Kur Netanjahu sfidon Berishën

fotonetan

Pa u mësuar mirë me deliret e Salës në Facebook, na vjen një tjetër i përmasave ndërkombëtare nga Izraeli. Pa u mësuar mirë me “të dashur miq” të Saliut, që vijonin me “shihni ç’më ka shkruar një mik që ka një mik që vëllai i tij punon te hoteli ku parvjet ka fjetur filan ministër”, na vjen një delir i përmasave më të mëdha nga Lindja e Mesme. Këtë perlë deliriane e deklaroi dhe e mbrojti Kryeministri i Izraelit Netanjahu, përpara Kongresit sionist në Jeruzalem. Në thelb mesazhi ishte ky: “Hitleri nuk ka dashur të shfarosë hebrenjtë, por vetem t’i dëbojë. Ideja [për t’i shfarosur] i është pëshpëritur nga myftiu i madh i Jeruzalemit Haxh Amin al-Husejni gjatë një takimi që ata kanë bërë në 1941.” Saktësisht, Netanjahu, si Saliu jonë, por pa patur ndihmën e mikut të mikut të vëllait që ka një baxhanak që ka pas punuar te hoteli ku fjeti Hitleri, përsëriti dialogun që paskan patur ata të dy, gjatë të cilit një propozim sjell tjetrin, ka qenë myftiu që i propozoi Hitlerit që “t’i digjte.”

Nuk kemi asnjë lloj dyshimi mbi karakterin e takimit dhe mbi cilësitë e dy personazheve. Ashtu sikundër është shumë e qartë për historianët dhe për këdo se Hitleri nuk ka pritur Myftiun e madh të Izraelit për të patur një ide të qartë se ç’do të bënte me Hebrenjtë në Europë. Por Netanjahut, në një periudhë konflikti të stisur prej tij mes palestinezëve dhe Izraelit, i leverdis të bëjë interpretime delirante, për të treguar përpara atyre që besojnë verbërisht në politika ekstremiste ksenofobe, se arabët e Palestinës kanë dashur që në gjenëzë të na shfarosin, pra o burra, hajt t’u biem. Me këtë mesazh ai vetëm sa ka mbledhur sojin dhe sorollopin e vet për t’i përgatitur për diçka që nuk është hiç e mirë.

Aq i trashë ishte tregimi i Netanjahut sa dhe vetë përgjegjësja për çështjet historike të Memorialit Yad Vashem u detyrua të pranojë se “nuk është historikisht e saktë” dhe se “ideja e shfarosjes është më e hershme se takimi i vitit 1941.”

Kjo tregon qartë se deliri në politikë shërben për sa kohë nuk ke ç’thua, nuk bën dhe nuk do të veprosh për të mirën e përbashkët, por për të shpëtuar lëkurën ose për të krijuar një rrëmujë që do t’i përfitojë vetëm thashethemaxhiut. Fatkeqësisht, Saliu nuk është i vetëm në këtë fushë.

Kur Netanjahu sfidon Berishën