Lufta legjitime

dem

Të ulur përpara televizorit, me një telekomandë në dorë, shumë shqiptarë po përjetojnë me ankth ngjarjet dramatike në Kumanovë. Për shkak të mungesës së informacionit nga “Lagjja e Trimave”, ku edhe po zhvillohen përleshjet më të ashpra, kanë lindur edhe spekulimet e para. Ndërsa gjuha e mediave dhe politikanëve sllavo-maqedonas apo serbe flet për grup terrorist, gjuha e mediave apo politikanëve shqiptarë është konfuze, memece, deri në delirante.
E vërteta këtë herë nuk qëndron në mes. E vërteta ulëret.
Shqiptarët në Kumanovë dhe në të gjitha trevat e tjera të Maqedonisë trajtohen si shtetas të dorës së dytë. Akoma më keq ata janë segreguar nëpër fshatra dhe komuna, janë izoluar dhe privuar nga çdo e drejtë elementare. Marrëveshja e Ohrit është një copë letër pa vlerë. Shqiptarët dhe Sllavët e Maqedonisë nuk janë të barabartë. Jo vetëm kaq. Kush e njeh realitetin e ka të qartë se Maqedonia po i ngjan çdo ditë e më shumë Afrikës së Jugut në periudhën e Apartheidit…
Shqiptarët atje, kanë të drejtë të luftojnë me të gjitha format për të fituar të drejtat dhe lirinë e tyre.
Shqiptarët këtu, nga Tirana, Prishtina apo diaspora nuk kanë të drejtë të kërkojnë vetëpërmbajtje, paqe dhe kompromis, për hir të një qetësie të rreme që mbizotëron në shtëpitë e tyre, para televizorit, kilometra larg Kumanovës, vite larg realitetit maqedonas dhe shtypjes së një pushteti fashist si ai i Gruevskit.
Ne nuk e dimë kush po lufton, por ne e dimë se përse duhet luftuar, dhe e dimë se lufta si forma më radikale e protestës, është një e drejtë e pamohueshme e popujve të shtypur.

Tanks

Lufta legjitime