Liria ndrydhi artin

art
Artistët e mëdhenj të brezit të vjetër, po shuhen një nga një. Roland Trebicka është ikona e artit skenik shqiptar. Me ndarjen e tij nga jeta skena e Teatrit Kombëtar humbi një vlerë të pazëvendësueshme. Natyra përshkon rrugën e saj dhe dalëngadalë po ndahen nga ne të gjithë artistët e skenës, të muzikës lirike, të pikturës dhe skulpturës; kompozitorë, violinistë, tenorë, instrumentistë, shkrimtarë, poetë e studiues duke na lënë neve, një art të varfër të rreckosur, të pafuqishëm, në ditët e fundit të agonisë.

Piktura që do të pasqyronte më mirë realitetin e artit do të ishte me ngjyra të murrme toke. Një tokë e djerrë e sheshtë dhe e pa ujitur. Them “do të ishte” sepse sot nuk ka kush ta pikturojë. Asnjë artist i ri në horizont, asnjë i denjë për këtë emër. E them këtë me gjithë respektin që ushqej për përpjekjet e sinqerta të brezave të rinj që e përfaqësojnë.

Liria, e fituar pas shumë dekadave, pati aftësinë të na bënte të mendonim se ajo e vetme do ta çlironte artin nga zinxhirët e diktaturës, pati karizmin e asaj që më në fund i hap rrugën ëndërrimit të pafre. Demokracia duhet ta vinte talentin, pasionin dhe frymëzimin në kontakt me publikun, jo vetëm atë kombëtar por edhe ndërkombëtar. Do të hiqeshin një herë e përgjithmonë kufizimet, ndëshkimet dhe përndjekjet ndaj artistit disident, apo atij që devijonte nga linja e Partisë. Por Jo! Demokracia e ndrydhi artin. Sistemi i ri e përdhosi dinjitetin. Skamja e largoi talentin. Pushteti e brejti moralin dhe solli halabakërinë e intelektit.

Prandaj dhe sot, bëjmë mirë të pranojmë me ndershmëri intelektuale disa fakte. Arti nuk krijon më asgjë; as vlera morale, as vlera kulturore. Madje arti i sotëm nuk prodhon më as vlerë monetare e materiale, bazat e sistemit kapitalist. Në Shqipërinë tonë ndodh e kundërta; është paraja që prodhon art, prandaj edhe  arti është i pisët, ashtu si edhe kartëmonedhat që e krijojnë atë. Edhe në qoftë i vërtetë, edhe në qoftë i pastër, i ri si vetë talenti natyror, po kaloi në duart e njerëzve-sistem, ku është i detyruar të kalojë, do të ketë të njëjtin fat me kartëmonedhat e sapo prodhuara. Tërheqëse për aq kohë sa nuk kalojnë dorë më dorë.

Ju kërkoj ndjesë përfaqësuesve të rinj të artit shqiptar, por jam i detyruar nga kërshëria që t’ju drejtoj një pyetje: Cili prej jush, nga lartësia e egos që ju dallon, mund të thotë se e ndjen veten artist, përballë emrave të mëdhenj të së shkuarës?

Sot media  e shkruar dhe vizive, teknologjia, interneti dhe rrjetet sociale ju japin shumë më tepër vizibilitet sesa paraardhësve tuaj. E megjithatë asnjë prej jush, për mendimin tim krejt personal, nuk mundet as ta fillojë një garë virtuale vlerash artistike, morale dhe humane me ikonat e artit që u formuan gjatë Realizmit Socialist, në kushtet e një diktature asfiksuese për vetë artin.

Arroganca ime në gjykimin që iu bëj artistëve të brezit të ri, nuk ka për qëllim t’ju denigrojë juve. As të lartësojë përtej meritave ata që ishin para jush. Ju jeni po aq viktima të këtij sistemi sa edhe gazetarët, mjekët, inxhinierët, të gjithë profesionistët dhe intelektualët e Shqipërisë.

Vakuumi që lënë pas figurat e së shkuarës kur ndahen prej nesh, është vakumi që ka krijuar e gjithë shoqëria jonë, dhe dhimbja e madhe që ndjejmë kur ata ndahen nga jeta, është pikërisht nostalgjia për vlerat e dikurshme që nuk ekzistojnë më mes nesh.

Padroni i ri i shoqërisë sonë nuk quhet më Diktaturë por Indiferencë. Është e qartë gjithashtu, se kush dorëzohet në hidhërim e nuk ngre një grusht proteste përpara këtij realiteti, është dyfish fajtor; për atë që nuk ka bërë deri më sot dhe për atë që nuk po bën për të ndryshuar të ardhmen. Të gjithë ata që refuzojnë politikën sepse degradimin e shoqërisë shqiptare dhe humbjen e të gjitha vlerave e shohin si shkak-pasojë të politikës, janë të parët që e nxisin sistemin aktual. E bëjnë atë të ecë përpara pa kokëçarje, në binarë të mirëdrejtuar prej vetë politikës dhe oportunistëve që e udhëheqin.

Në qoftë se nuk fillojmë të gjithë së bashku, ose edhe secili për hesap të vet, që sot, të ngremë zërin, tu tregojmë grushtin, e t’iu kërcënojmë dhëmbët prodhuesve të një sistemi antivlerash, atëherë kemi pranuar që të jemi produkt i tij, çka na bën ne, edhe më shumë të neveritshëm.

Onufri

Liria ndrydhi artin