Lustracioni-apo-kastracioni

Së pari, na tërheq vëmendjen terminologia e përdorur për këtë ligj. Për pastërti figurash dhe për lustracion (në kuptimin e bërjes së dickaje të ndrisë) mund të flitet vetëm në një sistem si ai i së kaluarës, ku matej individi jo vetëm nga aftësia por edhe nga afërsia me elementë tradhëtarë, si hije që e ndjekin atë pas, duke e ndrydhur atë dhe duke e ostracizuar pa të drejtë. Nëse fryma e ligjit nuk është kjo që terminologia gabimisht po na shtyn të mendojmë, atëherë kryeministri duhet të na shpjegojë se për cfarë bëhet fjalë në të, larg retorikës së tij boshe plot emfazë qesharake, dhe përse kapet me dajot, prindërit e figurave të sotme politike. A nuk është kjo një bolshevizëm enverist? Të paktën, kryeministrin nuk mund ta shajmë në një aspekt, në konsekuencën për sa i përket ndjekjes së logjikës komuniste edhe sot 20 vjet pasi u rrëzuan muret nëpër Evropë.

Së dyti, dhe meqë ra fjala, përse 20 vjet më vonë? Pse jo në 93, 94, 95…? Ose të paktën pse jo në dhjetor 2008, por me kushtin që të ishte bërë një debat i gjerë publik, pasi ky ligj nuk sanksionon sasitë e rrushit dhe kumbullave që do të eksportohen, po flet për historinë e një kombi, dhe përballjen me veten e vet. Po të flasësh për introspeksion është shumë kur shikon fytyrën e kryeministrit, introspeksioni i vetëm i të cilit është “a kam unë mundësi të rri dhe 4 vjet ose më shumë në pushtet?”

Dhe këtu hymë te pika e tretë, te një tentativë profane në shpjegimin e urgjencës së bërjes së këtij ligji në periudhë paraelektorale. I vetmi shpjegim është eliminimi nga gara i kundërshtarëve të rrezikshëm, nëpërmjet komisioneve që do të ngrihen nga ky ligj i shëmtuar, dhe mbajtja nën presion ose nën kujdesin e vecantë të kryeministrit të të tjerëve. Në këtë optikë, ai vazhdon të ketë mundësinë e kontrollit mbi ta pasi edhe pse hoqi sistemin mazhoritar, nëpërmjet këtij ligji kontrollon cdo njeri që do të futet në listat e proporcionalit për  deputet.

     Ne jemi të mendimit se zgjidhja e këtij momenti kyc historik, sic është ligji për ballafaqimin e një populli me veten e vet është një debat i gjerë publik, një farë lloj terapie kolektive, ku të gjithë të shiheshin në sy dhe ku njëra palë të pranonte dëmin që kishin bërë, dhe ku pala tjetër, e respektuar nga shteti dhe e mbrojtur prej tij të dëgjonte në lartësinë e dinjitetit të saj sesi parimet e njerëzimit triumfojnë dhe se asnjëra prej vuajtjeve të tyre nuk harrohet. Praktikat ndërkombëtare ekzistojnë, Afrikë e Jugut etj… Natyrisht, kush është për tu dënuar sipas parimeve ndërkombëtare të pranuara, do të dënohej. Po ne këtu nuk po flasim për këtë kategori.

Po a realizohet dot kjo në Shqipëri? Jemi të mendimit se jo. Mjafton të shohim kush është në krye të qeverisë dhe ne kemi përgjigjen për këtë pyetje. Ne nuk mendojmë se kryeministri do të dëshironte ballafaqimin, se ka shuma gjasa që dhe ai do të ishte një prej njerëzve që do të kishin shumë gjëra për të thënë dhe shumë faje për të pranuar. Nëse bëmat e tij do të kishin një fund… Duket se jo.

Lustracioni-apo-kastracioni