Lufta e Ftohtë – shumë të reja, asnjë ndryshim

nafta1Aleanca e naftës është e pathyeshme dhe e pakthyeshme. Këtë fakt e dëshmon vizita e Obamës dhe delegacionit amerikan në Riad për të takuar Mbretin e ri dhe homazhet për vdekjen e paraardhësit të tij. Vlen të kujtojmë se vetem dy javë më parë, Obama mungoi në manifestimin për ngjarjet e Parisit dhe masakrën në gazetën satirike “Charlie Hebdo”.

Por jo vetëm kaq, në Paris munguan të gjithë eksponentët e rëndësishëm të Departamentit të Shtetit. Një turp të cilin e gëlltitën me pak bukë, një “kërkojmë ndjesë” dhe një gotë verë pas.

Këto dy ngjarje, të menaxhuara në mënyrë të ndryshme nga administrata amerikane, nuk tregojnë në fakt largësinë e Uashingtonit me Brukselin (ose Parisin), por përparësinë që ka aleanca e naftës me Riadin. Duke banalizuar mund të themi që, Amerika e ka Europën në xhep, prandaj duhet të përkëdhelë Arabinë Saudite. Po pse intereson kaq shume sigurimi i vazhdimësë së aleancës 70 vjeçare me Riadin?

Arsyet mund të jenë të shumta dhe të komplikuara, por e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë. Çmimi i naftës u përgjysmua nga 100$ në 50$ për fuçi dhe pavarësisht vlerës së vogël, Mbretëria Saudite nuk ka ndërmend të ulë prodhimin, manovër e cila do të çonte në rritjen e çmimit.

Ulja e çmimit të naftës është hakmarrja dhe njëkohësisht presioni që Uashingtoni i bën Moskës dhe Teheranit. Ekonomitë e Rusisë dhe Iranit janë tejet të varura nga shitja e naftës dhe gazit që disponojnë por duke mos patur asnjë mundësi të ndërhyjnë te çmimi.

Ashtu si 26 vjet më parë edhe sot, në një llogore qëndron SHBA-ja, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sigurisht Europa, ndërsa në tjetrën Rusia, Irani, dhe vendet e Azisë qendrore që po rikthehen në gjirin e “Nënës Rusi”, me Kinën e cila ka një llogore krejt të vetën dhe vështron nga afër.

Çka duket se ka ndryshuar është vetëm një grup vendesh të Europës qendrore dhe lindore të cilat në lojën e madhe gjeopolitike nuk kanë peshë të mjaftueshme për të ndryshuar ekuilibrat. Ukraina është shumë pranë kolapsit ekonomik dhe ka humbur thuajse 1/4 e territorit. Serbia ashtu si Jugosllavia dikur, mundohet të luajë në dy fusha, herë me Rusinë (me zemër) e herë me Europën (me llogari).

Edhe Greqia ka luajtur historikisht në dy fusha. Ardhja e Ciprasit në pushtet dhe politika e afrimit me Rusinë flasin qartë për këtë të vërtetë. Interesat ekonomike, kanë shtyrë edhe vende të tjera të BE-së që të afrohen me Rusinë, pa u shkëputur domosdoshmërisht nga Europa, siç është rasti i Sllovakisë dhe Hungarisë.

Por të gjitha këto vende së bashku nuk vlejnë strategjikisht as sa gjysma e Kazakistanit, i cili ka aderuar tashmë në Unionin Ekonomik Euroaziatik ku bëjnë pjesë Federata Ruse, Biellorusia, Armenia, në pritje të Kirgizistanit.

Shqipëria e vogël dhe e papërfillshme, është nga të paktat vende që ka ndryshuar në mënyrë të prerë llogore, në një luftë të dytë të ftohtë që tashmë ka nisur.

Duket qartë që blloqet nuk kanë ndryshuar shumë. Në fund edhe Greqia e Ciprasit do përqafojë BE-në duke i shkelur njërin sy Rusisë. Kjo e fundit ka shpresa të forta te Greqia dhe po tenton ta përdorë si Kalë Troje brenda BE-së, por e kupton që është një shpresë e rreme dhe jo fort e besueshme.

Besnike e Rusisë edhe pse me një këmbë në Bruksel do të mbetet Serbia por siç e thamë edhe më lartë, është shumë pak për të qenë një bast i mirë në lojën e Moskës.

Nëse nuk është një déjà vu e Luftës së Ftohtë, atëhere çfarë është? Bota ka ndryshuar këto 26 vjet, interneti, teknologjia, mediat dhe rrjetet sociale, globalizimi, janë futur në lojë, por në ekuilibrat gjeopolitikë ndërkombëtarë, gurët duket se nuk kanë lëvizur. Si në një lojë shahu, ushtarët dhe figurat janë rreshtuar, të bardhët përballë  të zinjve, por për sa kohë lufta është e ftohtë asnjë gurë nuk lëviz i pari.

Lufta e Ftohtë – shumë të reja, asnjë ndryshim