Matematicienët nuk dinë aritmetikë dhe difektet e lojës tek a çift

Megjithatë, falë përpjekjeve të mira të politikanve pushtetarë dhe fondeve pa limit nga zemëgjerësia e qeverisë, këtë herë në ndihmë na erdhi teknologjia. Për të qartësuar tymnajën tradicionale pas zgjedhore KZAZ-të u pajisën me kamera, skaner, lidhje direkte me ekrane ultramoderne dhe sigurisht lidhje me KQZ-në. Ja ku jemi sot! Kush nga ne mund të vendosë dorën në zjarr, se kjo teknologji ja vlen, se ato para nuk ikën dëm?
 Megjithatë ajo që me shumë forcë, edhe në artikuj të tjerë, kemi mbështetur është risia që sjell  sistemi elektoral, efikasiteti dhe vertetesia e tij. Është një sistem i cili i afrohet më shumë të vërtetës, në kuptimin e shndërrimit të votës në numër deputetësh. Mjaft më me deformimet e “Dushkut” , me fuqizimin e partive që nuk janë parti, por klane fisnore e shoqërore, me kalimin e votës nga një krah politik në tjetrin! Dhe vërtetë të paktën kemi një sistem të ri, i cili është pasqyrë thuajse e saktë e realitetit Shqiptar. Ai u formulua nga njohës të mirë të ligjit dhe matematicienë të zotë, profesorë të nderuar dhe u miratua, të paktën në parim, nga i gjithë spektri politik i vendit…
Duke u bazuar në të dhënat e deritanishme të ECA & KRIK apo të KQZ-së shohim që ky sistem elektoral na jep  një gabim shumë të vogël në përkthimin e votave në deputet. Parti të cilat realisht nuk kanë peshë politike dhe identitet elektoral sot janë zhdukur nga karriget e kuvendit. Për një pasqyrë sa më reale të votës popullore është e vërtetë që do të duhej një proporcional kombëtar, por ky variant do të penalizonte parti me identitet të fortë elektoral si psh. partinë që ka themeluar komuniteti Cam. Shumëkush e ka quajtur surprizë hyrjen e PDI-së në parlament, por në fakt surprizë do të ishte hyrja e Partisë së Xhuvelit e cila, të vetmin identitet që ka eshtë ai i kryetarit të partisë. Ndërsa në zgjedhjet e më parshme kemi patur një  shperfytyrim të vullnetit të votuesve dhe prani të partive fantazma në parlament. Gjithashtu të penalizuara me proporcionalin kombëtar do të ishin edhe minoritetet, ndaj u zgjodh një sistem proporcional rajonal, duke plotësuar njëkohësisht edhe kërkesat e BE-së përsa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit.
Por që një sistem elektoral të jetë i mirë duhet të ketë zbatues dhe zbatim të mirë. Këtu hyjnë në lojë marifetet e politikanëve me kallo në fushën e grabitjes dhe shpërfytyrimit të vullnetit popullor. Sepse kjo është loja që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ujqërit e vjetër të politikës shqiptare të cilët ndërruan qimen e byrosë politike me gëzofin e pishtarit të demokracisë. Lojë numrash, në të cilën kushdo që të dalë i pari, humbës del vetëm shqiptari. Pas mazhoritarit, pas mazhoritarit të korrigjuar me proporcional, pas lojës së Dushkut, pas MegaDushkut sot na ofrohet loja e numrit tek apo cift në proporcionalin rajonal. Le ta shpjegojmë cfarë është kjo lojë:
Në hartën e Shqipërisë u ndanë 12 qarqe. Në secilin prej tyre del një numër i caktuar deputetësh duke u bazuar në numërimin proporcional të votave. Pra cdo parti do të marrë aq deputetë sa i takon, proporcionalisht me peshën politike që ajo parti ka në atë rajon të caktuar. Deri këtu cdo gjë perfekte. Por vallë, si do të caktohet fituesi në një qark ku del një numër cift deputetesh? Shembulli i Elbasanit me 14 deputetë është i qartë; edhe pse njëra force politike ka fituar ndaj tjetrës rezultati i përkthyer në karrige deputetësh është 7 me 7. Njësoj edhe në Qarkun e Korcës (edhe pse këtu fitorja është më e ngushtë). I njëjti difekt mund të haset edhe në qarqet e ashtuquajtura BASTION, ku fitoret janë më të thella. Le të krahasojme Shkodren me Beratin. Berati, diferenca e votave është 65% – 33% në favor të së majtës. Futëm në llogaritje edhe LSI-në duke qenë se ka nxjerrë një deputet. Në qarkun e Shkodrës diferenca është 58% – 37% në favor të së djathtës(pra  një fitore më e ngushtë se fitorja e së majtës në Berat). Por ndërsa në Berat e majta nxjerr 2 deputete me shumë se e djathta, në Shkodër, edhe pse me fitore më të ngushteë në krahasim, e djathta nxjerr 3 deputete me shumë se e majta. Akoma më i thelle do të ishte difekti nëse llogaritë bëhen pa LSI-në. “Cuditërisht” vërehet që zonat ku fiton dhe ka fituar, e majta kanë një numër cift deputetësh: Berat, Vlorë,Fier, Korcë, Elbasan, Tiranë. Përjashtim bën Gjirokastra ku numri i deputetëve është shumë i vogel për të ndikuar në marifetet e lojës Tek a Cift. Ndërsa shumica e zonave ku fiton dhe ka fituar e djathta kanë një numër tek deputetesh: Shkodër, Lezhë, Durrës. Përjashtim Bëjnë Dibra dhe Kukësi, ku sërisht numri i deputetëve është i vogël për të ndikuar ndjeshëm…
Me sa duket Shqipëria e ka të vështirë të nxjerri një fitues, por dyshja e hartuesve të këtij sistemi elektoral Rusmaili vs Islami e ka tashmë fituesin. Ai është Rusmaili dhe është triunfues në këtë betejë virtule. Zgjuarsia dhe dinakëria e juristit pati epërsi mbi llogaritjet elementare, aritmetike të matematicienit!

Matematicienët nuk dinë aritmetikë dhe difektet e lojës tek a çift