Legjionet anti-veting

 

 

artiku
Puna e shkëlqyer mbrojtëse e trupës së gjyqtarëve nuk ka të barabartë në botë, për vetë formacionet mbrojtëse romake të quajtura “formacionet breshkë”. I kemi parë dhe stërparë nëpër filma: nga të gjitha anët dhe sipër tyre, ushtarët mbuloheshin nga mburojat duke lënë vetëm pak hapësirë për heshtat e tyre. Me këtë formacion, grupi i vogël i ushtarëve remake i bënte ballë armikut për një kohë të mjaftueshme deri në ardhjen e forcave ndihmëse.

Ja, pikërishtkëtu, grusht, të  mbrojtur nga zhgualli i tyre anti-veting, më fanepsen gjyqtarët.

Kërkesë pas kërkese, konferencë pas konference dhe debat televeziv pas debati televiziv, të ndihmuar dhe nga aleatët e tyre “barbarë” përtej SHQUP-it, gjyqtarët po i’a dalin të shtyjnë zbatimin e vetingut.

Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias tregoi dhe njëherë se asgjë nuk ka disproporcionale mes qëllimit që kërkon të arrijë ligji dhe metodave që përdoren, për të arritur këtë qëllim.

Opinioni i Komisionit të Venecias është i qartë, por jo përfundimtar. Ai ka meritën të shpotisë zhguallin qesharak të ngritur nga gjyqtarët, por nuk e ka meritën e flakjes tutje të kësaj mburoje prej kartoni, për sa kohë lë një dritare të hapur që Gjykata Kushtetuese, edhe mund ta shfrytëzojë. Çështja është, a do të jetë Gjykata Kushtetuese një nga mburojat e formacionit breshkë?

Kërkesa e fundit drejtuar Komisionit të Venecias lidhej me mbrojtjen e jetës private dhe familjare të gjyqtarëve, në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pyetja ishte kjo: a janë ligjet (në zbatim të ndryshimeve kushtetuese) në lidhje me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me nenin 8 të Konventës, për sa i përket respektit të jetës së tyre private dhe familjare?

Komisioni i Venecias thotë se duhet patur parasysh se vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet gjjithashtu dhe per të verifikuar deklaratat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim për të përcaktuar nëse ata kanë patur kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar. Në këtë kuadër, qëllimi është legjitim dhe brenda kuadrit të paragrafit të dytëtë nenit 8 tëKonventës (kufizimi i këtyre të drejtave për interesa të sigurisë publike, kombëtare, parandalimin e krimit e kështu me radhë). Për Komisionin e Venecias, vijon ky Komision, është e rëndësishme se organet që do të bëjnë këto vlerësime, duhet të bëhen nga organe ekzekutive, tëcilat duhet të jenë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve rivlerësuese (institucione të parashikuara në ndryshimet kushtetuese dhe që kanë tiparet e gjykatave), në mënyrë që të mos kemi një shkelje të respektit të jetës private dhe familjare nga organet ekzekutive, pa kontrollin e rreptë të një gjykate.

Komisioni i Venecias, pavarësisht se konstaton një ndërhyrje të qartë në jetën private dhe familjare mendon se “jo domosdoshmërisht mund të shikohet si një ndërhyrje e pajustifikuar në jetën private dhe familjare”.

Komisioni ka dhënë opinionin e tij, megjithatë në fjalinë e fundit, ka shumë formula kushtore, shumë “mund”, të cilat nuk i japin qartësinë e duhur një trupe gjykatësish, që fatkeqësisht, duan t’i shikojnë gjërat o të bardha ose të zeza. Mundësia është që Gjykata Kushtetuese, si vlerësuese e kushtetueshmërisë së ligjit, mund të vendosë ta interpretojë këtë formulë si një mungesë garancie kushtetuese se efektivisht ligji i vetingut parashikon kontrollet e organeve ekzekutive nga institutionet juridiksionale të krijuara me ndryshimet kushtetuese.

Format breshkë për një drejtësi me shpejtësi breshke…

Stavri

Legjionet anti-veting