashtu edhe “pezullimi i dhënies së të gjitha llojeve të lejeve zhvillimore në këto zona, nga autoritetet e planifikimit (ku hyn natyrisht dhe kryetari i bashkisë), deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Siç pritej, ky vendim u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 4, datë 2 shkurt 2015, vendosi rrëzimin e kërkesës dhe, për pasojë lënien në fuqi të vendimint të Këshillit Kombëtar të Territorit. Po të shikohet faqja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, do të shikohet se një nga zonat që vihej në mbrojtje nga ky vendim ishte dhe qendra historike e Tiranës, brenda të cilës përfshihet dhe pallati ku banon Luli. Me pak fjalë, kryetari i bashkisë, edhe pse në opozicion me qeverinë, ka shkelur ligjet e vendit të tij. Luftën politike ai e ka çuar dhe në terren duke e shkelur me të dyja këmbët vendimin e organit epror dhe kësisoj duke shkelur edhe Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave, pasi edhe në ato raste, siç thotë ligji, ku konflikti i interesave është i pashmangshëm, nëse vendimet i nënshtrohen një organi epror, ato mund të revokohen. Por Luli ka vepruar edhe me shtrembër: ai ka nxjerrë lejen zhvillimore të ndërtimit për veten e vet pasi doli vendimi i pezullimit të ndërtimeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Nuk duhet të kemi asnjë iluzion për politikanët tanë. Por kur na jepen kështu rastesh flagrante dhe të pakundërshtueshme të synimeve të tyre të vërteta kur vijnë në pushtet, duhet të rezistojmë dhe t’i flakim. Nuk ka më arsye përse duhet të mbajmë mbi kurriz kështu fenomenesh kur tashmë jemi në gjendje të flasim dhe të veprojmë pa na dhënë njeri leje.

Kryeqytetari përtej çdo hije dyshimi