Mesazhet kontradiktore te cinikëve

123Cinizmi është humori i të pakëtit ndaj veprimeve të shumicës. Shumica nuk do të jetë kurrë cinike. Ajo mund të shpotisë, të tallet, madje dhe me veten, por kurrë nuk do të jetë në gjendje të jetë cinike. Cinizmi është një shkallë epërore talljeje, ku mplekset dashakeqësia, mllefi, xhelozia edhe, nuk mund ta mohojmë, trajta të një shpirti kritik, herë herë të sofistikuar. Oscar Wilde njihet si një cinik i rrahur në vaj e në uthull, nëpërmjet cinizmit të të cilit, tejçoheshin mesazhe të një mprehtësie intelektuale të pamohueshme, pavarësisht kujt i drejtohej dhe çfarë përfaqësonte. Prandaj dhe cinizmi është një shprehje kritike e fenomeneve që nodhin poshtë që disa i shikojnë në lartësitë e majave të kriticizmit të tyre, një monopol i atyre që kanë ose mendojnë që kanë një përgatitje intelektuale që u lejon të tallin këdo, pa rënë në sy. Dikush mund të formulojë një kritikë ndaj shoqërisë, e cila për nga konstrukti dhe mesazhi që do të tejçojë, nuk ka asnjë lidhje me cinizmin, edhe nëse kritika vishet me humor. Ciniku nuk do e bëjë kurrë këtë. Ciniku e lëshon kritikën për bukurinë e saj, por koncepti i bukurisë, duke qenë shumë subjektiv, ciniku do e quajë më të bukur, nëse ajo do të jetë më poshtëruese.

Mirëpo ciniku ka dhe disa veti të tjera. Ciniku tregon me gishtin e tij tallës shumicën për ta veçuar veten prej saj, por jo për ta veçuar veten nga veprimet e saj. Ciniku tallet me korrupsionin endemik të popullit të vet, fjala vjen, por ciniku nuk kursen para për të shpëtuar nga detyrime që nuk dëshiron t’i paguajë. Ciniku tallet me mënyrën e të shprehurit të dashurisë për atdheun, por ciniku nuk do të mungojë në stadium për të mbështetur kombëtaren. Sepse ciniku ndjek modën, atë modë që e cakton shumica e zhurmshme dhe e shëmtuar, ciniku do e përvetësojë. Sepse ciniku ka mundësinë financiare të protestojë me kulturë, të mbështesë kombëtaren me kulturë dhe të shkojë në Francë po me kulturë. Të gjitha këto shumica nuk i ka. Shumica do e shpreh pasionin e saj me mjetet që ka, intelektuale dhe materiale, kështu është dhe kështu ka për të qenë. Ciniku do e shpreh cinizmin e tij pavarësisht, mirëpo ciniku nuk do ia mohojë vetes asnjë qejf, asnjë shprehje patriotizimi tërësisht të pavend, pasi ka vjellur vrer mbi patriotizmin e shumicës. Ciniku do të jetë aty me celular në brez dhe me selfie në celular, për të bërë check-in-in e radhës në Paris dhe shumica do të jetë po aty në Tiranë, Klos, Selenicë, Librazhd, me folklorin e saj për të shprehur atë që i mban zemra. Mirëpo ky folklor nuk është asgjë përpra folklorit të cinikut, folklorit të njeriut pa shtyllë kurrizore që mbron të pambrojtshmen, kërkon të parealizueshmen, vetëm për të shprehur cinizmin e tij. Ky folklor po bëhet i bezdisshëm. Por nuk i shmangemi dot. Do të jetë bashkëudhëtar i njerëzimit, për sa kohë njerëzimi nuk do gjejë karar në këtë botë dhe nuk do të dijë ç’të bëjë me trutë dhe me mundësitë që ka.

Stavri

Mesazhet kontradiktore te cinikëve