Kush është Charlie dhe keqkuptimet e shqiptarëve

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga sulmi terrorist ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, i cili tronditi Francën dhe mbarë botën. Jehona që do të lerë pas do të jetë e gjatë, mbase po aq sa 11 Shtatori i Kullave Binjake dhe do të shenjojë, pa asnjë dyshim, kalendarin e historisë.

Në të njëjtën kohë që vëllezërit Kouachi ekzekutonin 10 gazetarë dhe 2 policë në Paris, Boco Haram masakronte 2000 civilë në Nigeri. Lajm ky i fundit i cili kaloi thuajse në heshtje. Të gjitha mediat e kishin përqëndruar vëmendjen në Paris, mijëra gazetarë, qindra televizione nga e gjithë bota. Rrjetet sociale gumëzhinin, blogjet e gazetat edhe më shumë. Charlie Hebdo, nga një revistë e panjohur, në prag të falimentimit, brenda ditës u bë emri më i njohur për të gjithë.

Dikush tha “Je suis Charlie” dhe të gjithë e ndjenë veten Charlie. Sidoqoftë, u kuptua menjëherë se “unë jam Charlie” nuk do të thotë që ndan të njëjtat pikëpamje me revistën satirike. Të thuash “unë jam Charlie” do të thotë, në këtë moment, të sfidosh terrorizmin, të refuzosh fondamentalizmin, të solidarizohesh me viktimat që nuk janë vetëm gazetarë, artistë dhe policë. Viktima kryesore është liria e shprehjes. “Je suis Charlie” do të thotë të jesh për një shtyp pa censurë, të jesh për lirinë e mendimit, të jesh për lirinë e shprehjes, të jesh për lirinë e besimit, por edhe të jesh për lirinë e mosbesimit. Charlie Hebdo ishte një revistë e vogël në Francë e cila nuk kishte objektiv të satirës së saj vetëm një fè, vetëm një parti apo vetëm një politikan. Charlie Hebdo ishte thumbues, përqeshës, djegës, polemik, humoristik ashtu si pak dinë apo kanë mundësi të jenë.

Prandaj më duket e pakumtimtë tendenca tjetër që filloi të përhapej në një moment të dytë. “Unë nuk jam Charlie, unë jam Ahmed” tha dikush, duke e identifikuar veten me oficerin e policisë që u vra nga terroristët dhe që i përkiste besimit musliman. A thua se të jesh Charlie do të thotë të jesh francez, i bardhë, laik, piktor, artist thumbues, gazetar i majtë! Këtë, më pas, e shfrytëzuan edhe disa oportunistë, firma të njohura të gazetarisë, duke thënë që “Nuk jam Charlie” sepse bëj autocensurë, jam më i kujdesshëm për ndjeshmërinë e tjetrit, apo jetoj në ShBA, ku censura në gazetari është po aq e përdorur sa në vendet diktatoriale, pra unë jam tjetër kush. Kjo është qesharake. Vetë Charlie do të bënte një karikaturë për ta paraqitur oportunizmin e disave dhe cektësinë e të tjerëve. Mbase do ta ekzagjeronte, por nuk do ti pushkatonte për mosdijen e pafajshme dhe oportunizmin e pakuptimtë. Për këtë arsye të gjithë janë Charlie, edhe ata që nuk e dinë se janë.

Kam përshtypjen që shqiptarët janë më shumë Charlie se të tjerë, por janë edhe ata që e dine më pak se ç’janë. Të frikësuar e të kompleksuar, plot muslimanë shqiptarë u vendosën në pozita mbrojtëse. Çka është më e habitshme, muslimanët e mirëfilltë, ose ata që quhen praktikantë, ishin ata më të qartët duke u pozicionuar qysh në fillim, të numërt, kundër terrorizmit i cili në radhë të parë dëmton muslimanët. Këta të fundit shumë shpejt do të bëhen shënjestra e preferuar e fashizmit politik, racizmit dhe injorancës. Pikërisht duke kuptuar rrezikun, dolën të parët për të dënuar sulmin kundër revistës “Charlie Hebdo”.

Ata që u vunë në pozita mbrojtëse, jo të terroristëve por të vetes, janë muslimanët “në origjinë”. Pra ata që nuk e njohin islamin, nuk e kanë lexuar kuranin, ndoshta shkelin edhe plot mësime të fesë së cilës i përkasin… gjithmonë “në origjinë”.

Këtu lind edhe keqkuptimi i madh i shqiptarëve. Ne nuk duhet të vihemi në pozita mbrojtëse. Bota, sot më shumë se kurrë, është e globalizuar. Nuk është e ndarë në muslimanë e të krishterë, nuk është e ndarë në perëndimorë e lindorë. Çfarë do të ishte ShBA-ja pa Kinën, çfarë Europa pa Rusinë, çfarë do të ishte perëndimi pa Lindjen e Mesme?! Në fakt, bota sot është e ndarë në terroristë e fondamentalistë që e frymëzojnë terrorizmin nga njëra anë, dhe antiterroristë, laikë apo besimtarë, që e refuzojnë fondamentalizmin nga ana tjetër. Ne jemi populli që e kemi më të thjeshtë për t’iu përshtatur momentit historik të globalizimit, sepse i përkasim të gjitha feve dhe jemi të vendosur në kufij historik dhe gjeopolitik mes lindjes dhe perëndimit. Prandaj jemi ata që duhet të kemi më pak arsye për t’u kompleksuar dhe për tu vendosur në pozita mbrojtëse. Në një botë të globalizuar, ku e vetmja ndarje është mes atyre që e duan dhe atyre që nuk e duan lirinë e shprehjes, ne, më shumë se plot të tjerë, “jemi të gjithë Charlie”.

Kush është Charlie dhe keqkuptimet e shqiptarëve