Loja e prapë e Dules

untitled_2011325

Në politikë dy plus dy nuk bëjnë gjithmonë katër, ka raste që bëjnë pesë, apo edhe trepik’pesë.

Nga kjo teoremë rezulton se në politikë ka fare pak gjëra të sigurta ndër të cilat postulatet: “në politikë asgjë s’është e sigurtë” dhe “në politikë asgjë s’është e rastësishme”.

Ndaj edhe shfaqja e Vangjel Dules në ditën e parë të fushatës, në Himarë, me flamurin e Vorio Epirit nuk kishte asgjë të rastësishme. Naiv kush mendon të kundërtën.

Pas incidentit të Beogradit në fushën e gjelbër të futbollit, kryeministri Rama e quajti banderolë me simbole kombëtare atë që fluturoi me dron mbi kokat e lojtarëve dhe në ekranet sportive. Madje shtoi që “nëse një banderolë me simbolet serbe do të fltuturonte në Shqipëri, populli këtu, nuk do të shpërthente në reagime të dhunshme dhe ksenofobe”.

E imagjinoj Dulen ndërsa ndiqte zhvillimet e Beogradit dhe dëgjonte fjalët e Kryeministrit. Duhet t’i kenë shkëlqyer sytë në ato momente, duhet të ketë thurur ato ditë planin e tij të prapë, lojën vulgare, koreografinë tendencioze që po shpalos këto ditë në Himarë.

Në fund të fundit edhe copa që varet në sfond, pas podiumit ku ai flet, është një banderolë e Vorio Epirit që s’duhet të provokojë shqiptarët (për flamur s’bëhet fjalë). Deri këtu çdo gjë e pranueshme. Loja e prapë e Dules mund të jetë e pranueshme, sigurisht. Por më parë duhet të largohet nga detyra si nënkryetar Parlamenti. Le të barazohet me Ballist Morinën dhe më pas është i lire të valëvisë të gjitha banderolat e Ballkanit. I premtojmë që do ta trajtojmë me filozofi dhe me një dozë humori nga pas.

Ai mban një detyrë kushtetuese, një funksion të lartë përfaqësues të popullit shqiptar. Në një vend tjetër të Europës lojrat e prapa të Dules ndëshkohen nga Gjykata, përveçse nga politika dhe opinion publik. Edhe llogaritë e tij politike nuk duhet t’i japin shumë qetësi. Në politikë një plus një, prapë s’bëjnë dy.

Onufri

Loja e prapë e Dules