Kurrë mos i besoni një të vetëshpalluri të “pavarur”

download

Për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme politike, populli shikon gjithmonë me një admirim kandidatët e rinj që dalin në çdo palë zgjedhje, me siglën “të pavarur”. Të ishe i pavarur donte të thoshte të kanalizoje të gjitha pakënaqësitë që kishin njerëzit. Edhe sot, jemi përpara të njëjtës situatë. Zhgënjimi i njerëzve për shkak të politikës gjen ende një shprehje në shumëfishimin e kandidatëve të pavarur.

Sigla “i/e pavarur” mbulon shumë situata që ndryshojnë nga njëra-tjetra: që nga ish deputeti apo qeveritari vendor të cilit partia i ka bërë dalje, pavarësisht se ai kërkon me ngulm të kandidojë, e deri te situatat e sotme kur, për t’i bërë ballë dy grupimeve politike kryesore dhe aleatëve të tyre, kandidatët shpallen “të pavarur”, ose si të mbështetur nga e vetmja “parti” tek e cila gjejnë frymëzim, atë të “qytetarit”.

Sesi mund të jetë një kandidat i pavarur që mbështetet në partinë e “qytetarit”, pra që përveç pavarësisë ndaj PS-së dhe PD-së, pretendon dhe pavarësinë ndaj çdo lloj ideologjie, përveç asaj të “qytetarit”, as Lubonja vet në emisionin e tij të ri nuk na e tregon dot. Sepse si qenie politike, si qytetari, si kandidati, ka një sensibilitet të vetin. Mund të mos jetë me PD-në, por është i djathtë, ashtu sikundër mund të mos jetë me PS-në, por thellësisht mendon se politikat e majta mund ta rimëkëmbin qytetin apo shtetin.

Kandidimi me siglën “i pavarur”, me vetësugjestionimin se je i partisë së “qytetarit” dhe se mendon se një menaxher i mirë është më i vlefshëm se një politikan i mirë, pra kandidimi me idenë se je i të gjithëve, rrezikon të të bëjë i vetvetes.

Është e qartë se qytetari ka një lodhje të përgjithshme nga një klasë politike e stërmunduar nga hallet e saj. Nga një klasë politike që tashmë nuk prodhon më asgjë të mirë, madje as vetveten, duke gjetur furnizime në pjesën më lumpene të shoqërisë, shih Mhill Fufin, Mark Frrokun e kështu me radhë. Por ama duhet të jetë gjithashtu e qartë se përgjigja ndaj kësaj situate nuk është pavarësia e kandidatëve. Akoma më pak e njerëzve që kanë ardhur në politikë nga gjiri i partive.

Nuk mund të ketë pavarësi në politikë. Nuk mund të jetë e pavarur një marrëdhënie ku pavarësia nuk kërkohet. Zgjedhësit nuk kërkojnë një njeri të pavarur, një njeri që t’u kalojë përsipër partive dhe ideologjive, një njeri që nuk e shpreh dot mendimin e tij, peng i një pavarësie që do të jetë më shumë një handikap sesa një risi e mirë. Zgjedhësi, pavarësisht nivelit të tij dhe vendit ku jeton, është një qenie politike, me sensibilitetin e tij politik, të ekuilibruar nga arsyeja, por që gjithsesi mendon se bota duhet të rrotullohet më majtas ose më djathtas. Njerëzit që kandidojnë, bëhen njerëz politikë, dhe një nga kriteret e përzgjedhjes së njeriut politik në postet drejtuese është dhe krahu i tij politik, që, si pjesë e transparencës publike, duhet të njihet prej zgjedhësve. Fakti që në zgjedhje kandidon si i “pavarur” përbën një pengesë në njohjen e kandidatit. Të kuptohemi, nuk kërkojmë zgjedhje me dy kandidatë të dalë nga PS dhe PD; le të jenë sa më shumë. Por gjithsecili duhet të vendoset në fushën e shahut, të mbajë përgjegjësinë e tij në fushë dhe të luajë gurët e tij, me aq mundësi sa ka.

Pavarësia po përdoret në politikë për të përfituar kredite të kota. Pasi kushdo do e kuptojë se pavarësia e kandidatëve është një gënjeshtër, në të gjitha kuptimet e mundshme. Dhe kështu, ajo po harrohet të përdoret dhe të vihet në jetë aty ku kandidatët duhet të përzgjidhen në saj të disa kritereve që garantojnë pavarësinë e tyre, si për shembull trupa e pushtetit gjyqësor. Në këtë kuadër, kuptimi i të pavarurit merr kuptim. Nuk mund të kuptojmë dot sesi një gjyqtar mund të jetë i majtë apo i djathtë, prandaj dhe kërkojmë pavarësinë e tyre. Nuk duam të dimë nëse një gjyqtar ka një sensibilitet të majtë apo të djathtë, kërkojmë të dimë se ç’raport ka ky gjyqtar me ligjin. Pavarësia e tij është garanci për ne. Por për një kandidat në një post politik, përveç raportit që ka ai me ligjin (dhe rastet Frroku na e kujtojnë gjithmonë e më fort), duhet të dimë se kë përfaqëson, çfarë pikëpamjesh ka mbi shoqërinë dhe si mendon se duhet të trajtohet pabarazia sociale: të gjitha çështje që nuk kanë asnjë lidhje me të qenit “i pavarur”.

Kurrë mos i besoni një të vetëshpalluri të “pavarur”